Rruga e vjetër Lezhë-Shkodër është jo vetëm tejet e amortizuar dhe e lënë në harresë, por tashmë është kthyer edhe në një kurth vdekjeprurës për drejtuesit e mjeteve që kalojnë aty.
Kjo rrugë është më e rrezikshme sidomos kur ka reshje shiu ose erë të fortë, pasi nga shpatet anësore të malit që bie thikë mbi rrugën automobilistike, rrokullisen copa të mëdha shkëmbinjsh që janë vdekjeprurëse.
Rrëshqitja e gurëve në zonën e Torovicës po kthehet në një problem serioz edhe për jetën e banorëve që kanë shtëpitë aty në anë të rrugës, në një kohë që për automjetet mund të jetë fatale rënia e gurëve.
Tri ditë më parë, disa gurë rrëshqitën duke rënë në oborrin e shtëpisë së Ndrek Kolit, duke rrezikuar jo vetëm familjen e tij, por dhe të kalimtarëve në zonën e Torovicës.
Ai u shpreh për mediat lokale se deri tani, nuk është marrë asnjë masë dhe se çdo ditë ai dhe familjarët e tij jetojnë me frikën nga ndonjë rrëshqitje masive gurësh.
Por ka edhe shumë banorë të tjerë të kësaj zone të harruar, që shprehen se nuk duan që të krijohen lapidare të tjerë në këtë zonë. Ata u kanë bërë shpesh apel organeve të pushtetit lokal, që kjo situatë të marrë zgjidhje sa më shpejt.
Por as bashkia e Lezhës dhe as ajo e Shkodrës duket se nuk e kanë në plan marrjen e masave, madje edhe ARRSH-ja duket se këtë segment rrugor e ka nxjerrë nga hartat e veta, duke e lënë që të degradojë dhe të kthehet në një shteg vdekjeje.
Rrëshqitja e këtyre gurëve tre vite më parë, mori 3 jetë njerëzish, ku një copë shkëmb që u shkëput nga mali rra dhe shtypi një autoveturë 4×4 ku udhëtonin 3 persona.
Por që nga ajo kohë, situata vijon të jetë e njëjtë, pa marrë asnjë masë për parandalimin e problemit.
/Priza.al/