Flet Adrian Çela, administrator i OSHEE Group Sh.Ndonëse vendi po kalon një situatë të vështirë energjetike, për shkak të thatësirës dhe rritjes së çmimeve në tregun ndërkombëtare, situata financiare e OSHEE Group, që prej dy vitesh u riorganizua duke ndarë shpërndarjen furnizuesin dhe furnizimin e tregut të lirë, është i qëndrueshëm.
Adrian Çela, administrator i OSHEE Group Sh.A pohon se ndarja ka krijuar mundësinë e ristrukturimit dhe qartësimit të detyrave, në plotësim të objektit të aktivitetit për çdo shoqëri. Çela e vë theksin te ulja e humbjeve, që ka zbritur në rreth 20%.
Megjithatë, rritja e jashtëzakonshme e çmimit të energjisë në Tregun e Lirë në 6-mujorin e dytë të vitit 2021 ndikoi negativisht te financat e OSHEE Group Sh.A, duke kaluar nga një fitim neto prej rreth 2.5 miliardë lekësh në 6-mujorin e parë në një humbje neto prej rreth 13.2 miliardë lekësh në fund të vitit.
Duke analizuar të dhënat e 8-mujorit 2022, z. Çela shton se ka rritje të të ardhurave në masën 17.53%, duke arritur në 57.9 miliardë lekë, ose 8.6 miliardë më tepër se viti 2021
Viti 2021 ishte viti i dytë i operimit të tre kompanive të ndara në pronësi të OSHEE Group. Si ka qenë ecuria e tyre dhe çfarë përmirësimi ka sjellë ndarja e kompanive në ecurinë e grupit?
Ndarja ka krijuar mundësinë e ristrukturimit dhe qartësimit të detyrave, në plotësim të objektit të aktivitetit për çdo shoqëri. Në veçanti, shërbimet korporative janë detajuar, duke rritur cilësinë dhe efikasitetin e kostove të evidentuara, duke përmirësuar transparencën e tyre.
Me kënaqësi deklaroj se treguesit kryesorë të vitit 2021 u realizuan brenda objektivave, madje në disa, janë tejkaluar. Këtu nuk kam parasysh vetëm zërat bazë Humbjet dhe Arkëtime, por edhe rezultatet në fushën e menaxhimit të strukturave, miratimi i tarifave të shërbimit për shoqërinë OSSH, në kuadër të ndarjes dhe funksionimit të grupit, nënshkrimi i marrëveshjeve financiare me partnerë ndërkombëtarë si BERZH dhe KfW, etj.
Përtej debateve politike, interpretimeve dhe keqinformimit në shumë raste, ne kemi shifrat, faktet që nuk lënë shteg për kundërshtime. T’i marrim me radhë… marrim nivelin e humbjeve. Viti 2021 u mbyll në nivelin 20.62%, nga 45.07% që ishin në 2013, ose e shprehur me vlera absolute: nëse në vitin 2013, humbnin në rrjetin elektrik të amortizuar, vidheshin ose nuk faturoheshin në total +3200 megavat/orë energji elektrike, sot ky tregues ka zbritur në 1.5 mijë megavat/orë.
Diferenca është e dukshme, falë punës jo vetëm me investimet, por edhe me organizimin e strukturave në terren, kontrollet e vazhdueshme dhe rritjen e kapaciteteve në sistemet e IT (smart grid/meter).
Padyshim që ka ende punë për të bërë dhe mirëkuptoj debatet për nivelin aktual të humbjeve se sa duhet të ishin, referuar planit të veprimit (16.5%??), por të mos harrojmë periudhën e pandemisë, kur është punuar me kapacitet jo të plotë, mungesa e reshjeve që solli rialokim të fondeve nga investimet drejt importeve të larta të energjisë.
Në vitet 2020-2021, realizimi i buxhetit për investimet në rrjetin elektrik ishte rreth 52%, pra i përgjysmuam, duke u fokusuar te sigurimi i energjisë elektrike dhe në garancinë e furnizimit të abonentëve pa asnjë ndërprerje.
Sot, niveli i humbjeve është pranë 20%, por ky tregues në disa zona të vendit është më i ulët. Rajonet Tiranë dhe Durrës, të cilët konsumojnë gati gjysmën e energjisë elektrike në nivel vendi, kanë nivel të humbjeve pranë 15,2%, dhe kjo nuk është pak, por histori suksesi, po të mendosh nga e nisëm.
Tirana humbiste +915,000 Mwh, sot është në nivelin 235,000 Mwh, dhe unë e konsideroj arritje dhe sfidë për të ardhmen, për të qenë në nivele edhe më të ulëta. Sikurse edhe Shkodrën muajt e fundit, e cila, për herë të parë në histori i ka ulur humbjet nën 30%. Në muajin gusht 2022 është në nivel humbje 27%. Në vitet 2013-2014, ishte në nivelet e 50-60% humbje.
Të ardhurat për shoqërinë janë rritur, si rrjedhojë e ndërgjegjësimit, kontrolleve dhe verifikimeve të vazhdueshme në terren. Sot malli “energji” vlerësohet, paguhet, pasi kemi normë arkëtimi 96% nga 75% para fillimit të reformës.
Në vitin 2021, totali i të ardhurave shënoi shifrën rreth 72 miliardë lekë, nga 35 miliardë në vitin 2013. Rritja e të ardhurave na mundësoi të përballojmë krizën e çmimeve të energjisë nga importet, të ruanim stabilitetin financiar, duke mos ndërprerë shërbimet në sektorë jetikë të rrjetit dhe IT, si dhe duke vijuar me pagesat ndaj të tretëve.
Edhe pse kishte vështirësi në likuiditet, OSHEE pagoi 7.2 miliardë lekë taksa në organet fiskale. Disiplina financiare, e nisur në vitin 2015, na mundësoi të ishim korrektë me pagesat, duke shlyer mbi 60 miliardë lekë (2014-2021) taksa në buxhetin e shtetit, respektimin e planit të rimëkëmbjes për detyrimet ndaj KESH dhe OST, madje duke i tejkaluar në 139% në periudha të caktuara, kurse shpenzimet operative u vendosën në shina, duke mbajtur ritmin 16.6% (2021) nga rreth 22% që zinte në buxhet në vitin 2011, etj.
Ndarja e shoqërisë ka mundësuar hapjen e mëtejshme të tregut të furnizimit me energji, duke lejuar kalimin për furnizim në kushtet e Tregut të Lirë të të gjithë klientëve në tensionin e mesëm 35 kV si dhe ata në tensionin e mesëm 20/10/6 kV, të cilët gjenden përkohësisht në kushtet e Furnizimit të Mundësisë së Fundit, sikurse e parashikon ligji.
Reforma e strukturimit ishte një kërkesë e ligjit 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, në kuadër të perspektivës së hapjes së tregut në furnizimin me energji elektrike, zhdukjes së pozitës monopol, si dhe mundësimit të kalimit tërësor të këtyre shërbimeve në Tregun e Lirë.
Sa i takon bilancit, rritja e jashtëzakonshme e çmimit të energjisë në Tregun e Lirë në 6-mujorin e dytë të vitit 2021 ndikoi negativisht te financat e OSHEE Group Sh.A, duke kaluar nga një fitim neto prej rreth 2.5 miliardë lekësh në 6-mujorin e parë në një humbje neto prej rreth 13.2 miliardë lekësh në fund të vitit.
Si paraqitet situata financiare e OSHEE gjatë vitit 2021, sa i takon shpenzimeve të përgjithshme të kompanisë, ato për blerjen e energjisë dhe bilanci final?
Rritja e jashtëzakonshme e çmimit të blerjes së energjisë në 6-mujorin e dytë bëri që shpenzimet për importet në vitin 2021 të ishin 20.3 miliardë lekë më të larta se ato të vitit 2020, si rezultat i të cilave, performanca financiare shënoi humbje prej rreth 13.2 miliardë lekësh.
Nga ana tjetër, shpenzimet e larta për blerjen e energjisë elektrike u amortizuan nga të tjerë tregues, që lidhen me aktivitetin e shoqërisë, në raport me 2020 dhe që ishin:
- Ulja e nivelit të humbjeve
- Rritja e të ardhurave me rreth 7%, ose rreth 4.3 miliardë lekë, për shkak të rritjes së konsumit të energjisë, si rrjedhojë e rritjes ekonomike të vendit
- Ulja e shpenzimeve operative prej rreth 3.7 miliardë lekësh
Sa është aktualisht shuma e akumuluar e huamarrjes së OSHEE e marrë pas garancive të dhëna nga qeveria, për të siguruar energjinë, e cila ka kosto disa herë më të lartë sesa çmimi final që iu shitet konsumatorëve fundorë?
Shtesa e detyrimeve afatshkurtra, për shkak të huamarrjes me garanci buxhetore, në kushtet e vështirësive të likuiditetit që krijoi rritja e jashtëzakonshme e çmimeve, në fund të vitit 2021 ishte 7.87 miliardë lekë.
Natyrisht që, kostot për blerjen e energjisë elektrike ishin gati 4 herë më të mëdha, por diferenca u amortizua nga OSHEE Group, falë mirëmenaxhimit të situatës.
Në janar të këtij viti u nxorën në treg të lirë më shumë se 7500 biznese të lidhura në tension 20,10,6 kV. Në kushtet që flasim, si është menduar të vijojë plani i liberalizimit të tregut dhe cilat do të jenë hapat e radhës që do të merren?
Në zbatim të ligjit 43/2015, duke filluar nga 1 Janari 2022, dolën në treg të lirë të gjitha subjektet e lidhura në nivelin e tensionit 6/10/20 kV.
Në ndryshim nga dalja në treg e subjekteve të lidhura në nivel tensioni 35 kV, proces i zhvilluar gjatë periudhës 2018-2022 dhe gjatë të cilit, këto subjekte u përballën me çmimin e tregut të lirë, të cilat aktualisht janë në nivelin e rreth 35 lekë/kWh, dalja e subjekteve të lidhura në nivel tensioni 6/10/20 kV u shoqërua me politika mbështetëse çmimi.
Bazuar në kontratën KESH-FSHU dhe mbështetur në metodologjinë e miratuar nga ERE, çmimi me të cilin këto subjekte po furnizohen është aktualisht 18.3 lekë/kWh.
Nga ana e grupit, përmes Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH Sh.A), ndjekim me shumë kujdes procesin, të lidhura ngushtësisht me furnizimin me energji elektrike, procese të lidhura me sistemin e matjes, suport në kohë reale për çdo kërkese/ankese.
Përdoruesit me konsumin më të lartë janë të pajisur me matje inteligjente, ndërkohë vazhdon puna dhe projekte të ndryshme për pajisjen me matje inteligjente të pjesës së mbetur.
Bazuar në të dhënat e fundit, numri total i subjekteve të furnizuara në formatin FMF (Furnizuesi Mundësisë së Fundit) është 7,593 subjekte, me konsum total rreth 595,000 MWh dhe me vlerë faturimi rreth 15 miliardë lekë.
Vazhdimi i procesit të liberalizimit do të vijojë, bazuar në legjislacionin në fuqi. Subjektet në nivel tensioni 6/10/20 kanë të drejtë të vazhdojnë të furnizohen për 24 muaj, pra deri më 31 Dhjetor 2023 në formatin FMF, shërbim i ofruar nga FSHU/OSHEE grup Sh.A.
Gjatë kësaj periudhe, këto subjekte mund të dalin në treg të lirë dhe pas datës 1 Janar 2024, FSHU/OSHEE nuk ka më detyrim për furnizimin e tyre, me çmimin e përcaktuar, sipas metodologjisë së miratuar nga ERE.
Ndërkohë subjektet e lidhura në nivelin e tensionit TU 0.4 kv, bazuar në ligjin 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” kanë të drejtën e tyre të dalin në çdo kohë në treg të parregulluar, duke shlyer fillimisht detyrimet aktuale.
Rritja e kostove dhe çmimeve, në shumicën e segmenteve të tregut, duke përfshirë nga produktet e konsumit të përditshëm e deri tek elementet më periferike, ka vënë nën presion financat e familjeve dhe bizneseve. A e shihni këtë të reflektuar në ndonjë formë në aftësinë e tyre për të paguar faturat e energjisë?
Analiza që mund të bëjmë në lidhje me aftësinë paguese të segmentit Familjar dhe atij Privat të abonentëve të OSHEE-së lidhet me nivelin e arkëtimeve për 8-mujorin 2022, si në krahasim me vlerën e faturave, ashtu edhe në krahasim me arkëtimet e periudhës janar – gusht 2021.
Siç shihet edhe nga të dhënat, për kategorinë Familjar kemi rritje të arkëtimeve me rreth 1.3 miliardë lekë, krahasuar me 8-mujorin 2021 dhe rreth 101.3% të vlerës së energjisë së faturuar.
E njëjta analizë edhe për sa i përket segmentit Privat, arkëtimi i të cilit është në masën rreth 100% të vlerës së faturimit dhe rreth 5.2 miliardë lekë më shumë se 8-mujori 2022, ku efekt pati edhe ndryshimi i tarifave për abonentët në nivel tensioni TM 6/10/20kV.
Në këtë këndvështrim, aftësia paguese është e kënaqshme, por nuk duhet të harrohet edhe puna e vazhdueshme që bëhet me të gjithë abonentët për ruajtjen e nivelit të arkëtimeve, si në aspektin e njoftimeve mbi vlerën e faturës dhe afatet e pagesës, ashtu edhe në lidhje me veprimtarinë në terren për kontrollin e debitorëve dhe ndërprerjen në rastin e mospagesës së detyrimeve.
Çfarë po ndodh me planin e shlyerjes së borxhit që shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve kanë ndaj OSHEE, si po vijon angazhimi që u mor me një urdhër të përbashkët të ministrive?
Ecuria e detyrimeve të shoqërive ujësjellës – kanalizime (jobuxhetorë) është kritike dhe OSHEE Group po forcon gjithnjë e më shumë masat për rritjen e arkëtimit.
Në disa bashki ka përmirësim të gjendjes, tregohet korrektësi në pagesat e detyrimeve, megjithatë, panorama e përgjithshme paraqet një situatë, ku niveli i borxhit ndaj OSHEE ka arritur në rreth 24 miliardë lekë (nga të cilat, 11 miliardë lekë janë kamatëvonesa).
Detyrimet ndaj nesh, pra FSHU-së, rriten çdo vit me 1.4 miliardë lekë, kurse për vitin 2022, pritet të jetë më e lartë, për shkak të kalimit të disa shoqërive në status FMF, me tarifë më të lartë, vendosur nga ERE (18.8 lekë/kWh, nga 12 që ishte më parë).
Megjithatë, kemi shoqëri që nuk kanë detyrime, ose janë në marrëveshje për pagesat me këste, duke shlyer edhe detyrimet e prapambetura si UK Tiranë, UK Berat, UK Lezhë, UK Korçë dhe UK Pogradec. Sikurse kemi shoqëri që mundohen të mos krijojnë detyrime të reja, pra paguajnë vetëm faturën korente si Ujësjellës-Kanalizime Fier, Elbasan dhe Sarandë.
Disa shoqëri e paguajnë pjesërisht faturën si UK Durrës, 34% të faturës, UK Lushnjë, 58%, UK Shkodër, 59% apo dhe UK Vlorë, 64%. Ndërsa, mund të themi, kemi shoqëri në pikë kritike, të cilat nuk kanë asnjë mundësi pagese, si UK Cërrik, Patos, Kavajë, Kurbin, Selenicë, Tepelenë, Libohovë etj.
Çdo vit, nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve janë shpërndarë fonde për të mbuluar detyrimet që ato kanë kundrejt FSHU, por gjatë këtij viti, nuk janë akorduar.
Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU SH.A) ndjek të gjitha veprimet ligjore dhe rregullatore për mbledhjen e detyrimeve, ku në shumë raste, Arkëtimet ndiqen edhe me bllokime në Thesar, në rast të fondeve të alokuara nga buxheti, ose me anë të përmbarimit.
Si ka qenë ecuria e investimeve vitin e kaluar, por edhe këtë vit, duke pasur parasysh që, për shkak të gjendjes së emergjencës, ato kanë qenë të kufizuara vetëm në të domosdoshme?
Edhe pse në vështirësi, nuk kemi lënë pas dore investimet, me aq mundësi në dispozicion, për shkak të krizës globale të energjisë.
Sapo kemi përfunduar investime me rëndësi në rajonet Fier, Vorë, Korçë, Durrës, Lushnjë, etj., dhe presim të nisim zbatimin e dy projekteve madhore, siç janë ndërtimi i n/stacionit të ri në Kamzë, bashkë me rrjetin elektrik, kabina, etj., si dhe zhvendosja i n/st qendër të Tiranës, projektuar për t’u ndërtuar në nëntokë, të gjitha bashkë me financim të huaj.
Konkretisht, në vitin 2021, OSHEE Group realizoi 5.5 miliardë lekë investime të reja, bazuar mbi kontrata të lidhura nga dhjetori i 2020 e deri më 31 dhjetor 2021. Është tashmë e ditur se, prej fundit të vitit 2021 e deri në 6-mujorin e parë të 2022, ka pasur stanjacion të investimeve, për shkak të krizës energjetike në vend dhe në rajon.
Si rrjedhojë e krizës, shumica e investimeve që janë në proces realizimi në vitin 2022 janë të prejardhura nga kontratat e lidhura gjatë periudhës Janar – Tetor 2021, dhe kapin vlerën 5.2 miliardë lekë, ku 80% e kësaj vlere është realizuar tashmë dhe 20% e saj pritet të realizohet deri në fund të vitit 2022.
Duke e përmbledhur, në dy vitet e fundit 2021 – 2022, OSHEE Group Sh.A ka realizuar 10,6 miliardë lekë investime të reja në infrastrukturën e shpërndarjes së energjisë elektrike, ku përfshihen Linja TL, TM, TU, Rikonstruksione dhe Ndërtime Nënstacionesh të reja, si dhe investime në matje.
Si paraqiten treguesit për vitin 2022 dhe objektivat deri në fund të periudhës?
OSHEE Group ka vijuar zbatimin e detyrave për realizimin e objektivave bazë, që janë duke nisur nga furnizimi me energji elektrike pa asnjë ndërprerje, rritja e cilësisë së shërbimit në furnizim, ulja e nivelit të humbjeve, shoqëruar me rritjen e arkëtimeve, duke mos lënë mënjanë investimet e nisura në objekte me rëndësi në zona të caktuara të vendit.
Konkretisht, nëse analizojmë të dhënat e 8-mujorit 2022, kemi rritje të të Ardhurave në masën 17.53%, duke arritur në 57.9 miliardë lekë, ose 8.6 miliardë më tepër se viti 2021. Theksoj se norma e Arkëtimit (ndaj faturës pararendëse) është në nivelin 96%, nga 75% që ishte në vitin 2013, para fillimit të reformës.
Sa u takon detyrimeve, faturat e papaguara, ose borxhi i keq i gjetur deri në 2014-n, kur nisi reforma, sot ka zbritur në 39 miliardë lekë, nga 67.8 miliardë që ishte në fund të vitit 2014, pra është reduktuar me 42.10%, dhe ky rezultat ka ardhur si pasojë e ndjekjes së debitorëve nëpërmjet proceseve të vazhdueshme dhe riaktivizimit të akt-marrëveshjeve.
Ankesat për cilësi faturimi, tjetër tregues i punës së vazhdueshme në terren dhe verifikimit në objekt, paraqiten në rënie. Në raport me 8-mujorin e vitit të kaluar, sot numri i ankesave për keqfaturim është rreth 22% më i ulët dhe ky tregues zë 0.2% peshë në totalin e faturave të emetuara.
Të gjitha sa më lartë vijnë falë punës së bërë me reduktimin e nivelit të humbjeve. Muaji gusht 2022 regjistroi nivelin më të ulët historik të humbjeve në rang vendi: 16.81%. Për të kuptuar punën dhe mundin që është dashur, mjafton të rikujtojmë sa ishte niveli i tyre para nisjes së reformës: plot 45%.
Sot, në total, për të gjithë periudhën, kemi nivel humbjesh afër 20%, me synim për ta reduktuar më tej, nga 45,07% që ishin. Më pak humbje në rrjet, më shumë eficiencë në financat e shoqërisë, por edhe të buxhetit të shtetit, pasi më parë financohej për mbulimin e tyre rreth 100 milionë euro. Vetëm për 8-mujorin, i kemi reduktuar humbjet me afro 50 mijë MWh, që nëse do t’i konvertojmë me çmim mesatar tregu, janë rreth 20 milionë euro kursime.
Treguesit e performancës së grupit janë rrjedhojë e aktivitetit dinamik, kryesisht në terren. Janë realizuar rreth +240 mijë inspektime, ndërprerje të energjisë për debitor, verifikime në sistem matje, etj., dhe nëse do përfshinim inspektimet gjatë procesit të leximit/faturimit kemi në total 461,575 veprime në terren, të cilat realizohen nga sistemet e IT dhe rreth 250 ekipet në rang vendi.
Si paraqitet gjendja e detyrimeve të prapambetura që kompanitë e tjera publike të energjisë kanë ndaj jush?
Ka përmirësim në shlyerjen e detyrimeve të institucioneve buxhetore, ndërsa shlyerja e detyrimeve nga shoqëritë me kapital shtetëror (kryesisht Ujësjellës) është ende problematike.
Detyrimi i mbetur i institucioneve buxhetore për energjinë elektrike të faturuar në fund të muajit Gusht 2022 ishte 3.7 miliardë lekë (pa kamatëvonesa).
Detyrimi i mbetur i shoqërive publike me kapital shtetëror për energjinë elektrike të faturuar në fund të muajit Gusht 2022 ishte 20.5 miliardë lekë (pa kamatëvonesa).
Në kushtet e një tregu dinamik, siç është energjia, cili është apo do të jetë fokusi i shoqërisë OSHEE Group?
Në këto kushte, për vitin 2022 dhe në vazhdim, analiza e faktorëve me ndikim direkt në reduktimin e mëtejshëm të Humbjeve në rrjet tregon se rolin kryesor tashmë pritet ta luajnë investimet në Rrjetin e Shpërndarjes dhe ato kryesisht në Sisteme Matje Inteligjente, pasi faktorët e tjerë të lidhur me reformat dhe masat tekniko-organizative kanë arritur maturinë dhe nuk do të ishin të mjaftueshme.
Duke pasur parasysh edhe problemet sociale, me të cilat Shqipëria po përballet për shumë dekada, vlen të përmendet që shtrirja në shkallë të gjerë e Sistemeve Matëse Inteligjente do të ndihmonte në reduktimin e abuzimit me përdorimin e energjisë elektrike.
Në të njëjtën kohë, investimet në Smart Meter do të ndihmonin OSSH/OSHEE Grup SH.A, për t’u përballur me sfidat e së ardhmes, lidhur me sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm dhe cilësor me Energji Elektrike ndaj përdorueseve të rrjetit.
Strategjia për arritjen e objektivave dhe për t’iu përgjigjur më mirë zhvillimeve në sektorin e energjisë, parashikon si hap të parë mbulimin me Smart Meter (Matës Inteligjentë) të rrjetit Core (të pikave transformuese nga Tensioni i Mesëm në Tension të Ulët).
Transparenca me konsumatorin është një tjetër fokus i punës sonë. Përveç reduktimit të Humbjeve në rrjet, përmirësime të tjera kryesore që investimet në Sisteme Matjeje Inteligjente do të sjellin janë:
- ulja e kostove operacionale, lidhur me aktivitetin e leximit për pjesën e matësve në pikat e transformimit TM/TU
- përftimin e të dhënave të sakta lidhur me Bilancin Energjetik dhe përllogaritjen e Humbjeve për rrjetin TM dhe TU, si dhe të treguesve të cilësisë SAIDI, SAIFI.
- zgjerimin e bazës së të dhënave për planifikimin e investimeve dhe mirëmbajtjes
- kontribuon në krijimin e kushteve për një liberalizimin të mëtejshëm të tregut, pasi i paraprin shtrirjes së sistemeve inteligjente të matjes deri te klienti fundor.
Të gjitha këto detyra ndiqen, duke pasur parasysh rekomandimet nga projektet e konsulencës, siç është projekti i financuar nga Banka Botërore mbi Asistencën Teknike për MIE, OSHEE dhe OST për zhvillimin e “Strategjisë së Matjes dhe Politikat Standarde për Sektorin Energjetik Shqiptar”, si dhe Projekti me KfW, lidhur me “Master Planin për Planet e Investimit dhe Zhvillimit të Rrjetit të Shpërndarjes”, pjesa mbi Koncept Dizajn/Projektin të Sistemit të Avancuar të Matjes (AMI conceptual design) zhvilluar nga konsulenti VPC GmbH.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Komente