Shtrenjtimet e lëndëve të para për disa sektorë dhe shtimi i kostove nga rritja e pagave të punëtorëve do të sjellin rritje të çmimeve.
Shoqata e Bareve dhe Restoranteve paralajmëron se nga muaji mars do të ketë rritje të fortë të çmimeve nga i gjithë sektori, për shkak të kostove të larta nga shtrenjtimi i çmimeve të importit të kafesë apo çajeve.
“Deri tani, çmimet e kafesë në bare janë rritur tek-tuk 10 deri në 20 lekë. Nga marsi parashikohet të ketë rritje të fortë të çmimeve. Importuesit e kafesë, çajeve apo produkteve të tjera kanë paralajmëruar rritje të çmimeve 7-8% më shumë se vjet. Nga ana tjetër është edhe kostoja e lartë e pagave të punonjësve.
Rritja e pagave për shkak të mungesës së fuqisë punëtore është shumë e fortë. Krahasuar me vjet në sektorin e bareve dhe restoranteve nuk ka më paga të kamerierëve nën 50,000 lekë dhe të pastrueseve nën 40,000 lekë.
E gjitha kjo kosto do të amortizohet të çmimet. Edhe vlera e investimeve për rinovim baresh apo blerje të tyre është rritur 30 deri 40% më shumë, për shkak të shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit”, nënvizuan përfaqësues të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve.
Rritje parashikohet të ketë edhe për mobiliet. Dritan Cacaj nga “Trin Mobilieri” thotë se mungesa e fuqisë punëtore do të rrisë kostot për prodhuesit vendas të mobilieve më shumë se shtrenjtimi i lëndëve të para. Shtimi i kostove nga mungesa e fuqisë punëtore pritet të sjellë rritje të çmimeve deri në 15% më shumë se vitin e kaluar.
Bizneseve u largohen punëtorët nga Bangladeshi, kërkojnë hartimin e një plani kombëtar
Largimet nga vendi nuk po reduktojnë vetëm konsumin, por edhe numrin e punëtorëve të kualifikuar. Kriza e mungesës së punëtorëve po ndihet në të gjitha sektorët e ekonomisë, duke u kthyer në një nga problematikat më të mprehta të bizneseve.
Që nga prodhuesit e bukës, përpunuesit e mishit, mobilieve, bare-restoranteve dhe deri te mungesa e shoferëve të kamionëve në transport problematika po thellohet, duke u përkthyer në rritje të larta të kostove dhe rënie rendimenti, pasi të larguarit po zëvendësohen me punonjës të pakualifikuar.
Përveç vështirësive për gjetjen e punonjësve, bizneset po përballen edhe me fenomenin e largimit të punonjësve aziatikë, kryesisht atyre nga Bangladeshi që e përdorin Shqipërinë si trampolinë për të emigruar drejt Europës.
“Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, përpara disa muajsh punësuam 6 punonjës nga Bangladeshi me përvojë në përpunimin e drurit, të cilët pas 3 muajsh punë u larguan nga vendi i punës, pa njoftuar.
Kjo është kosto për biznesin, duke përfshirë edhe rritjet e shpeshta të pagave që ju bëjmë punonjësve aktualë”, tha për “Monitor”, drejtuesi i fabrikës së përpunimit të drurit “FPM Tutto Mobili”, z. Ilir Linza.
Dritan Cacaj, drejtuesi i mobilierisë “Trin Mobilieri”, thotë se që prej shtatorit të 2022, sektori vuan mungesën e fuqisë punëtore. Për këtë arsye i është drejtuar një agjencie punësimesh për marrjen e 10 punonjësve nga Egjipti, me përvojë të ngjashme në vendin e tyre në përpunimin e drurit.
Përballë rrezikut për largimin e punonjësve, siç po ndodh me disa biznese të tjera, z. Cacaj e konsideron marrjen e punonjësve nga Egjipti një fazë eksperimentale, pasi nuk mbetet rrugëzgjidhje tjetër për gjetjen e burimeve njerëzore.
“Prej kohësh në vend po ndihet mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, të profesionistëve. Shumë prej punonjësve të kualifikuar janë larguar në emigracion, apo kanë ngritur vetë punishte, por edhe ata janë në kërkim të punonjësve.
Janë të rinj të grupmoshave 25 deri 35 vjeç që po largohen nga Shqipëria. Kjo është arsyeja që jemi detyruar të kërkojmë punonjës nga jashtë”.
Sipas përllogaritjeve të bizneseve, kostoja e punësimit të punëtorëve egjiptianë llogaritet deri në 1,000 USD, 50% e vlerës shkon për siguracionet shtesë së jetës, fjetja dhe ushqimi, ndërsa pjesa e mbetur është paga mujore.
Shoqata e Bareve dhe Restoranteve deklarojnë se ju mungojnë 15,000 punonjës, ku arsyeja kryesore e vendeve të lira mbetet emigracioni i të rinjve. Para krizës së pandemisë në 2019, sipas të dhënave të INSTAT, numri i të punësuarve në këto struktura arrinte 45,000 punonjës. Për zgjidhjen e kësaj problematike, prej 3 muajsh bizneset po kërkojnë punonjës nga Filipinet./Monitor