Rrugëtimi i një emigranti brenda eksperimentit ‘Rama-Meloni’ për azilkërkuesit

Kur Nizam* filmoi udhëtimin me gomonen e mbushur plot me emigrantë, ndërsa nxitonte drejt Italisë, ai besonte se ky ishte fundi i udhëtimit të tij rraskapitës për në Perëndim.

Bojaxhiu 21-vjeçar nga Bangladeshi ngriti telefonin, fiksoi në kamera fytyrën e tij dhe më pas e rrotulloi atë, për të filmuar rreth 50 emigrantë të paketuar në varkën prej gome. Në videon e shkurtër, një burrë pas tij mbulon sytë me duar ndërsa duket sikur qan, ndërsa një tjetër buzëqesh dhe i rreh shpatullat. Kuverta e varkës që çan përmes Mesdheut është vetëm pak centimetra mbi ujë.

Ditë më vonë, Nizam e postoi klipin e shkurtër në TikTok. Një zë që iu mbivendos pamjeve dëgjohet të thotë në Urdu: “Përpara, erdhi koha jonë. Mos u shqetësoni, ne do të kthehemi së bashku.”

Në shtëpi, në një fshat të vogël në rajonin e Madaripurit në Bangladesh, prindërit e Nizamit prisnin me ankth të rejat nga djali. E ëma dhe një nga tre motrat i mësuan Nizamit të lexonte, por në vend që të shkonte në shkollë, ai punoi që të ndihmonte familjen.

Në mediat sociale ai shfaqi profilin e një djali çapkën, duke postuar video me syze dielli, flokë të krehur me kujdes dhe për të plotësuar stilin e shoqëroi pamjen me motoçikleta të marra hua. Në të vërtetë, jeta e tij nuk i ngjan kësaj shfaqjeje joshëse. Me babanë e moshuar në pamundësi për të punuar, Nizam ishte shtylla e vetme e familjes.

“Familja jonë është shumë e varfër,” thotë ai. “Unë duhet të punoj.”

Të dëshpëruar, prindërit e tij mblodhën para, morën borxhe dhe shitën një copë toke për të paguar një trafikant të njohur në fshatin e tyre. Nizam u trafikua fillimisht përmes Indisë, më pas në Sri Lanka, Kuvajt dhe Egjipt. Dikur ai arriti në Libi, fillimisht në Bengazi dhe më pas në Tripoli, ku ra në duart e mafias lokale, që i bllokoi pasaportën dhe e burgosi për tre ditë. Ata e filmuan ndërsa e torturonin dhe videot ia dërguan familjes së bashku me kërkesën për haraç.

Nizam u la i lirë vetëm pasi prindërit paguan pengmarrësit.

“Një natë na dërguan buzë detit dhe na hipën në varkë”, kujton Nizam. Gomonia që u nis nga porti libian i Zuaras iu drejtua Italisë. Varka ishte e tej mbushur dhe Nizam, që nuk di not, mendoi se do të mbytej. Por kur varka iu afrua ishullit italian të Lampedusës, një nga vend zbarkimet më të mëdha në Europë për azilkërkuesit, ai shpresoi se e keqja kishte kaluar.

E kishte gabim. Më shumë se 300 emigrantë u kapën në javët e fundit të janarit nga autoritetet italiane pasi u nisën nga portet e Libisë. Nizam ishte një prej tyre. Ai u transferua në një anije që ishte ankoruar 20 milje larg Lampeduzës dhe aty iu nënshtrua kontrolleve për shëndetin, moshën dhe kombësinë.

Dyzet e nëntë prej tyre, përfshirë Nizamin, u informuan se do të dërgoheshin në kampet e emigrantëve në Shqipëri, për t’iu nënshtruar një procesi të përshpejtuar të trajtimit të kërkesave për azil sipas marrëveshjes midis Romës dhe Tiranës, e cila hyri në fuqi në fund të vitit të kaluar.

Skema është vlerësuar nga Komisioni Evropian – krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian – si një model i mundshëm për bllokun e vendeve anëtare për të kufizuar numrin e refugjatëve dhe emigrantëve që mbërrijnë në kufijtë e tyre. Por kritikët e quajnë këtë skemë çnjerëzore dhe në kundërshtim me legjislacionin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

Në Shqipëri, Nizam dhe emigrantët e tjerë kaluan një javë rraskapitëse mes dy qendrave – njëra në qytetin port të Shëngjinit dhe tjetra pranë aeroportit ushtarak në Gjadër – ndërsa plotësuan dokumentet dhe iu nënshtruan kontrolleve shëndetësore, intervistave dhe seancave gjyqësore.

Gjashtë persona, të cilët u gjetën të mitur ose që u konsideruan vulnerabël pas kontrolleve paraprake, u dërguan menjëherë për në Itali. 43 të tjerët, përfshirë Nizamin, paraqitën kërkesa për azil, të cilat u refuzuan menjëherë duke i hapur rrugë dëbimit të tyre.

Por para se të mund të ndodhte dëbimi, një gjykatë italiane ndërhyri duke vendosur – për të tretën herë – se emigrantët e nisur drejt Italisë nuk mund të mbaheshin ligjërisht në Shqipëri. Së bashku me të tjerët, Nizam u transportua më pas në një qendër pritjeje në Bari, Itali, ku tani pret rezultatin e shqyrtimit të apelimit të kërkesës së tij për azil.

Megjithatë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni është zotuar se nuk do të ndalet nga gjykatat. Të tjerë po ashtu janë të interesuar. Në shtator 2024, Meloni priti në Romë kryeministrin britanik Keir Starmer, i cili u interesua për këtë iniciativë pasi më herët kishte deklaruar se një plan i ngjashëm britanik për të dërguar emigrantët në Ruanda ishte “i vdekur dhe i varrosur”. Një muaj më vonë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ka shprehur mbështetje për qendrat e riatdhesimit jashtë BE-së, u bëri thirrje vendeve anëtare të nxjerrin “mësime nga protokolli Itali-Shqipëri”.

Kur Komisioni Evropian zbuloi më 11 mars 2025 një kornizë të re ligjore që u lejon vendeve anëtare të ndërtojnë qendra riatdhesimi jashtë bllokut të BE-së, plani i Melonit mori dukjen e një projekti të mirëmenduar dhe në kohën e duhur.

Sipas një drafti të dokumentit të konceptuar nën presionin e qeverive anti-emigracion, korniza e re do të zëvendësojë një direktivë ekzistuese të vitit 2008 për të lejuar krijimin e “qendrave të kthimit” në vende të treta që respektojnë “standardet dhe parimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”.

Megjithatë, kjo kornizë, ndryshe nga marrëveshja Shqipëri-Itali e cila parashikon procesimin në vend të tretë të kërkesave për azil, i lejon këto qendra jashtë BE-së vetëm për kërkesat e dështuara për azil.

Kritikët thonë se skema italiane thjesht po i zgjat në mënyrë të panevojshme vuajtjet e një udhëtimi traumatik për emigrantët si Nizam.

“Është një eksperiment propagandistik, që sjell vuajtje për njerëzit,” thotë Rachele Scarpa, një deputete e Partisë Demokratike Italiane në opozitë. “Të drejtat themelore të njerëzve të pafat reduktohen në minimum,” shtoi ajo.

Silvia Calderoni, një avokate që përfaqëson Nizam dhe tre emigrantë të tjerë të transferuar bashkë me të në kampet në Shqipëri, refuzoi një kërkesë për intervistë me ta, duke thënë se klientët e saj kishin nevojë për ndihmë psikologjike para se të ishin gati për të folur në publik. Ky rrëfim mbi rrugëtimin e Nizam është i bazuar në dokumente të gjykatës dhe transkripte të intervistave të tij para autoriteteve, të cilat BIRN i ka.

Betejat në gjykatë
E shpallur nga Meloni dhe homologu i saj shqiptar, Edi Rama, në vitin 2023, skema e përpunimit jashtë vendit të kërkesave për azil parashikon ndalimin e meshkujve të rritur nga të ashtuquajturat ‘vende të sigurta’, të kapur në ujërat ndërkombëtare pa dokumente identifikimi. Ata përballen me një proces të përshpejtuar shqyrtimi të azilit prej 28 ditësh, përpara riatdhesimit pothuajse të sigurt.

Italia fillimisht kishte planifikuar një buxhet prej 653 milionë eurosh për skemën përgjatë pesë viteve, por kostot reale janë rritur ndjeshëm ende pa filluar mirë puna. Shpenzimet për ndërtimin e dy kampeve u rritën me më shumë se dy të tretat vitin e kaluar, nga një vlerësim fillestar prej 39.2 milionë eurosh në 65 milionë euro.

Meloni fillimisht parashikoi që kampet në Shqipëri do të përpunonin 36,000 emigrantë në vit, por skema ngeci menjëherë.

Më 4 tetor, Gjykata e Drejtësisë së BE-së (CJEU) vendosi që përcaktimi i një vendi si “i sigurt” duhet të vlejë për gjithë territorin e tij. Ky vendim u citua më pas nga një gjykatë në Romë, kur refuzoi të miratonte ndalimin e grupit të parë të emigrantëve të transferuar në Shqipëri po atë muaj.

Emigrantët u dërguan pas në Itali për të ndjekur procesin e rregullt të kërkimit të azilit, duke shkaktuar zemërimin e qeverisë së Melonit, e cila e cilësoi vendimin si tejkalim të kompetencave nga gjyqësori. Si përgjigje, qeveria e saj u përpoq të forconte bazën ligjore për projektin, duke miratuar me dekret një listë të re me 19 vende të “sigurta”, e cila në këtë formë u dekretua si ligj.

Por strategjia e Melonit dështoi. Kur një grup i dytë emigrantësh u dërgua në Shqipëri në nëntor 2024, gjykata në Romë pezulloi vendimmarrjen dhe ia referoi çështjen Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, CJEU.

Gjyqtarët italianë kërkuan nga CJEU në fund të tetorit të sqaronte nëse mund të bëheshin përjashtime nga përkufizimi i vendit të sigurt për kategori të caktuara njerëzish. Një seancë dëgjimore në CJEU u mbajt më 25 shkurt dhe vendimi i gjykatës pritet të jepet gjatë pranverës.

Pa pritur për vendimin e CJEU, Meloni vijoi me transferimet duke iu referuar një vendimi të Gjykatës së Lartë në dhjetor 2024, të cilin ajo e interpretoi se i jepte të drejtë qeverisë, jo gjykatave, për të përcaktuar vendet e sigurta. Por, ndërsa e drejta e qeverisë për të caktuar vendet e sigurta nuk është vënë asnjëherë në diskutim, gjykata theksoi se gjyqtarët kishin të drejtë të vlerësonin zbatimin e ligjit rast pas rasti.

Më 24 janar, anija ushtarake italiane Cassiopea u vendos rreth 20 milje larg brigjeve të Lampeduzës, ndërsa numri i emigrantëve nga Libia u shtua për shkak të kushteve të favorshme të motit. Roja bregdetare italiane dhe policia financiare kapën 8 varka që udhëtonin drejt Lampeduzës, duke transferuar shumë nga ata që ndodheshin në bordet e tyre në Cassiopea. Këtu emigrantët u skanuan në bord për përshtatshmërinë e tyre për transferim në Shqipëri.

Sipas Ministrisë së Brendshme italiane, nga ata që u vlerësuan, 53 individë paraqitën dokumente identiteti dhe u dërguan në Itali për një proces të rregullt azili; 49 të tjerë – gjashtë nga Egjipti, një nga Bregu i Fildishtë, një nga Gambia dhe pjesa tjetër nga Bangladeshi – u vendos të transferoheshin në Shqipëri.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *