Ditën e sotme prokurori i Sarandës Sali Hasa është arrestuar. Pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë është caktuar masa “arrest në burg”. Por të tjera detaje dalin në dritë nga arrestimi i prokurorit Sali Hasa, pas hetimit 1-vjeçar nga SPAK. Mësohet se SPAK ka nisur hetimet në vitin 2020 për një grup të strukturuar kriminal, që kryente trafik droge, gjë që çoi në zbulimin e një rasti korrupsioni në sistemin e drejtësisë, si dhe trukim ndeshjesh. Hetimi i SPAK u finalizua me arrestimin e 6 personave, mes të cilëve edhe prokurori Hasa.
Çfarë e “fundosi” prokurorin Hasa?
Prokurori Sali Hasa kishte nën hetim shtetasin Emiljano Mirani, i akuzuar për plagosje të lehtë me dashje dhe mbajtje të armëve të ftohta, por që ka pushuar çështjen ndaj tij pas ndërhyrjes së motrës së të dyshuarit, Elsona Papa, e cila është lënë në “arrest shtëpiak”. Kjo e fundit dyshohet se i ka dhënë ryshfet prokurorit për të shpëtuar vëllain.
Si u zbuluan arbitri dhe zyrtari i klubit të futbollit?
Hetimi për prokurorin Hasa, ka çuar prokurorin e SPAK, Altin Dumani, në zbulimin e trukimit të ndeshjes Selenica-Përmeti. Nga përgjimet rezulton se ndeshja ishte paracaktuar dhe do të fitonte klubi Përmeti 1-0 me penallti. Siç rezulton në përgjime, ashtu ka rezultuar edhe në realitet, ku zyrtarët e arrestuar kanë lejuar paracaktimin e kësaj ndeshjeje. Kjo ka çuar në pranga arbitrin Qerim Ruçi, si dhe Bledar Hajredini, zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti”, të dy të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim.
Po ashtu, përgjimet zbuluan edhe rastin kur oficeri i policisë gjyqësore, Napolon Hodaj, ndihmoi një të dyshuar për vjedhje me dhunë dhe plagosje t’u shpëtonte akuzave. Në këtë episod përfshihet edhe ish-eksperti mjeku ligjor, Hysen Korenica, i cili dyshohet për ekspertim të rremë dhe do të hetohet të gjendje të lirë. SPAK urdhëroi kontroll edhe në zyrat e banesave të të dyshuarve dhe po kryen hetime të mëtejshme edhe për disa episode dhe krime të tjera të mundshme.
Të arrestuarit
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.40 datë 17.06.2021 ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasit:
1- Sali Hasa, prokuror në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
2- Napolon Hodaj, Oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
3- Qerim Ruçi, arbitër i ndeshjeve të futbollit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.
4- Bledar Hajredini, zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.
5 – Julian Zera, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1/1 – 25 i Kodit Penal.
6 – Emiljano Mirani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 – 25 i Kodit Penal.
Hetim në liri
7 – Elsona Papa Me vendimin nr.40 datë 17.06.2021 Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, për të hetuarën Elsona Papa, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1/1 – 25 i Kodit Penal.
8- Hysen Korenica (ish ekspert mjeko – ligjor), Gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309 i Kodit Penal.