Rritja e çmimit të patentave/ Autoriteti i Konkurrencës nis hetimet

 

Pas paralajmërimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor për rritjen e çmimit të patentave, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimet, për shkak të shqetësimeve të shprehura nga qytetarët për këtë çështje.

Autoriteti i Konkurrencës po verifikon marrëveshjen mes përfaqësuesve të autoshkollave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mbi përcaktimin e kostos minimale fiskale të përgatitjes për drejtues mjeti.

HETIMI

Autoriteti i Konkurrencës njoftoi mesditën e djeshme se ka nisur procedurat për vlerësimin e marrëveshjes që parashikon rritjen e çmimit të kurseve të aftësimit për marrjen e lejeve të drejtimit të automjeteve, për t’u shprehur nëse kjo marrëveshje mund të përbëjë shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Në njoftimin e tij, ky institucion vë në dukje se procedurat ka nisur pas disa shqetësimeve të bëra publike nga media në lidhje me marrëveshjen ndërmjet grupeve të interesit përfaqësues të autoshkollave (Shoqata “Kombëtare e Autoshkollave” dhe Shoqata e Autoshkollave “Siguria në rrugë”), Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mbi përcaktimin e kostos minimale fiskale (tarifat e pagesës) së përgatitjes për drejtues mjeti. Autoriteti i Konkurrencës nënvizon se ligji nr. 9121/ 2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes apo çdo kusht tjetër tregtimi.

Autoriteti i Konkurrencës, në zbatim të neneve 69 dhe 70 të ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, vlerëson shkallën e kufizimit ose të pengimit të konkurrencës që rrjedh nga projekt aktet që kanë të bëjnë me: kufizimet sasiore për hyrjen në treg dhe tregtimin; vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të të drejtave të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara; imponimin e praktikave të njëjta në çmime dhe kushtet e shitjes. Për sa më sipër, Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me qëllim vlerësimin e kufizimeve të mundshme të konkurrencës në tregun përkatës.

DRAFTMARREVESHJA

Dy ditë më parë u zbardh draft aktmarrëveshja, ku grupet e interesit, duke përfshirë Shoqatën Kombëtare të Autoshkollave, Shoqatën e Autoshkollave “Siguria në Rrugë”, Drejtorinë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor deklarojnë se bien dakord që tarifat e reja që variojnë sipas kategorive të lejeve të drejtimit, të përcaktohen nga 30,000 lekë deri në 125,000 lekë.

Në draftin e aktmarrëveshjes theksohet se objekti i kësaj Marrëveshje është dakordësimi ndërmjet subjekteve që organizojnë autoshkollat, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mbi përcaktimin e kostos minimale fiskale (tarifat e pagesës) së përgatitjes për drejtues mjeti për kategoritë: AM, A1, A2, A, B1, B, BE, C1, C, C1E, CE, D1, D, D1E, DE, për rimarrjen e leje drejtimit pas humbjes totale të pikëve ose për heqje të saj si dhe për dëshmitë dhe certifikatat të aftësimit profesional.

Sipas draftit, “bashkëpunimi midis palëve është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm pasi ndihmon në luftën ndaj konkurrencës së pandershme, rregullimin e tregut të autoshkollave, kontribuuesit në kuadër të çështjes me rëndësi të madhe publike mbi Sigurinë Rrugore me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe përmirësimit të sigurisë në rrugë, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në një proces zinxhir duke filluar nga përdoruesit e rrugës dhe homogjeniteti i masave në këtë drejtim”.

Autoshkollat pohuan se aktualisht tarifa për dhënien e lejes së drejtimit të kategorisë B, (për veturë) duke përfshirë orët e njohurive teorike dhe praktike kushton 35,000 lekë. Aktmarrëveshja parashikon vendosjen e çmimit të ri në vlerën e 85,000 lekëve (çmimi rritet 2,5 herë), duke e ndarë në dy tarifa, si: kosto minimale fiskale për marrjen e njohurive teorike në vlerën e 30,000 lekëve dhe kosto minimale fiskale për marrjen e njohurive praktike në vlerën e 55,000 lekëve.

KRAHASIMI I ÇMIMEVE ME RAJONIN

Mali i Zi 290 euro (330 mijë lekë)

Kosovë 300 euro (345 mijë lekë)

Maqedoni e Veriut 400 euro (460 mijë lekë)

Bosnjë-Hercegovinë 550 euro (630 mijë lekë)

Serbi 630 euro (725 mijë lekë)

Shqipëri 740 euro (850 mijë lekë)

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *