Rruga e Kombit vlerësohet si një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore shqiptare, por dhe me një kosto të lartë.Edhe pse u bë urë lidhje jo vetëm me Kosovën por edhe më shtete të tjera europiane, nuk solli po kaq mirësi për rreth 50 familje të të fshatit Blinisht të Mirditës. Ndërtimi i saj në vitin 2018 shkaktoi rrëshqitje të mëdha të tokës dhe prej marsit të po këtij viti asgjë nuk është bërë për keta banorë, nuk janë dëmshpërblyer.Fiksi takoi nga afër banorët të cilët ankohen se në 2018 kjo zonë pati rrëshqitjen më të madhe të tokës ku shumica e shtëpive të fshatit u dëmtuan, kurse 50 familjeve dheu u mbuloi shtëpitë por edhe tokën bujqësore. “Nga qeveria e asaj kohë nuk është dhënë asnjë lekë si ndihmë emergjente” shprehen banorët. Ata kanë takuar dhe kanë shprehur shqetësimet e tyre tek të gjithë drejtorët e ARRSH-së dhe ministrat e Ministrisë së Infrastrukturës, por prej tre vitesh ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje. ” As me bonus qiraje nuk jemi trajtuar” pohojnë banorët. Shteti pavarësisht se e ka pranuar që kjo rrëshqitje ka ndodhur për arsye të punimeve në rrugën e Kombit , nuk i ka dëmshpërblyer. ARRSH-ja në 2020 ka marrë vendimin për dëmshpërblimin e pronarëve të dëmtuar, pasi ka bërë vlerësimin e dëmeve, por nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u është premtuar banorëve se kjo gjë mund të bëhet vetëm me V.K.M. Madje ky vendim është pasqyruar dhe në fletoren zyrtare e publikuar në 19 nëntor 2020 ku kjo ministri ka bërë kërkesën “Për shpronësim publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme prone private që preken nga problematika e shkaktuar nga rrëshqitja e në segmentin “Milot -Morinë””. Fiksi u interesua edhe në Prefekturën Lezhë, ku prefekti Gjokë Jaku u shpreh se ishte nga të parët që kishte ngritur problemin e banorëve të Blinishtit, madje ai kishte ngritur një grup pune për studimin e thelluar gjeologjik të zonës. Ky studim e ka nxjerrë zonën e pabanueshme dhe Bashkia Mirditë është kujdesur në plotësimin e dosjes për ta depozituar më pas në ARRSH. “Kjo ka qenë e njohur për qeverinë, por për mungesë fondesh nuk janë trajtuar. Unë nga dita e sotme do të nis një praktikë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Këshillin e Ministrave, në mënyrë që të planifikohen fondet për dëmshpërblimin” thekson për Fiksin prefekti edhe pse kanë kaluar tre vite e gjysëm nga njohja me problematikën.Sipas një dokumenti që njëri nga banorët i vuri në dispozicion Fiksit , nga komunimiki i tij me anë të e-mailit me Komisionin e Posaçëm të Shpronësimeve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë ndër te tjera e sqaron se” Drejtoria e Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar te MIE ka konfirmuar se vlera e shpronësimit të projektit do të përballohet nga buxheti i vitit 2021 miratuar për zërin “Shpronësime” për programin buxhetor “Transport Rrugor dhe do të bëhet alokimi i fondeve në zërin përkatës të buxhetit. Me alokimin e fondeve në zërin përkatës të buxhetit , projektvendimi së bashku me relacioni përkatës do të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave.”Pas interesimit të Fiksit më në fund institucionet u vunë në lëvizje duke iu dhënë një përgjigje banorëve dhe brenda vitit edhe zgjidhje përfundimtare.
/Burime:TCH/