Laboratorët që ofruan të parët analizat për COVID-19 në Shqipëri rezultuan përfituesit më të mëdhenj financiarë të pandemisë së koronavirusit në vitin 2020, i cili shënoi rritje të konsiderueshme të shpenzimeve të shqiptarëve për kujdes shëndetësor privat dhe një rritje anemike të shpenzimeve në sektorin publik.
Të dhënat financiare të kompanive kryesore në sektorin e shërbimeve shëndetësore private si dhe të dhënat e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, vënë në dukje kontrastin mes rritjes së shpenzimeve të qytetarëve në sektorin privat si dhe rritjen me vetëm 4% të financimeve për sektorin shëndetësor publik.
Të dhënat e analizuara nga BIRN janë të pjesshme, pasi në llogaritje u morën parasysh vetëm 11 subjekte tregtare, kryesisht spitale private si dhe laboratorë të licencuar për kryerjen e testimeve për COVID-19.
Shpenzimet e qytetarëve për ilaçe të blera pa rimbursim apo në gjysmëilegalitet apo pagesat për kujdes shëndetësor në shtëpi nuk është e mundur të maten. Po kështu, shpenzimet për kurim jashtë vendit vetëm sa mund të merren me mend.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore për vitin 2018, rreth 45% e shpenzimeve të shqiptarëve për kujdes shëndetësor janë drejtpërsëdrejti nga xhepi, ndërsa 55% janë shpenzime përmes sistemit të taksimit.
Shqiptarët shpenzuan së paku 92 milionë euro gjatë vitit 2020 për shërbime spitalore dhe diagnostikuese private me një rritje prej afro 15 milionë eurosh ose 19%, sipas të dhënave financiare të 11 kompanive të analizuara për këtë shkrim. Pjesa më e madhe kësaj rritjeje duket se erdhi nga shpenzimet e shqiptarëve për analiza, veçanërisht në kompanitë e licencuara për analiza të koronavirusit të ri.
Qeveria shqiptare licencoi disa laboratorë privatë në gusht 2020 për të kryer testime për koronavirus për “qëllime administrative’. Gjithsej, dhjetë subjekte private janë licencuar deri më sot për këto testime. Disa nga laboratorët kanë nisur punë këtë vit.
Genius Lab, Spitali Gjerman, Intermedica dhe BIOCHECK ishin disa nga laboratorët që panë të ardhurat dhe fitimet e tyre të shumëfishohen gjatë vitit të pandemisë. Spitali Gjerman rriti të ardhurat me shtatë herë, ndërsa Genius Lab me pesë herë. Intermedica shënoi rritje të fitimeve me 2.7 herë.
Mes spitaleve, Spitali Amerikan shënoi rritje me 12% të të ardhurave, ndërsa International Hospital, (ish-Hygeia), shënoi një rritje në masën 4%. Këto janë spitalet më të mëdha private në Shqipëri dhe gjatë vitit 2020 patën së bashku të ardhura në masën 8.7 miliardë lekë.
Nga ana tjetër, sektori publik shpenzoi 42.8 miliardë lekë për shëndetësinë sipas të dhënave të Fondit, ku përfshihen edhe shpenzimet për koncesionet kontroverse të sektorit të shëndetësisë. Shpenzimet e sektorit publik u rritën me 4.1% në krahasim me vitin 2019, sipas të dhënave të Fondit.
Ndryshe nga laboratorët e analizave, bilancet e spitaleve kryesore në vend nuk shfaqin ndonjë rritje mbresëlënëse apo fitime të larta. Përkundrazi, duket se ndryshe nga diagnostikimi, rritja e të ardhurave në spitalet private është shoqëruar me rritje të konsiderueshme të shpenzimeve. Të gjashta spitalet kryesore private në vend, Spitali Amerikan, International Hospital, Salus, Spitali Europian dhe Spitali Gjerman janë me humbje.
Spitali Amerikan e mbylli vitin me afro 190 mijë euro humbje, një humbje modeste kjo në krahasim me vitet e shkuara. Kompania ka kapital aksioner të derdhur prej 2.9 miliardë lekësh ndërsa humbjet e akumuluara janë në masën 1,3 miliardë lekë.
Me humbje rezultoi edhe Spitali Kontinental, i cili është nën pronësinë e Fondacionit Firdeus. Firdeus e bleu këtë spital për 350 mijë euro në vitin 2019.
Shqipëria u prek nga pandemia e koronavirusit në mars të vitit 2020 ndërsa që nga ajo kohë, kapacitetet e sektorit publik për të kryer analiza kanë qenë të kufizuara dhe qeveria nuk ka shprehur ndonjë interes për t’i rritur ato.
Në korrik 2020, ndërsa shqiptarët ishin nën stresin e të qenit apo jo të infektuar dhe sektori publik nuk i përgjigjej në kohë kërkesave për analiza, një duzinë zyrtarësh të sektorit publik u arrestuan nga policia pas disa përgjimeve që tregonin se qytetarë të dëshpëruar kishin qenë të gatshëm të paguanin nën dorë për marrjen e një testimi për COVID-19.
Një muaj më vonë, qeveria autorizoi disa laboratorë privatë për kryerjen e testimeve të COVID-19 “për qëllime administrative”. Supozohej se këto laboratorë do të testonin qytetarët vetëm kur këta të fundit të kishin nevojë për test negativ për të udhëtuar. Por ndërkohë, kapacitetet testuese të sektorit publik mbetën të pamjaftueshme ndërsa me një vendim kontrovers, qeveria vendosi të deklarojë në dhjetor në statistikat e testimeve testet e kryera në sektorin privat dhe ato në sektorin publik.
Edhe sot, statistikat zyrtare nuk bëjnë dallim mes testimeve të kryera nga sektori publik si pjesë e luftës kundër pandemisë apo atyre të kryera në sektorin privat që teorikisht vijojnë të kryhen vetëm për qëllime administrimi.
Viti 2021 ka gjasa do të jetë edhe më i mbarë për sektorin shëndetësor privat. Shqipëria përjetoi valën më të madhe të pandemisë gjatë muajve të parë të këtij viti, ndërsa po përjeton një valë të katërt të shkaktuar nga varianti Delta prej mesit të gushtit.
/Marrë nga BIRN/