Rritja e çmimit të energjisë, Konfindustria: E kundërshtojmë!

Konfindustria ka kundërshtuar, nismën e njoftuar nga Kryeministri, Edi Rama, i cili  paralajmëroi fashë energjie elektrike gjatë sezonit të verës.

Përmes një reagimi zyrtar, Konfindustria thekon se nuk mund të ketë nismë të qeverisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike pa pasur një analizë të thelluar profesionale mbi menaxhimin e deritanishëm të sistemit energjitik.

‘Cdo rritje e mëtejshme e paarsyetuar e cmimit të energjisë elektrike do të ishte me pasoja të rënda për qytetarët, industritë, bizneset dhe fuqinë konkuruese të ekonomisë kombëtare.’- theksohet nga Konfindustria.

REAGIMI I PLOTË:

Konfindustria kundërshton cdo nismë qeveritare për rritjen e cmimit të energjisë për bizneset dhe qytetarët pa një analizë të thelluar paraprake profesionale për gjendjen dhe menaxhimin e deritashëm të sistemit energjitik. Vetëm në rast, se gjykohet, që potencialet vendore energjitike janë përdorur plotësisht me efikasitet profesional dhe pa korrupsion, është e mundshme të ndërmerren nisma për rritjen e cmimit të energjisë.

Sipas të dhënave të institucioneve zyrtare humbjet nga keqmenaxhimi i sistemit energjitik në 3 mujorin e parë të vitit 2023, ku përfshihen vjedhjet dhe humbjet teknik, arrijnë në mbi 25.1% të sasisë së përgjithshme të hedhur në rrjet nga 8%, që duhet të ishin. Dëmi financiar publik nga më sipër është prej më shumë se 100 milion euro/vit.

Në vlerën e mësipërme nuk përfshihen dëmet nga keqmenaxhimi i rezervave ujore të mëdha të vendit, humbjet financiare nga transaksionet e shitje-blerjes së energjisë, kostot e tejfryra të kompanive publike të energjisë, etj. Cmimet e shitje-blerjes së energjisë elektrike vlerësohen në humbje për kompanitë publike me mbi 20% të sasisë së energjisë dhe vlerë prej qindra milionë euro/vit. Sa më sipër kryhet në kushtet e subjektivizmit të qartë, duke shmangur ende në vazhdimësi dhe pa asnjë shpjegim dhe përgjegjësi Bursën e Energjisë ALPEX. Gjithashtu, cmimet e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare janë ulur ndjeshëm gjatë viteve 2022-23 si dhe kushtet e motit kanë qenë shumë të përshtatshme për prodhimin vendor të energjisë, që bëjnë të parsyeshme rritjen e cmimit.

Konfindustria vlerëson, se bizneset dhe qytetarët shqiptarë kanë cmimet më ta larta në rajon të energjisë elektrike. Cdo rritje e mëtejshme e paarsyetuar e cmimit të energjisë elektrike do të ishte me pasoja të rënda për qytetarët, industritë, bizneset dhe fuqinë konkuruese të ekonomisë kombëtare.

Ky paralajmërim u bë nga kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend. Rama paralajmëroi se do të diskutohet sërish për vendosjen e fashës për çmimin e energjisë elektrike gjatë verës.

“Ajo që paguajnë familjet nuk është vlera reale e faturës. Familjet shqiptare dhe biznesi i vogël paguan ekzaktësisht sa paguante me çmimin përpara krizës. Ka rënë çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar, por nuk është kthyer aty ku ishte dhe qeveria ka pasur dhe ka vullnetin e plotë që të vazhdojë të paguajë, ndërkohë që me ardhjen e verës, konsumi do të rritet në mënyrë të ndjeshme përsëri dhe ne do të duhet të hapim diskutimin e fashës”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *