Rusia kërcënon me ndërprerje të eksportit të grurit ukrainas

Rusia kërcënoi të ndërpresë marrëveshjen e eksportit të grurit me Ukrainën për shkak të pengesave perëndimore ndaj eksportit të ushqimit dhe plehrave ruse, raportojnë Reuters dhe AP.

Gjatë një vizite në Turqi, më 7 prill, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se nëse Perëndimi nuk heq kufizimet bankare dhe të sigurisë, të cilat pengojnë eksportin e mallrave ruse, Rusia do të heqë dorë nga marrëveshja e korrikut 2022, sipas së cilës Ukraina ka eksportuar grurin e saj përmes porteve të Detit të Zi.

“Nëse ata nuk kanë dëshirë t’i qasen sinqerisht marrëveshjes, le të vazhdojnë të dërgojnë prodhimet nga Ukraina përmes tokës, hekurudhës dhe lumit”, tha Lavrov në Ankara.

Ai shtoi se Rusia do të shqyrtojë nëse marrëveshja në fjalë është e nevojshme, sepse nuk ka përparim në heqjen e pengesave për eksportin e plehrave bujqësore dhe grurit rus. Ai theksoi se Moska do të punojë jashtë kësaj kornize për eksportin e produkteve të saj.

Marrëveshja për afatin 120-ditor e arritur me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara u zgjat dy herë me nga 120 ditë. Zgjatja e fundit e afatit, në muajin mars, është kufizuar në 60 ditë dhe skadon kah mesi i majit.

Moska ka vënë në dukje se për zgjatjen e marrëveshjes do të kërkojë një sërë koncesionesh nga Perëndimi, duke përfshirë rilidhjen e bankës bujqësore shtetërore ruse Rosselkhoz me sistemin e pagesave ndërkombëtare SWIFT.

Ukraina dhe Rusia janë eksportuesit kryesorë në botë të drithërave, kështu që marrëveshja e ndërmjetësuar nga OKB u arrit në një përpjekje për të lehtësuar krizën globale të ushqimit pas pushtimit rus të Ukrainës.

Rusia mori kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për muajin prill, ndaj pritet që shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, të marrë pjesë në seancat në Nju Jork, më 24 dhe 25 prill, dhe një nga temat mund të jetë edhe marrëveshja për eksportin e grurit./REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *