Rusia njoftoi të hënën sanksione kundër 39 politikanëve, zyrtarëve, njerëzve të biznesit dhe gazetarëve britanikë, duke i ndaluar ata të hyjnë në Rusi për shkak të mbështetjes që sipas Moskës ata kanë dhënë për “demonizimin” e vendit.
Aty përfshihet kreu i Partisë Laburiste të opozitës Keir Starmer, ish-kryeministri David Cameron dhe gazetarët e njohur televizivë Piers Morgan, Robert Peston dhe Huw Edwards.
Emrat e tyre u shtohen atyre të më shumë se 200 britanikëve të tjerë që Rusia i ka ndaluar tashmë, duke përfshirë shumicën e politikanëve kryesorë të vendit.
Ndalimet e udhëtimit – duke pasqyruar ato që Rusia ka vendosur ndaj vendeve të tjera perëndimore që e kanë goditur atë me sanksione për sulmin ndaj Ukrainës – janë kryesisht simbolike duke pasur parasysh se marrëdhëniet janë tashmë në nivel të ulët dhe vështirë se ndonjë nga ata që janë në shënjestër ka të ngjarë të ketë synuar të vizitojë Rusinë.
Megjithatë, Ministria e Jashtme ruse tha se do të vazhdojë të shtojë emra në listë.
“Duke pasur parasysh përpjekjet shkatërruese të Londrës për të vendosur sanksione me pretekste të qëllimshme dhe absurde, puna për zgjerimin e listës ruse të ndalimit do të vazhdojë”, thuhet në një deklaratë.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm rus nga ana tjetër tha se e kishte shpallur Fondacionin Calvert 22, një organizatë jofitimprurëse me qendër në Londër, si një “organizatë të padëshirueshme”.
“Është konstatuar se veprimtaria e saj përbën një kërcënim për themelet e rendit kushtetues dhe sigurinë e Federatës Ruse”, thuhet në deklaratë.
Asnjë koment nuk është bërë deri tani nga organizata, e cila u themelua në vitin 2009 nga ekonomistja me origjinë ruse Nonna Materkova dhe që përqendrohet në artet dhe kulturën në Rusi dhe Evropën Lindore./VOA