Rritja e kursit të këmbimit Euro-Lek që ndodhi ditën e mërkurë është shfryrë plotësisht dhe kursi është rikthyer përsëri pranë niveleve më të ulëta të vitit 2024. Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 102.87 lekë, në rënie të fortë për të dytën ditë radhazi.Të mërkurën Euro shënoi rritjen më të fortë që nga vera e vitit të kaluar dhe kërceu në nivelin e 104.63 lekëve. Megjithatë, siç ishte paralajmëruar, kjo rritje nuk rezultoi e qëndrueshme dhe në pak ditë kursi u rikthye në nivelet e mëparshme. Rënia e Euros është reflektuar siç ndodh zakonisht edhe në kursin e valutave të tjera.
Dollari Amerikan ka zbritur në nivelin e 95.37 lekëve, nga 96.52 lekë që ishte ditën e mërkurë. Paundi Britanik ka zbritur në 120.34 lekë, nga niveli prej 121.94 lekësh i ditës së mërkurë. Sipas burimeve nga sektori bankar, rritja e ditës së mërkurë ishte paradoksale, duke qenë se në treg nuk ekzistonte ndonjë bazë e gjerë kërkese për Euro. Me sa duket, rritja ka ardhur nga banka të veçanta që për nevoja të pozicioneve të tyre ose për kërkesë të klientëve të veçantë kanë shfaqur një kërkesë shumë të madhe për valutë, duke e tërhequr kursin në rritje. Kjo ngjarje dëshmon edhe njëherë se tregu valutor shqiptar përfshihet lehtë nga paniku, ndoshta për shkak të cektësisë dhe përmasave të tij të vogla. Megjithatë, edhe ky moment është tejkaluar shpejt dhe kursi është rikthyer pranë niveleve të javës së kaluar.Faktorët thelbësore të kursit duket se diktojnë presione të reja rënëse mbi kursin e këmbimit Euro-Lek. Hyrja në sezonin e pranverës pritet të shtojë më tej hyrjet e turistëve të huaja dhe prurjet valutore në ekonomi. Kjo ka krijuar premisa për një cikël të ri të forcimit të Lekut. Aktualisht, kursi Euro-Lek është në rënie me 9.5% krahasuar me të njëjtën ditë të një viti më parë. Tendenca rënëse vjetore e kursit është përshpejtuar gjatë pjesës së dytë të muajit mars.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se vitin e kaluar deficiti i llogarisë korrente zbriti në minimumin historik prej 191 milionë eurosh, në rënie me 78% krahasuar me vitin 2022. Deficiti i llogarisë korrente vlerësohet në më pak se 1% e Prodhimit të Brednshëm Bruto, nga rreth 6% që kishte qenë një vit më parë.Ndërkohë, vlera rekord e investimeve të huaja direkte, prej gati 1.5 miliardë eurosh, e ka tejkaluar me disa herë defitin e llogarisë korrente, çka tregon se në ekonomi ka hyrë më shumë valutë e huaj nga sa ka dalë. Pritshmëritë janë që bilanci i pagesave do të vazhdojë përmirësimin edhe këtë vit, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë krahasuar me 2023. Kjo pritet të krijojë presione të reja rënëse për kursin e këmbimit Euro-Lek./monitor