Rusia mohon skenarët për të sulmuar Ukrainën, europianët thirrje për tërheqjen e trupave ruse

Ndërsa ushtria ruse vijon manovrat taktike në kufirin e Ukrainës, diplomacia europiane dhe amerikane po vepron në disa fronte.

ShBA-ja thotë se Moska kërkon të nxisë provokimet dhe të gjejë një pretekst për të pushtuar Ukrainën, por Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov refuzoi me zemërim akuzat.

Duke folur për gazetarët të hënën, ministri Lavrovi quajti pretendimet e amerikanëve ‘një dezinformim të plotë’.

Ai konfirmoi se Rusia po pret një përgjigje me shkrim këtë javë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët për kërkesat e Moskës për garancitë se NATO-ja nuk do ta anëtarësojë Ukrainën, apo vende të tjera ish-sovjetike dhe as do të dislokojë forca dhe armatime në atë vend.

Por Uashingtoni dhe vendet aleate refuzuan me forcë kërkesat e Moskës gjatë negociatave SHBA-Rusi javën e kaluar në Gjenevë.

Perëndimi kërkon hapa të qartë nga Rusia për të shtensionuar situatën në kufirin ukrainas-rus pasi çdo agresion ushtarak do të kishte pasoja të rënda politike dhe ekonomike. Ky ishte paralajmërimi që lëshoi kancelari gjerman Olaf Scholz pas takimit me kryeministrin spanjoll PedroS anchez.

‘Është detyra jonë të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që një zhvillim i tillë të shmanget’, tha kancelari Scholz gjatë një konference shtypi në Madrid.

Kryeministri Sanchez gjithashtu bëri thirrje për një ç’tensionim dhe kërkoi që aleatët e NATO-s dhe Bashkimi Europian të mbrojnë integritetin territorial dhe kufijtë që tani po vihen në pikëpyetje.

Ndërsa kancelari Scholz po takon aleatët europianë, ministrja e tij e jashtme, Annalena Baerbock vizitoi Kivein. Ajo tha aty se diplomacia është ‘mënyra e vetme’ për të zgjidhur tensionet midis Moskës dhe Perëndimit lidhur me Ukrainën.

‘Ne do të bëjmë gjithçka që të garantojmë sigurinë e Ukrainës. Ne do të bëjmë gjithçka që të garantojmë sigurinë e Europës’, tha Baerbock gjatë konferencës së përbashkët për media me homologun e saj ukrainas, Dmytro Kuleba.

 

 

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *