Policia Rrugore ka vendosur fort fokusin në disiplinimin e drejtuesve të automjeteve, me kontrolle të shumta dhe duke mos e kursyer dorën sa i përket gjobave.
Sipas burimeve të Priza.al nga komisariati i Rrugores, së shpejti do të nisë aksioni edhe për këmbësorët që shkelin rregullat duke u bërë burim aksidenti, siç janë: Ecja në rrugë, mos pritja e semaforit apo moskalimi në vijat e bardha.
Nisur nga analiza e kryer nga specialistët e Policisë Rrugore të Tiranës, për rrugët më me risk, si dhe për drejtuesit e mjeteve që shfrytëzojnë disa akse rrugore për të qarkulluar me shpejtësi të lartë apo për të bërë gara shpejtësie, Komisariati Rajonal i Policisë Rrugore Tiranë, ka hartuar një plan të detajuar masash.
Këto masa konsistojnë në monitorimin e rrugëve interubrane që lidhen me Tiranën, si dhe rrugëve në brendësi të kryeqytetit, me anë të shërbimeve të lëvizshme, duke përdorur radarë, kamera, alkool-testues, dronë dhe mjete të tjera pauniformuara.
Prej orëve të para të mëngjesit deri në këto momente janë pezulluar 17 leje drejtimi për shpejtësi mbi normat e lejuara.
Po ashtu janë vendosur 38 gjoba për tejkalim të normave të shpejtësisë, pa pezullim të lejes së drejtimit, 121 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 88 gjoba për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit.
Priza.al bashkohet me thirrjen e drejtuesve të Policisë Rrugore për zbatimin e rregullave të qarkullimit, pasi besojmë që kujdesi në drejtimin e mjetit në rrugë bën që të arrijmë të sigurtë dhe pa lot në destinacion./Priza.al