Ditën e djeshme mazhoranca dhe opozita ranë në një mendje për të rritur pagat e deputetëve, ministrave, kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit, në mënyrë të ndjeshme, për të mos thënë duke i dyfishuar.
Në një prononcim, për FaxNews, qytetarët shprehen se një rritje e tillë duhet të shoqërohej me një rritje dhe në sektorë të tjerë më jetikë të vendit.
“Për punën që bëjnë nuk e meritojnë, se bëjnë shumë pak për popullin, administratat që janë, janë krejt të paaftë. Me rritjen e pagave do rriten edhe çmimet 7 mijë lekë ishte kilja e bamjes. E përballojmë me vështirësi duke iu rënë në qafë fëmijëve”, shprehet një i moshuar.
Një tjetër shprehet: Sistemi është i tillë, që ka një diferencë shumë të madhe mes politikanëve dhe qytetarëve. Unë jam pensionist, këtë vit nuk më bënë as indeksimin. Unë kam qenë një mjek, dhe marr 200 apo 300 mijë lekë pensionin. Kjo rritje e pagave stonon me kushtet që ka Shqipëria. Njëri shkon dhe punon 12 orë dhe merr 400 mijë lekë pagë, ndërkohë që presidenti merr 4 milionë lekë. Ne kemi ardhur nga një vend shumë i varfër.
‘Deputetët kanë shtëpi kudo, nuk e kanë mendjen tge populli fare, unë marr 170 mijë lekë pension, o burri i dheut, dhe i harxhova me drita, ujë, bukë. I them Veliut që të shohë ujin e pijshëm”.
“Ky që marrim ne nuk është pension, kemi punuar aq shumë vite si mësuese dhe nuk marr asgjë”.