Ministria e Jashtme e Rusisë ka paralajmëruar se nëse Shtetet e Bashkuara konfirmojnë raportet se planifikojnë të dërgojnë raketa të sofistikuara të mbrojtjes ajrore në Ukrainë, do të ishte “një veprim tjetër provokues nga SHBA-ja” dhe se kjo mund të rezultojë me përgjigje nga Moska.
Zëdhënësja e Ministrisë, Maria Zakharova, gjatë një konference ka thënë se “SHBA-ja është bërë efektivisht një palë” në luftën në Ukrainë, pas raporteve se do t’ia sigurojë Kievit raketat Patriot, më të avancuarat që Perëndimi ka ofruar deri më tani për të ndihmuar ushtrinë e Ukrainës të zmbrapsë sulmet ajrore ruse.
Zakharova ka shtuar se shumat në rritje të ndihmës ushtarake të SHBA-së, duke përfshirë transferimin e armëve të tilla të sofistikuara, “do të nënkuptonte përfshirje edhe më të gjerë të personelit ushtarak në armiqësi dhe mund të sjellë pasoja të mundshme”. Ajo nuk specifikoi se cilat mund të jenë pasojat.
Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se Washingtoni ishte gati të miratonte dërgimin e sistemit raketor Patriot në Ukrainë, duke rënë dakord më në fund me një kërkesë urgjente nga liderët ukrainas të dëshpëruar për armë më të fuqishme për t’i rrëzuar raketat ruse që kanë dëmtuar pjesën më të madhe të infrastrukturës jetike të vendit. Së shpejti pritet një njoftim zyrtar.
a.m/dita