Rrugaçët e linjave urbane kërcënojnë median e lirë/ ‘Priza.al’ u drejtohet me letër të hapur përfaqësive diplomatike dhe institucioneve të shtetit    

Një prej mediave më të reja në Shqipëri, portali “Priza.al” është vënë këto ditë nën presionin, kërcënimet dhe sulmet verbale nga një bandë bashipozukësh dhe rrugeçërish të cilët pretendojnë se janë cenuar dhe penguar në ushtrimin e një aktiviteti biznesi me probleme.

Sulmet ndaj “Priza.al” kanë ardhur nga dy persona Resmi dhe Miri Nika, të cilët lajmet tona investigative për transportin urban të udhëtarëve në kryeqytet i kanë kthyer në çështje personale, ndaj për pasojë nuk kanë kursyer asnjë lloj mënyre për të shantazhuar deri te familjarët e stafit të gazetarëve dhe botuesit të kësaj medie.

Nisur nga situata e cila është bërë tejet problematike, “Priza.al” dhe stafi i saj ndjehet i kërcënuar për të zhvilluar lirisht aktivitetin e tij, atë të informimit të publikut, ndaj u është drejtuar në mënyrë zyrtare me kallëzim në Policinë e Shtetit dhe në Prokurori, në lidhje me precedentin.

Por për të çuar zërin tonë edhe më tej, sot “Priza.al” u është drejtuar me anë të një letre të hapur institucioneve më të larta ligjzbatuese të shtetit tonë, si dhe përfaqësive kryesore diplomatike në Shqipëri, që deri më sot kanë qenë garantë dhe mbrojtëse të medias së lirë.

Më poshtë ju ftojmë që të lexoni letrën e hapur me të cilën stafi i “Priza.al” ka bërë publike rastin:

 

LETËR E HAPUR

 

Drejtuar: Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit

                 Drejtorisë vendore të Policisë, Tiranë

                 Prokurorisë së Përgjithshme

                 Prokurorisë Tiranë

                 Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë

                 Ambasadës së Britanisë së Madhe në Tiranë

                 Ambasadës së BE-së në Tiranë

 

Ne, gazeta “Priza.al” jemi një media e re elektronike që prej pak muajsh i jemi futur garës së egër të mediave shqiptare, me misionin e vetëm përçimin e fjalës së lirë dhe lajmit të paanshëm dhe të pandikuar tek publiku.

Jemi një grup gazetarësh dhe miqsh mbi të gjitha që zgjodhëm të hapnim këtë projekt të ri, duke qenë se shumë kolegët tanë kanë tashmë dhe drejtojnë media të tilla.

Shumë shpejt falë profesionalizmit tonë dhe vullnetit për të bërë një media të lirë dhe në krah të qytetarit shqiptar, ne zumë vendin tonë në hapësirën e madhe të mbushur me media elektronike dhe portale në vend.

Ne nuk pretendojmë se jemi më të mirët dhe as të parët në morinë e portaleve, pasi kemi vetëm pak muaj në treg. Por ne pretendojmë me të drejtë se duke ruajtur paanshmërinë tonë kemi mundur të bëjmë për vete mijëra lexues dhe vizitorë, që tashmë janë aleati ynë më i ngushtë, dhe bashkëpunëtorët tanë më të mirë në mbarë vendin dhe jashtë tij.

Këtë e kanë treguar lajmet dhe raportimet e tyre që kanë sjellë ekskluzivisht për “Priza.al”, duke na bërë krenar dhe duke na treguar se nëse do të jemi gjithmonë korrekt dhe të paanshëm do të ngjitemi shumë lart.

Kjo na ka motivuar gjithmonë dhe kjo na ka bërë që të mos kemi frikë dhe asnjë hezitim që të botojmë edhe materiale që shumë portale dhe media deri sot kanë refuzuar që t’i botojnë duke fshehur një pjesë të së vërtetës.

Por kjo na ka shkaktuar dhe jo pak probleme në mbarëvajtjen e punës tonë të përditshme, edhe pse duhet thënë deri tani kemi ditur t’i shmangim dhe t’i përballojmë.

Por duam të informojmë publikun shqiptar, lexuesit tanë të shumtë që shtohen dita-ditës, si dhe gjithë institucionet ligj-zbatuese të Shtetit Shqiptar, si dhe ato të vendeve partnere dhe Komunitetit Ndërkombëtar, se në ditët e fundit na është bërë tepër e vështirë ushtrimi i detyrës tonë dhe i misionit që kemi marrë përsipër.

Kjo, për faktin se pas botimit prej pak kohësh të një serie lajmesh mbi aktivitetin e linjave të Urbanëve në kryeqytet, ku kemi denoncuar me prova dhe fakte gjithë problematikën, është derdhur mbi ne gjithë urrejtja, mllefi, inati dhe zemërata e personave të cenuar nga kjo e vërtetë.

Nuk do ta shkruanim për ju këtë letër nëse e gjithë kjo do të ishte vetëm kaq. Por ditët e fundit kemi konstatuar sulme të shumta të drejtëpërdrejta verbale dhe kërcënime që kanë shkuar deri te aktiviteti ynë dhe jeta e punonjësve tanë, vetëm sepse kemi guxuar që të themi emra individësh dhe kompanish, që prej vitesh e kanë kthyer transportin urban në Tiranë, në një shembull se si ai nuk duhet të ishte.

Për të qenë më konkret për ato që po themi, më poshtë me pika po ju tregojmë se si ka nisur gjithë kjo situatë, e cila së fundi është bërë tepër shqetësuese për ne.

Si nisi historia…

1 – Vetëm disa ditë më parë “Priza.al” botoi një lajm me foto dhe dëshmi ekskluzive nga një skandal që kishte ndodhur në Tiranë me një nga shoferët e autobusëve të linjës së Unazës.

Ne publikuam me foto dhe dëshmi ekskluzive incidentin që i ndodhi shoferit Enver Dishani, i cili u dhunua prej një grupi “të fortësh” me në krye Resmi Nikën, i cili, është një biznesmen që drejton një prej linjave urbane në kryeqytet, atë Tiranë-Vorë, si dhe bashkëpunëtor me pronarin e kompanisë ‘Ferlut’, Ferdinand Ibrahimi, i cili ka në pronësi të tij kompaninë dhe linjën e Unazës.

Për këtë skandal që përfundoi me dhunë fizike dhe me dërgimin e shoferit Enver Dishani në spital, ku autor i rrahjes së tij ishte pikërisht Resmi Nika dhe disa persona të tjerë të afërt me të, “Priza.al” vuri në dijeni edhe Policinë e Tiranës, e cila deri në atë moment nuk ishte në dijeni për atë ngjarje.

Por vetëm disa ditë pasi kemi publikuar skandale të ndryshme për linjat e transportit urban në Tiranë, të cilat janë zhytur jo vetëm në pisllëk dhe abuzime financiare, por edhe janë kthyer në “çerdhe” gangsterësh, në redaksinë tonë kanë ardhur mesazhet e para kërcënuese dhe shantazhuese.

“Çuditërisht” kjo ndodhi pasi Ferdinant Ibrahimit, të “Ferlut”, i hoqën zyrtarisht monopolin e linjës së Unazës, në një kohë që ky person është strumbullari i rritjes së çmimit të biletave të urbanëve në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë.

Menjëherë pas kësaj, redaksia jonë e “Priza.al”, është vënën nën breshërinë e sulmeve rrugaçërore dhe shantazheve të tipit mafioz.

 

2 – I pari që prej disa ditësh na ka “bllokuar” telefonin e redaksisë me telefonata pa fund, është Resmi Nika, i cili tashmë prej disa ditësh ka telefonuar duke shantazhuar stafin e redaksisë, por dhe duke kërkuar takim me botuesin.

Nika ka kërkuar ndër të tjera nga “Priza.al” që të hiqen menjëherë dhe të fshihen nga të gjitha profilet tona në rrjetet sociale, të gjitha shkrimet e bëra për linjat e Unazës, për Ferdinand Ibrahimin dhe Fatos Vrapin (pronar të linjës “Tirana e re”), si dhe ato që treguan për skandalin e rrahjes së shoferit Enver Dishani.

Në komunikimin me personin e informacionit të “Priza.al”, me një gjuhë aspak të përshtatshme për komunikim, Resmi Nika, ka kërkuar me ultimatum heqjen e shkrimeve pasi në të kundërt: “…ne do ta shikonim!”.

“Hiqini ato që keni shkruar dhe mos bëni më gjera në emrin tim, se do ta keni punën keq pastaj…!!”,- ishte një ndër “rekomandimet” që morëm prerazi nga Resmi Nika, në numrin e redaksisë tonë.

 

3 – Telefonatat që nisën që ditën e shtunë në orën 12:03 të mesditës, kanë qenë pa pushim edhe gjatë këtyre ditëve në vijim. Informacioni i’u përgjigj telefonatës që nga ana tjetër u prezantua si Resmi Nika, pronar i linjës së Urbanëve “Tiranë-Vorë”, me pretendimin se ne të “Priza.al” po i binim “më qafë”.

“Mos bëni provë që të bëni më asnjë shkrim për çështjen e autobusëve Urbanë!”,- ishte një prej urdhrave të Resmi Nikës, dhënë për redaksinë tonë.

Ndërkohë, në profilet tona të rrjeteve sociale, një grup personash anonim por që kanë si drejtues vëllanë e Resmi Nikës, Miri Nika, janë angazhuar që të mbushin me komente dhe mesazhe fyese dhe kërcënuese deri me cenim të jetës, për stafin e “Priza.al”, duke premtuar hakmarrje për atë që i kemi shkaktuar kompanisë së tyre.

Mesazhet e ardhura në të gjitha profilet tona sociale nga këta individë dhe miq të tyre, të porositur për të shantazhuar dhe kërcënuar në të gjitha format, nisin që nga sharjet dhe fyerjet më ordinere dhe të denja për halabakërinë e rrugëve, deri tek shantazhet tipike mafioze, për cenim të jetës dhe misionit tonë si redaksi.

Mesazhet fyese dhe kërcënuese të këtyre personave nuk kanë kursyer as botuesin e “Priza.al” dhe familjen e tij. Këta persona kanë kërcënuar, shantazhuar, fyer dhe ofenduar me fjalor rruge botuesin në rrjetet sociale private por edhe bashkëshorten e botuesit tonë në profilet e saj sociale personale.

 

4 – “Priza.al” në fakt nuk është marrë shumë me linjën Tiranë-Vorë, e cila përveç skandaleve të herë pas hershme, është kthyer edhe ajo në një gangrenë për udhëtarët e shumtë. Megjithatë kjo nuk i ka ndalur personat që e kanë atë në pronësi që të bëjnë të gjithë përpjekjet për të gjetur se ku janë zyrat e redaksisë së “Priza.al”, cilët janë botuesi, kryeredaktori dhe anëtarët e tjerë të stafit, me qëllim shantazhin dhe kërcënimin e drejtëpërdrejtë.

 

Sqarim

“Priza.al” nuk ka ardhur në këtë treg mediatik të ashpër për të përfituar sa më shumë para dhe reklama, apo përfitime politike, por përkundrazi për t’u bërë opozitë mediatike si qeverisë, ashtu dhe çdo subjekti privat apo shtetëror, që mendon se në këtë vend tashmë është bërë “deti kos” dhe o burra të marrim “lugën”…

“Priza.al” është marrë gjatë këtyre muajve të aktivitetit të saj në median e lirë edhe me probleme më të mprehta se sa kaq dhe e ka thënë me guxim dhe pa asnjë lloj frike të vërtetën siç ka qenë.

Kemi pasur përballë persona shumë herë më të fortë dhe me shumë më shumë para, se sa disa pronarë linjash urbane dhe as nuk jemi trembur apo joshur nga ato që na janë ofruar.

“Priza.al” u bën thirrje organeve të Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të Tiranës, Bashkisë së Tiranës dhe të gjitha institucioneve shtetërore, që të merren me këta individë, që jo vetëm e kanë kthyer transportin publik në fole banditësh dhe hajdutësh, por të marrë në mbrojtje median e lirë dhe të hetoj për këtë rast!

“Priza.al” i kërkon dhe bën apel edhe Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, asaj të Mbretërisë së Bashkuar dhe përfaqësisë së BE-së në vendin tonë, si dhe të gjitha selive diplomatike, që të reagojnë dhe të marrin në mbrojtje jo ne, por misionin tonë dhe median e lirë.

Ne do të vijojmë me misionin tonë dhe i mirëpresim të gjithë ata që kanë mendim të kundërt nga ne, ndaj kërkojmë gjithmonë ballafaqime faktesh dhe provash. Por sot ndodhemi në një situatë të vështirë dhe nisur nga ato që po bëjnë personat që po na kërcënojnë, mendojmë se jeta dhe puna jonë po vihet në rrezik, nisur edhe nga heshtja e deri tanishme e autoriteteve shtetërore shqiptare.

 

Me respekt,

Stafi i gazetës “Priza.al”

 

 

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *