Sa herë që Shqipëria është në krizë, kryeministri Edi Rama ka gjithmonë një zgjidhje: “Naftën e Shpiragut”.
Ndonëse vendi ynë ndodhet në një krizë ekonomike dhe çmimet e hidrokarbureve arrijnë ‘majat’ Edi Rama risjell në vëmendje zbulimin e naftës nga kompania SHELL në Shpirag.
Duke filluar që prej vitit 2013 Rama ka ngushëlluar opinionin publik sa herë që vendi ynë ka qenë në krizë apo Kryeministri ka patur nevojë të shpërqendrojë vëmendjen. Sa herë kemi rritje të çmimeve të karburantit Rama deklaron se kompania SHELL ka gjetur naftë në zonën e Shpiragut. Ndonëse kjo e fundit nuk ka një deklaratë zyrtare ai vazhdon të theksojë rëndësinë e këtij zbulimi për Shqipërinë dhe Rajonin.
Jo më larg se më 9 shtator 2022, kryeministri ka thënë se është gjetur naftë e cilësisë së parë në malin e Shpiragut. Në një takim me Dhomën e Tregtisë, ai theksoi se nëse testet dalin pozitive do të ndryshohet fuqia ekonomike e vendit por, për momentin kjo është një ëndërr e bukur pasi kompania SHELL nuk ka dhënë akoma një përgjigje konkrete.
“Është ende e pasigurt, pasi kompania SHELL, po bën teste. Sasia e naftës dhe e gazit është gjetur, ku cilësia e naftës është më e larta botërisht. Problemi është tek komercarializimi i saj, pasi është thellë, dhe këtë po bën SHELL tani, për të parë nëse është sasi e mjaftueshme për të bërë investimin masiv që do të bëhet.
Bëhet fjalë për miliarda euro investim dhe më pas të ardhura me kontratat që kemi bërë do të ndryshojnë komplet fuqinë ekonomike të Shqipërisë. Për momentin kjo është një ëndërr e bukur pasi, nuk kemi përgjigje akoma konkrete”, tha Rama.
Por cili është motivi që e çon Kryeministrin të nxitohet me këtë çështje.
Rama ka si synim të manipulojë opinionin publik duke folur për naftën që është gjetur për të përballuar krizën dhe për tu ‘pasuruar’.
Deklaratat e ‘naftës së gjetur si pasuri kombëtare’ kanë startuar që në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 2013 që solli në pushtet PS .
Një ndër strategjitë për daljen nga kriza dhe menaxhim të aseteve ishte nafta në Shpirag, që sot pas 9 vitesh jemi përsëri në të njëjtën fazë të premtimit.
“Ne nuk e ndryshuam sistemin që rafineria e Ballshit të punojë 30 ditë në vit. Nuk e ndryshuam sistemin që nga Albpetroli të dali zero fitim dhe zero kontribut për buxhetin e shtetit dhe për shoqërinë tonë në vit. Zero! Ne nuk e ndryshuam sistemin që ta japim naftën me koncesione nga të cilat përfitojmë si shtet minimumin e të drejtës sovrane. Minimumin!
Asnjë vend tjetër që ka naftë nuk ja lejon dot vetes këtë që qeveria e Shqipërisë i ka imponuar këtij vendi dhe kësaj shoqërie. Të koncensionojë një pasuri kombëtare strategjike siç është nafta dhe nga këto koncesione të përfitojë minimumin e të drejtës sovrane, për të shkuar deri në pikën që të privatizojë Albpetrolin, duke dorëzuar të drejtën sovrane dhe duke guxuar që ta kthejë Albpetrolin në ministrinë e Naftës, por me pronarë privatë. Nuk e ndryshuam sistemin për të mbërritur në këtë pikë të hallit ku Shqipëria të mos përpunojë dot asnjë ton naftë, të çojë jashtë 1 milionë ton naftë që nxirren jashtë çdo standardi, jo në formën e shfrytëzimit të burimit por, në formën e grabitjes së burimit dhe ndërkohë që eksporton 1 milionë ton naftë, eksporton 650 mijë ton në vit me dyfishin e çmimit që fiton nga eksporti. Ku është parë kjo?! Kjo mund të shihet vetëm në një vend të shitur të tradhtuar, të braktisur nga ata që e qeverisin për ta sunduar, për ta vjedhur, për ta rrënuar”.
Teksa vendi po ‘zinte’ nga skandali i projektit të “Unazës së RE” , pavarësisht se ishte zhvillues për zonën ky projekt do të sillte shëmbjen e shumë banesave. Banorët kërkonin dëmshpërblimin në bazë të pronës që ata zotëronin.
Por, Rama në atëkohë doli me një tjetër tezë në “korsi” komplet jashtë teme për banorët duke sjell në vëmëndje edhe një herë “Naftën e Shpiragut”.
Me anë të një postimi në rrjetin e tij social Twitter, më 23 janar të vitit 2019, kryeministri Rama dha një lajm “inkurajues” për zbulimin e rezervave të naftës në Shqipëri, duke bërë të mundur në këtë mënyrë shpërqëndrimin e vëmendjes tek fitimi që sjell nafta.
“Edhe pak javë na ndajnë nga prova e së vërtetës së Shpiragut, ku të gjitha të dhënat flasin për një rezervë të madhe gazi e nafte”, shkroi Rama.
Katër muaj më pas, më 24 maj 2019, Rama deklaroi sërish se gjatë takimit me përfaqësues të kompanisë SHELL, të dhënat flasin për një rezervë të madhe gazi dhe nafte në Shpirag.
“Lajm fantastik për rritjen e nesërme ekonomike të vendit konfirmimi pozitiv i testimeve finale të kompanisë SHELL mbi nxjerrjen në treg të sasisë së naftës dhe të gazit të zbuluar në Shpirag. Kompania që hyri në Shqipëri në 2015 vijon investimet për zbulime burimesh të tjera”, shkruan Rama.
Por, rregulli vazhdon. Sa herë kryeministri ‘bie’ në vështirësi dhe Shqipëria po kalon një krizë ekonomike apo politike na del para “Nafta e Shpiragut” dhe vëmendja shpërqëndrohet tek “gjetjet madhështore” që SHELL-i ka bërë.
Edhe këtë vit që Shqipëria është në një gjendje alarmante përsa i përket rritjes së çmimeve të shportës ushqimore dhe naftës Rama propagandon sërish me naftë, naftë dhe vetëm naftë.
Këtë herë lajmi i tij erdhi me 5 korrik.
“Shenjat tregojnë se mund të jemi pranë një zbulimi shumë, shumë të rëndësishëm në tokë, të gazit dhe naftës, që jo vetëm se do të ndikojë jashtë mase në të ardhmen e vendit tonë, por do të luajë një rol edhe në të ardhmen energjetike të Evropës”, tha Rama.
Por, nga të gjitha analizat dhe vëzhgimet e bëra kjo nuk rezulton as më shumë e as më pak sesa një propagandë politike që Qeveria po mashtron popullin mbi konҫesionet në naftë dhe propagandën që Edi Rama po bën për të mbuluar korrupsionin në naftë dhe keq-qeverisjen apo mos-administrimin shtetëror të pasurive natyrore.
Por, çfarë ka ndodhur vërtetë me naftën e Shpiragut?
Holandezja SHELL është duke shpenzuar prej vitesh dhjetëramilionë dollarë në shpimin e puseve eksploruese në zonën e Shpiragut në Berat, me shpresën se do të gjejë naftë. Kompania nuk ka bërë ende një deklaratë zyrtare nëse ka gjetur apo jo naftë të shfrytëzueshme dhe as nuk ka shpallur nëse ka vendosur apo jo që të investojë për ta shfrytëzuar zbulimin që ka bërë.
SHELL është një kompani e listuar në bursë dhe deklaratat e saj nuk bëhen për konsum të brendshëm politik në Shqipëri.
Nëse SHELL ka gjetur me të vërtetë naftë dhe ka vendosur që ta vërë në punë, atëherë njoftimi i saj do t’i drejtohet para së gjithash aksionerëve të vet dhe çmimi i aksioneve të saj në bursë do të ndryshojë. Por, nëse ka gjetur naftë në varësi të sasisë së gjetur dhe aftësisë për ta nxjerrë atë, zbulimi mund të sigurojë dhjetramilionë ose qindramilionë dollarë fitime në vit për kompaninë dhe për buxhetin e shtetit në Shqipëri. Në çdo rast, gjasat janë të pakta që zbulimi të jetë aq i stërmadh sa ta kthejë Shqipërinë në ndonjë vend ‘super të pasur’. Ndërsa sasia e naftës së nxjerrë vështirë se do të ketë ndonjë rol në furnizimin evropian të energjive fosile.
Kur u zbulua nafta në Shpirag?
Prania e naftës në zonë u zbulua për herë të parë nga një shpim nga kompania Occidental Petroleum në vitin 2001. Pusi i quajtur Shpirag 1 ishte i thellë 5055 metra dhe pavarësisht se u gjet naftë, kompania që e shpoi, e braktisi zonën pasi e gjykoi pa leverdi zhvillimin e saj.
Dymbëdhjetë vjet më vonë, në vitin 2013, një kompani e quajtur Petromanas, shpoi një pus të dytë si dhe bëri teste. Pusi i dytë ishte 5547 metra i thellë dhe nafta e gjetur ishte “e lehtë” pra naftë cilësore, e cila merr çmim më të lartë në tregun ndërkombëtar. Që nga ajo kohë, SHELL, e cila bleu interesat e Manas në këtë projekt, ka shpuar edhe puset 3, 4 dhe 5.
Kompania në çdo rast thekson se gjetjet e saj janë të karakterit shkencor dhe jo doemos ekonomik. Një vlerësim ekonomik nuk është bërë ende nga ana e kompanisë.
Historia e SHELL në Shqipëri nis në vitin 1994 me marrjen e blloqeve B dhe F. SHELL përfundoi kërkimet sizmike por, nuk arriti të shpojë puse për shkak të shpërthimit të trazirës civile në 1997 që e detyroi kompaninë ta zgjidhte kontratën me ndarje prodhimi. SHELL u rikthye në Shqipëri në shkurt të 2012 ku filloi punimet në dy blloqe ekzistuese të kërkimit në tokë, në Shpirag (Blloku 2-3) në zotërim të kompanisë Petromanas dhe mori të drejtën e shfrytëzimit të këtij Blloku në vitin 2016./Priza.al