Pas ngjarjes mizore të regjistruar në qytetin e Durrësit, ku një drejtues automjeti i kaloi sipër një qeni, ka ardhur dhe reagimi zyrtar i policisë.
Në pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë, dallohet qartë mjeti dhe targa, duke e bërë të lehtë identifikimin e autorit. Policia njofton se ai është shtetasi R.SH., 39 vjeç, banues në Tiranë dhe tashmë është shpallur në kërkim.
Në video duket kafsha e gjorë që vjen vërdallë nga dhimbjet që i ka shkaktuar shoferi pasi i kaloi përsipër me makinë dhe u largua nga vendngjarja. Ngjarja e shëmtuar është kritikuar gjerësisht në rrjet dhe shumë njerëz kanë reaguar pas pamjeve të dhimbshme.
Njoftimi zyrtar i policisë:
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale ku shihet që një mjet ka shtypur qëllimisht një kafshë (qen), dhe është larguar, ju informojmë se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, pas verifikimeve të bëra bënë identifikimin dhe shpalljen në kërkim për veprën penale “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”, sipas Nenit 207, të K. P., për shtetasin R. Sh., 39 vjeç, banues në Tiranë, pasi në lagjen nr.1, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka shtypur qëllimisht një kafshë (qen), dhe është larguar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Durrësit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në numrin pa pagesë 112 ose Komisariatin Dixhital, duke ju siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm.