Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimeve për qumështin dhe nënproduktet e tij.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Tabaku shkruan se shqiptarët punojnë për oligarkët dhe qeveritarët, pasi sipas saj qeveria ka mbledhur nga rritja e çmimeve 170 mln euro më shumë në buxhetin e shtetit nga taksat.
Sakaq shton se teksa 30% e shqiptarëve mezi paguajnë bukën e tyre kurse inceneratori Tiranës merr milionat shtesë nga arka e shtetit.
Postimi i plotë:
Shqiptarët punojnë për oligarkët/qeveritarët
Për shqiptarët çmimi qumështit dhe nënproduktet e tij do të rritet edhe më tej këtë javë. Çmimi qumështit shkon në thuajse 200 lek ndërkohë që priten të rriten nënproduktet e tij. Arsyeja pas kësaj rritje të dytë lidhet me kostot e larta të produkteve të para.
Dikush mund të argumentojë se lufta në Ukrainë ka rritur çmimet dhe për rrjedhojë kostot e biznesit. Askush nuk mohon ndikimin e luftës. Por kjo e fundit mbetet alibi derisa qeveria ka mbledhur nga rritja e çmimeve 170 mln euro më shumë në buxhetin e shtetit nga taksat. Ku shkojnë këto të ardhura?! Në një vend ku 1 ndër 3 shqiptarë nuk e ka të sigurt vaktin a nuk do ishte një politikë me sens rishpërndarja e të ardhurave që rriten prej inflacionit?! Patjetër që po! Madje më e logjikshme do të ishte heqja e disa taksave që aplikohen në konsum ashtu që shqiptarët të kenë më shumë në kuletën e tyre. Heqja e taksave do qe zgjedhja dhe zgjidhja!
Fatkeqësisht jo! Qeveria aplikon politika të ngjashme si në kohë lufte dhe në kohë paqe! Pse?! Sepse me taksat e inflacionuara ajo paguan PPP/Koncesione.
Merrni inceneratorin e Tiranës që do të indeksohet me normën e inflacionit. Pra 30% e shqiptarëve mezi paguajnë bukën e tyre kurse inceneratori Tiranës merr milionat shtesë nga arka e shtetit.
A punojnë shqiptarët për oligarkët/qeveritarët që janë kthyer në mish e thua?!
Shifrat thonë që po! Njësoj dhe arka e shtetit! Padyshim dhe xhepi shqiptarëve!