Në Ukrainë vijon lufta që ka nisur Rusia. Në Hagë, presidenti rus Vladimir Putin po përballet me urdhër arresti për krime lufte. Sot Rusia është gati të marrë drejtimin e Këshillit të Sigurimit të OKB.
Hera e fundit që Rusia e mbajti presidencën e OKB ishte në shkurt të vitit të kaluar, kur Putin deklaroi “operacionin e tij special ushtarak” për Ukrainën. Katërmbëdhjetë muaj më vonë, dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë, shumë prej tyre civilë, qytete janë rrënuar dhe Putin është paditur nga gjykata ndërkombëtare penale për rrëmbimin masiv të fëmijëve ukrainas.
Në rrethana të tilla, vendosja e Rusisë në drejtimin e Këshillit që ka në fokus “ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare” duket si shaka mizore e prillit për shumë njerëz, jo më pak për misionin ukrainas në OKB. Për këtë ka pasur reagime edhe nga Ukraina.
“Që nga 1 Prilli, ata po e çojnë nivelin e absurditetit në një nivel të ri. Këshilli i Sigurisë siç është projektuar është i palëvizur dhe i paaftë për të trajtuar çështjet e përgjegjësisë së tij parësore, që është parandalimi i konflikteve dhe më pas zgjidhja e konflikteve”, tha Sergiy Kyslytsya, përfaqësuesi i përhershëm i Ukrainës.
Ambasadori tha se Ukraina do të qëndrojë larg këshillit të sigurisë në prill, përveç në rastin e një “çështjeje me interes kritik të sigurisë kombëtare”. Ukraina nuk është anëtare aktuale e këshillit, megjithëse shpesh thirret të flasë për çështje që lidhen me luftën.