Sa milion turistë kanë ardhur në Shqipëri gjatë vitit 2023?!

Nga Totali i Vizitorëve të huaj, rreth 10 milionë, duke zbritur Vizitorët e së njëjtës ditë, konkludojmë se shifra prej rreth 5 milionë do ishte një shifër më afër reales për turistët e huaj që kanë hyrë në Shqipëri.
Besnik Vathi, Operator Turistik*

Në disa debate në studio të ndryshme televizive apo në intervista kam shprehur bindjen time se në statistikat e publikuara apo në komentet e ndryshme në media ka keqkuptime apo prezantime të gabuara lidhur me numrin e turistëve të huaj që hyjnë në Shqipëri.

Për të qenë më i qartë në opinionin tim, u përpoqa të ripunoj dhe ribëj një analizë që kisha bërë për vitin 2019 duke e risjellë edhe njëherë me shifrat e sapo botuara nga INSTAT për vitin 2023. U përpoqa të gjej numrin e Turistëve të huaj të hyrë gjatë kësaj periudhe në këto shifra, por realisht nuk arrij ta gjej. Shifra e vetme që gjej është që në Shqipëri kanë hyrë gjithsej rreth 10.155.640 shtetas të huaj. Por a mund të quhen këta të gjithë turistë, siç rëndom përmenden në media apo në deklarime qeveritarësh?

Për të dhënë një përgjigje, le të analizojmë të dhënat, nga tabelat e botuara dhe nga vrojtimet personale. Për të qenë më të kuptueshëm, në fillim, do të jap përcaktimet për disa terma që përdoren dhe duhet të përdoren në statistikat kombëtare sipas dokumenteve me të cilat Organizata Botërore e Turizmit u sugjeron autoriteteve të vendeve të ndryshme anëtare të së cilës jemi edhe ne.

Kjo Organizatë përcakton këto terma:

  • Udhëtar është çdo person që udhëton në një vend jashtë vendit të tij të banimit.
  • Vizitor është ai Udhëtar që udhëton jashtë vendit të tij të banimit për më pak se 12 muaj, për arsye jo punësimi.
  • Turist është ai Vizitor që udhëton jashtë vendit të tij të banimit për më shumë se 24 orë dhe për më pak se 12 muaj, për arsye jo punësimi.
  • Vizitor i së njëjtës ditë është ai Vizitor që udhëton jashtë vendit të tij të banimit për më pak se 24 orë për arsye jo punësimi.

Bazuar në këto përkufizime, më duhet të saktësoj përkufizimet për Udhëtar i Huaj, Vizitor i Huaj, Turist i Huaj dhe Vizitor i Huaj i së njëjtës, natyrisht për të gjithë ata që hyjnë në Shqipëri:

  • Udhëtar i huaj që hyn në Shqipëri do të konsiderohet çdo person që hyn në Shqipëri nga një vend i huaj, ku ky person ka Rezidencë banimi.
  • Vizitor i huaj që hyn në Shqipëri do të konsiderohet çdo Udhëtar që hyn në Shqipëri nga një vend i huaj, ku ky person ka Rezidencë banimi dhe vjen për të qëndruar më pak se 12 muaj, për arsye jo punësimi.
  • Jo-Vizitor i huaj që hyn në Shqipëri do të konsiderohet çdo Udhëtar huaj që hyn në Shqipëri për arsye imigrimi, punon në Shqipëri ose si sipërmarrës ose si i punësuar, ose në përfaqësi diplomatike apo organizma ndërkombëtare, pra është rezident në Shqipëri.
  • Turist i huaj që hyn në Shqipëri do të konsiderohet çdo Vizitor që hyn në Shqipëri nga një vend i huaj, ku ky person ka Rezidencë banimi dhe vjen për të qëndruar për më shumë se 24 orë dhe për më pak se 12 muaj, për arsye jo punësimi.
  • Vizitor i huaj i së njëjtës ditë që hyn në Shqipëri do të konsiderohet çdo Vizitor që hyn në Shqipëri nga një vend i huaj, ku ky person ka Rezidencë banimi dhe vjen për të qëndruar për më pak se 24 orë për arsye jo punësimi.

Bazuar në këto përkufizime, dhe duke pasur parasysh që duke analizuar hyrjet totale të të huajve në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT për Hyrjet e shtetasve të huaj në vitin 2023, unë do të konsideroj që ky numër total përfaqëson Udhëtarë te huaj.

Pra janë Vizitorë të huaj dhe Jo-Vizitorë të huaj. Pra në ketë shifër janë përfshirë edhe Jo-Vizitorët e huaj. Po sa mund të jenë ata? Shtetas të huaj që hyjnë në Shqipëri për qëllime imigrimi, punojnë në Shqipëri ose si sipërmarrës ose si të punësuar apo si diplomatë në Ambasada dhe Organizma Ndërkombëtare brenda vendit tone, së bashku me familjet e tyre, mund të lëvizin disa herë dhe janë futur në hyrjet totale në statistika.

Sipas INSTAT në Shqipëri në vitin 2022 ishin rreth 18 mijë shtetas të huaj dhe deri në fund të 2023 mund të ketë shkuar numri i tyre në rreth 20 mijë.

Duke i konsideruar lëvizjet e tyre si hyrje e Jo-Vizitorëve të huaj dhe duke menduar që ata mund të lëvizin drejt vendeve të tyre rreth 5 herë gjatë vitit, atëherë numri i hyrjeve do të ishte përafërsisht 100 mijë.

Dhe kjo shifër i duhet zbritur totalit. Pra mbërritëm në numrin 10.050.000 hyrje Vizitorësh të huaj.

 

Kalojmë në kategorinë e vizitorëve të së njëjtës ditë. Këtu do të merrem me dy nënkategori.

Në nënkategorinë e parë futen Vizitorë e së njëjtës ditë që kalojnë tranzit në Shqipëri. Në statistikat që paraqiten nga INSTAT është futur gabimisht si qëllim udhëtimi tranzit. Në dokumentet e Organizatës Botërore të Turizmit, udhëtimi tranzit nuk përfshihet në qëllimet e udhëtimit.

Në këtë kuptim, nëse në statistikat tona, kemi Vizitorë transit ata të huaj që janë pyetur për qëllimin e hyrjes në Shqipëri dhe ata janë përgjigjur për tranzit, mendoj se shifra që ka dalë është e gabuar.

Nxjerrja e shifrës se sa shtetas të huaj hyjnë transit në Shqipëri nuk duhet të dalë nga pyetja e qëllimit të udhëtimit, por nga llogaritja ditore e hyrjeve dhe e daljeve brenda ditës i të gjithë shtetasve të huaj. Në të dhënat e INSTAT unë shoh shifrën 485 mijë.

Nga vëzhgimi im dhe nga llogaritjet që bëj, unë besoj që kjo shifër duhet të jetë nga 3.0 -3.5 milion. Bazohem në numrin e madh të hyrjeve për tranzit të shtetasve të Kosovës, Malit te Zi dhe Maqedonisë së Veriut që udhëtojnë:
– me fluturime nga Aeroporti i Rinasit drejt Dubai, Abu Dhabit dhe Europës.

Siç dihet, gjatë vitit 2023, fluksi I fluturimeve në Aeroportin e Tiranës u rrit shumë. Sot Aeroporti i Tiranës është Aeroporti më i madh në rajon dhe nuk shërben vetëm për fluturime nga apo drejt Shqipërisë, por shfrytëzohet edhe nga shtetas të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut të cilët nëpërmjet Rinasit arrijnë të kapin më shumë fluturime direkte se sa nga Aeroportet e tyre. Nga lëvizjet që ndjekim ne, shohim që rreth 20-25% e atyre që udhëtojnë janë jo shtetas të Shqipërisë.

Pra, duke pasur parasysh qe ne i kalkulojmë dy herë këta, edhe kur hyjnë për të fluturuar nga Rinasi, apo edhe kur hyjnë në Rinas për të shkuar transit me rrugë tokësore drejt vendeve të tyre dhe nëse nga Aeroporti i Tiranës kanë fluturuar 7 – 8 milion pasagjerë, rreth 1 – 1.3 milion mund të jenë nga Rajoni.

– me mjete individuale apo autobusë nëpërmjet kufirit tonë me Malin e Zi, nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut drejt Europës apo nga Europa drejt Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

– me tragete drejt Italisë apo edhe drejt Greqisë,

– për pushime në Malin e Zi e veçanërisht në Ulqin. Për dijeni, në Ulqin kalojnë për pushime rreth 150 mijë shqiptarë të Kosovës, ku janë turistë në Mal të Zi dhe tek ne llogariten dy herë edhe në vajtje edhe në ardhje, pra 300 mijë.

– Po kështu, këtu duhen marrë në konsideratë si Vizitorë të së njëjtës ditë tranzit edhe hyrjet me destinacion final apo anasjelltas Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut e të gjithë Shtetasve me pasaportë Europiane me kombësi shqiptare te Kosovës apo Kombësi Maqedonase të Veriut që lëvizin në të dy krahët.

Nënkategoria tjetër e Vizitorëve të së njëjtës ditë quhet Eskursionistë. Këtu janë të gjithë ata Vizitorë të huaj që hyjnë në Shqipëri për të bërë vizita brenda ditës.

Asnjë statistikë nuk nxirret për ta.

Në Sarandë dhe në Shkodër, si dy qytete në kufi me vende me turizëm te zhvilluar, kanë përfituar nga kjo lëvizje masive e të huajve nga vende te ndryshme.

Dhe Ekskursionistë janë edhe hyrjet me kroçiere në Sarandë dhe Durrës. Do te mendoja qe në total, eksursionistë do të jenë rreth 1.500.000.

Nga Totali i Vizitorëve të huaj, rreth 10 milion, duke zbritur Vizitorët e të së njëjtës ditë, konkludojmë se shifra prej rreth 5 milionësh do ishte një shifër më afër reales për turistët e huaj që kanë hyrë në Shqipëri.

 

Rreth kësaj shifre mbërrijmë dhe duke analizuar të dhënat e publikuara nga Organizata Botërore e Turizmit.

– Kroacia, për vitin 2022 raporton 50 milion vizitorë të huaj, nga të cilët vetëm 15 milion janë turistë.

– Franca, për vitin 2019 raporton 217 milion vizitorë të huaj, nga të cilët vetëm 91 milion janë turistë.

– Bullgaria, për vitin 2022 raporton 11 milion vizitorë të huaj, nga të cilët vetëm 5.5 milion janë turistë.

– Italia, për vitin 2022 raporton 75 milion vizitorë të huaj, nga të cilët vetëm 49 milion janë turistë.

Duke parë shifrat e raportuara nga këto vende, kuptojmë që sipas madhësisë së vendit, apo mundësisë për të pasur vizitorë tranzit dhe ekskursionistë të së njëjtës ditë, numri i Turistëve të Huaj në raport me numrin e Vizitorëve të Huaj është nga 30 – 65% e numrit të Vizitorëve të Huaj.
Kështu që shifra prej 5 milonësh duhet të jetë afër shifrës reale.

Duke analizuar edhe origjinën e hyrjes së shtetasve të huaj në Shqipëri gjatë këtij viti sipas tabelës së botuar në Monitor shohim që të gjithë Shtetet që kanë gjeneruar hyrje të mëdha në Shqipëri, me përjashtim të Polonisë dhe Spanjës janë vende ku ose banojnë Shqiptarë (Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mal i Zi), ose vende ku jetojnë në numër të madh Emigrantë me Kombësi Shqiptare të larguar gjatë 25- 30 viteve të fundit dhe që kanë marrë pasaportën e vendit ku jetojnë (Greqi, Itali, Gjermani, Angli, SHBA).

Duhet të kuptojmë se ka një lidhje tepër të ngushtë ndërmjet rritjes së emigracionit të popullsisë shqiptare jashtë vendit dhe nga ana tjetër rritjes së numrit të turistëve etnikë drejt Shqipërisë.

Studimi dhe nxjerrja e statistikave të sakta është me interes, pasi kjo kategori turistësh ka karakteristika të veçanta interesash, qëllimi, konsumi dhe shpenzimi. Ndaj dhe analiza për kombësinë e hyrjeve është karakteristike tepër e rëndësishme për ndërtimin e strategjive më të sakta për te ndihmuar realisht, jo thjesht në rritjen e numrit te hyrjeve, por e të ardhurave.

Ne vend të pare është Kosova me 4.4 milion Hyrje si vizitore të huaj.
Nga analiza e bërë më sipër, duke zbritur vizitorët tranzit nga Kosova, do mendoja që rreth 1.4 milion duhet të jenë Turistë nga Kosova. Pra Turistë të huaj që kalojnë të paktën një natë ne Shqipëri.

Ne vend të dytë është Italia me 950.000 vizitorë të huaj.

Nga analiza e mësipërme, por edhe nga fakti që në Itali nuk ka me shumicë me kombësi shqiptare të Kosovës, besoj që të gjithë këta duhet të jenë turistë të huaj.

Por këtu, duhet pasur parasysh që në Itali jetojnë rreth 700 mije emigrantë shqiptarë të cilët janë rezidentë në Itali, vijnë në Shqipëri tek familjet dhe të afërmit e tyre dhe duhet të jenë një shumicë në shifrën totale të vizitorëve.

Pavarësisht nga kjo që them, shtetas Italianë me kombësi italiane nuk besoj të ketë pasur më shumë se 200 mijë, pjesa tjetër duhet të jenë Italo -Shqiptarë.

Ne vend të tretë është Maqedonia e Veriut me 745.000 vizitorë të huaj.

Besoj që shumica e hyrjeve nga Maqedonia e Veriut duhet të jenë Vizitore Tranzit që përdorin Portin e Durrësit, kufirin me Malin e Zi dhe Aeroportin e Tiranës për lëvizjet e tyre. Kjo bën, besoj, që të kemi një numër kaq të madh. Por pavarësisht kësaj, numri i atyre që vijnë si turistë, besoj duhet të jetë rreth 150 mijë.

Ne vend të katërt është Greqia me 667 mijë vizitorë të huaj.

Besoj që nga Greqia nuk ka hyrje për tranzit, ndaj e tërë shifra duhet të konsiderohet si turistë të huaj. Por, edhe në Greqi ka një numër të madh emigrantësh shqiptarë që kanë rezidencë të përhershme në Greqi dhe besoj se mbi 90% e hyrjeve nga Greqia duhet të jenë me kombësi shqiptare, ose Greke të Shqipërisë, të cilët vijnë në Shqipëri tek shtëpitë e tyre, familjet apo të afërmit e tyre. Numri i turistëve Grekë të Greqisë duhet të jetë tek 60 mijë.

Ne vend të pestë është Mali I Zi me 637.000 vizitorë të huaj.

Besoj që shumica e hyrjeve nga Mali i Zi duhet të jenë Vizitorë Tranzit që përdorin Aeroportin e Tiranës për lëvizjet e tyre. Kjo bën, besoj, që të kemi një numër kaq të madh dhe sidomos rritje të madhe prej 44% në krahasim me një vit më parë.

Dimë që, pavarësisht se Mali i Zi ka dy Aeroporte, numri i qyteteve ku fluturohet direkt nuk është as sa një e treta e fluturimeve nga Tirana. Pavarësisht kësaj, numri i atyre që vijnë si turistë, besoj duhet të jetë rreth 50 mijë.

Numri i Turistëve të Huaj me Kombësi Shqiptare duhet të dominojë edhe hyrjet në vendet që qëndrojnë më poshtë në listë si: Gjermania, Britania e Madhe, SHBA.

Pra, në shifrën prej 5 milionësh Turistë të Huaj që kanë hyrë në vitin 2023, duhet të ketë edhe Turistë Emigrantë shqiptarë që përbejnë Turistët tek Familjet e të Afërmit, që besoj duhet të jenë rreth 1.5 milion.

Pra 5 Milionë Turistë në Shqipëri duhet të jenë:

– 1.5 Milionë Turistë me Kombësi shqiptare nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali I ZI

– 1.5 Milionë Turistë Emigrante tek Familjet dhe të Afërmit nga Itali, Greqi, Gjermani, Angli, SHBA etj.

– Mbeten 2 Milionë Turistë të Huaj me kombësi të huaj.

Burimi: INSTAT, përpunime të autorit

 

Duhet të theksoj edhe njëherë se veçimi i shifrës së Turisteve të huaj me kombësi të huaj është me mjaft rëndësi, pasi kanë si karakteristikë:

-Qëndrim mesatar 7 net,

-Qëndrim në hotele apo apartamente me qira

-Konsum mesatar të lartë,

-Vizitojnë dhe njohin më në thellësi, monumentet dhe atraksionet tona.

Veçimi ka dhe rendësi të madhe për të shmangur edhe analizat e pasakta dhe konkluzionet e gabuara.
Thuhet shpesh që Shqipëria ka turistë që nuk shpenzojnë. Dilet në Konkluzione që ardhja e këyre low cost, do kthehet në boomerang, kërkohet të ulen ardhjet në të ardhmen.

Bëhen përllogaritje të gabuara që nxjerrin edhe konkluzione të gabuara që në Shqipëri ka Informalitet me herë të lartë. Apo nxirren konkluzione që tregu u maturua dhe prandaj do duhet të synojmë turizmin Elitar.

Nëse do të kemi të qartë që nuk kemi 10 milion Turistë, por vetëm 2 milion Turistë qe konsumojnë shumë, 1,5 milion që konsumojnë më pak dhe 1,5 milion që vetëm emrin kanë Turistë, atëhere nuk do dilnim në ato analiza edhe përfundime të pasakta.

Rreth këtyre shifrave mbërrijmë edhe duke analizuar numrin total të shtretërve. Zyrtarisht, në Shqipëri ka rreth 110 mijë shtretër. Duke qenë se pjesa më e madhe e shtretërve gjendet në bregdet, dhe meqë Shqipëria ka turizëm sezonal, pranohet, madje edhe është publikuar një koeficient shfrytëzimi i hoteleve 21%. Deri më sot nuk ka ndonjë shifër për qëndrimin mesatar në Hotel të Turistëve të huaj.

Mendoj që mund të jetë nga 3 deri ne 5. Le të përllogarisim, me kapacitetet tona hoteliere sa mund të mbajmë, duke supozuar që në Hotelet në Shqipëri kanë fjetur vetëm Turistë Huaj

A. Me këto shifra zyrtare, pra 110 mijë shtretër dhe 21% koeficient shfrytëzimi:

– Nëse do të llogarisim një qëndrim mesatar 5 net, do të rezultonin rreth 1.7 milion Turistë që kanë shfrytëzuar hotelet në Shqipëri.

– Nëse do të llogarisim një qëndrim mesatar 4 net, do të rezultonin rreth 2.1 milion Turistë që kanë shfrytëzuar hotelet në Shqipëri.

– Nëse do të llogarisim një qëndrim mesatar 3 net, do të rezultonin rreth 2.8 milion Turistë që kanë shfrytëzuar hotelet në Shqipëri.

B. Duke llogaritur që numri i shtretërve së bashku me ato informale mund të ketë shkuar në 200 mijë dhe me të njëjtin koeficient shfrytëzimi, pra me 21%.

– Nëse do të llogarisim një qëndrim mesatar 5 net, do të rezultonin rreth 3.1 milion Turistë që kanë shfrytëzuar hotelet në Shqipëri.

– Nëse do të llogarisim një qëndrim mesatar 4 net, do të rezultonin rreth 3.8 milion Turistë që kanë shfrytëzuar hotelet në Shqipëri.

– Nëse do të llogarisim një qëndrim mesatar 3 net, do të rezultonin rreth 5.1 milion Turistë që kanë shfrytëzuar hotelet në Shqipëri.
Kuptohet që në Fjetjet në Hotele duhen përfshirë edhe Fjetjet e Turistëve të Brendshëm që janë konsiderueshëm të larta. Me këtë analize besojmë që Turistë të huaj që shfrytëzojnë Hotelet janë rreth 3 – 4 milion. Pra shifrat tona, 2 milion me kombësi të huaj dhe 1.5 milion me kombësi shqiptare nga rajoni, duhet te jenë reale.

Por nga Statistikat e publikuara nuk ka vetëm mungesë informacioni të detajuar, por edhe gabime në tabela dhe në Metodologjinë shpjeguese.

Përkufizimi për hyrjet është ose përkthim i gabuar ose moskuptim i asaj që është realisht ose keqkuptim. Aty thuhet:
“Një person që viziton disa vende njëkohësisht gjatë një viti llogaritet çdo herë si një hyrje e re.”
Është e gabuar dhe pakuptimtë.

Duhej te ishte:

“Një person që viziton vendin disa herë gjatë një viti llogaritet çdo herë si një hyrje e re.”
Përkufizimi për Vizitor është i gabuar në pjesën e qëllimit. Edhe këtu është ose përkthim i gabuar ose moskuptim i asaj që është realisht ose keqkuptim. Aty thuhet:
“……..qëllimi kryesor i këtij udhëtimi në vendin e vizituar nuk është ai i një veprimtarie fitimprurëse”.
Është e gabuar. Nëse do ishte kështu, atëherë nuk duhej të flitej për turizmin e biznesit, të konferencave etj. që përbën një lloj turizmi me shumë të ardhura.
Duhej te ishte:
“……..qëllimi kryesor i këtij udhëtimi në vendin e vizituar nuk është ai i punësimit’.

U mora me këtë analizë, për të parë më me realizëm zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Duke pranuar që gjatë 10 viteve të fundit, u bënë ndryshime të mëdha pozitive në zhvillimin e turizmit:

  • Gjatë 2-3 viteve të fundit filluan fluturimet Kompanitë e Fluturimit low cost që shtuan 3 herë numrin e destinacioneve në krahasim me 2019 dhe numrin e frekuencave në këto destinacione, madje do të thoja që bënë një revolucion në industrinë e turizmit, e futën Shqiperinë në rrjetin global të tyre.
  • Filluan dhe u shtuan fluturimet charter me destinacion Shqipërinë nga Polonia, Çekia, Sllovakia, Suedia, Norvegjia, Izraeli, Ukraina etj.
  • Hotelet në plazhet shqiptare filluan të ofrojnë për herë të parë kontrata garancie, filluan shërbimin all inclusive, zgjeruan sezonin e shitjeve deri në 100 -120 ditë, përmirësuan shërbimet dhe mjedisin brenda hoteleve.
  • U shtua turizmi malor në veri të vendit dhe kjo bëri që e tërë harta e Shqipërisë të ketë produkt turistik.
  • U rrit interesi i investimeve në hoteleri edhe nga zinxhirë ndërkombëtare hotelesh për plazhe
  • U shtua në mënyrë te ndjeshme ardhja e Linjave të ndryshme të Kroçiereve, sidomos në Sarandë.

Kuptohet që ndryshimet pozitive janë shoqëruar edhe me problematika të ndryshme, të cilat vazhdimisht janë ngritur si shqetësime. Shqetësimi im në këtë analizë është i lidhur me përmirësime që duhen bërë.

Së pari, Raportimi shkencor i të dhënave statistikore për numrin real të turistëve, nuk është vetëm nevojë e adaptimit të të dhënave tona sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Turizmit, por është edhe kuptim dhe raportim real i rritjes dhe i ndryshimeve pozitive në masën e saktë, duke evituar fluturimet e tepruara e te gabuara në deklarime për realizimet apo parashikimet.

Së dyti, Nëse analizohen saktë tregjet që gjenerojnë turistë, autoritetet qendrore dhe lokale do jenë më në gjendje për të ndërtuar politika më të sakta që nuk synojnë thjesht të rrisin numrat, por të mbrojnë mjedisin dhe kryesorja të rrisin të ardhurat dhe punësimin.

E them këtë se nëse ne do i rrisim vizitorët tranzit dhe ekskursionistët, të ardhurat jo vetëm që do rriten shumë pak, por edhe efekti në punësim apo në zgjerimin e prodhimit vendas në ndihmë të turizmit do jetë shumë i vogël.

Në analizën e mësipërme mund të kem bërë edhe gabime në përllogaritje, por më falet, nuk është detyra ime të jap shifra të sakta, është detyrë e organeve shtetërore të na japin informacion dhe këtë informacion të na e japin sa më të saktë dhe sa më të detajuar.

*Opinionet janë personale të autorit dhe nuk përbëjnë qëndrim të revistës/monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *