Shërbimi i Sigurisë i Suedisë tha se hetimet në tubacionet Rrjedha Veriore 1 dhe 2, që sjellin gaz nga Rusia në Evropë, kanë forcuar dyshimet për një “sabotim të madh” që përfshin shpërthime.
Autoritetet suedeze dhe daneze kanë hetuar katër rrjedhje nga gazsjellësit në Suedi dhe Danimarkë në Detin Baltik, qëkur ato u zbuluan javën e kaluar.
Evropa, e cila po përballet me krizë energjetike pas pushtimit rus të Ukrainës, po heton se çfarë shkaktoi rrjedhjet, teksa Moska po tenton që t’ia lë fajin Perëndimit, duke sugjeruar se Shtetet e Bashkuara përfitojnë nga kjo situatë.
Uashingtoni mohon çdo përfshirje dhe tha javën e kaluar se nuk ishte në gjendje të inspektonte pjesën e dëmtuar të tubacionit për shkak të kufizimeve të vendosura nga autoritetet në Danimarkë dhe Suedi, që kanë bllokuar zonën ku janë ndodhur rrjedhjet.
“Pasi ka përfunduar hetimi në vendin e ngjarjes, Shërbimi i Sigurisë së Suedisë erdhi në përfundim se ka pasur shpërthime në Rrjedhën Veriore 1 dhe 2 në zonën ekonomike suedeze”, tha ky shërbim përmes një deklarate.
Shërbimi i Sigurisë së Suedisë tha se ka dëme të mëdha në gazsjellësin dhe se kanë arritur të marrin material nga vendi i ngjarjes, i cili tani do të analizohet. Të dhënat “kanë forcuar dyshimin e një sabotimi të madh”, thanë nga ky shërbim.
Prokuroria e Suedisë tha përmes një deklarate se zona ku gazi ka rrjedhur për një javë, nuk është më e bllokuar për qarkullim.
Rusia tha të enjten se është informuar përmes kanaleve zyrtare se nuk mund të bëhet pjesë e hetimit.
“Deri më tani, nuk ka plane që t’i kërkohet Rusisë që t’i bashkohet hetimeve”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se pa pjesëmarrjen e Moskës nuk mund të kryhet një hetim objektiv.
Të hënë, prokurorët bllokuan zonën ku ndodhën rrjedhjet në mënyrë që të kryejë hetimi nga Rojet Bregdetare dhe Marina. Bashkimi Evropian dhe NATO kanë thënë se katër rrjedhjet janë sabotim.
Moska kishte ulur furnizimet me gaz për në Evropë përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1. Ndërkaq, në gusht ndërpreu të gjitha furnizimet nga ky tubacion, duke thënë se sanksionet perëndimore kanë shkaktuar probleme teknike.
Gazsjellësi Rrjedha Veriore 2 është i kompletuar, por Gjermania hoqi dorë nga plani për ta funksionalizuar këtë tubacion, pak ditë para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Megjithatë, të dy këta gazsjellës kanë gaz nën presion./REL