Rusia nis sulme të reja masive me dronë në Ukrainë

Rusia gjatë natës nisi sulme masive me dronë që vranë të paktën tre persona. Ushtria ukrainase tha më 22 mars se gjerësisht ka zmbrapsur këto sulme, teksa luftimet e ashpra po vazhdojnë në rajonin lindor të Donjeckut për kontrollin e qytetit të Bahmutit.

Sirenat paralajmëruese për sulme ajrore janë lëshuar për disa orë në mesnatë në Kiev dhe në disa rajone të tjera ukrainase.

Administrata ushtarake e qytetit të Kievit tha se tre persona janë vrarë dhe shtatë janë plagosur në sulmin gjatë natës në rajonin e Kievit.

“Si rezultat i sulmit me dronë në rajonin e Kievit është dëmtuar një objekt civil. Deri më tani dimë se tre persona janë vrarë dhe shtatë janë plagosur. Informacionet janë duke u qartësuar”, tha kjo administratë përmes një postimi në Telegram.

“Në natën e 22 marsit, armiku nisi edhe një sulm masiv ajror me dronët [e prodhimit iranianë] Shakhed-136”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.

“Sipas informacioneve preliminare, 16 nga 21 dronët e lëshuar nga armiku janë shkatërruar nga mbrojtësit tanë”, tha ushtria ukrainase. Ajo shtoi se kërcënimi nga sulmet ajrore mbetet i lartë në mbarë territorin e Ukrainës.

Në rajonin verior të Zhitomirit, nga sulmet me dronë është dëmtuar një ndërtesë, tha kreu i administratës ushtarake rajonale, Vitaly Bunechko përmes një postimi në telegram.

“Tre dronë të armikut janë rrëzuar nga njësitë e mbrojtjes ajrore”, tha Bunechko, duke shtuar se në këtë rajon nuk raportohet për viktima.

Gjatë kohës kur po ndodhnin sulmet me dronë, në qytetin perëndimor ukrainas të Hmelnitskit është raportuar për një shpërthim, por autoritetet lokale më pas thanë se në hapësirën ajrore të këtij rajoni nuk është detektuar ndonjë dron.

Në lindje, forcat ukrainase kanë zmbrapsur 114 sulme gjatë 24 orëve të fundit dhe përqendrimi ka qenë në Bahmut, ku forcat ruse po tentojnë të përparojnë drejt qendrës së qytetit, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *