Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat, Meta ka kërkuar që të thirret në një seancë urgjente dëgjimore në Kuvend, Enti rregullator i Energjisë. Sipas tij, kjo e fundit duhet të japë sqarime lidhur me vendimin për fashën e konsumit të energjisë.
“Vendimet e fundit të ERE, me të drejtë kanë sjellë një impakt tepër negativ, jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga përfaqësuesit të sipërmarrjes dhe biznesit në vend, ndaj jam sot këtu për të shprehur mbështetjen më të plotë të kërkesës së konfindustrias për Kuvendin e Shqipërisë për të thirrur në seancë urgjente ERE pikërisht për të arsyetuar vendimin e fundit për fashën e konsumit të energjisë dhe problematikat e menaxhimit të sistemit për periudhën 2021 dhe 6 mujorin e parë të vitit 2022.
Ky ent e ka për detyrë ligjore të sqarojë në mënyrë profesionale para Kuvendit arsyet financiare, teknike dhe institucionale të sistemit energjetik që kanë çuar në pranimin e plotë të propozimit të qeverisë për rritjen e fortë të çmimit të energjisë elektrike”, tha Meta.