Saga e vrasjeve në Elbasan/ Lidhja e viktimave të atentatit me Everest Çakajn dhe Talo Çelën

Në atentatin ndaj Ardian Çollakut (Subashi) dhe Lulzim Bitrit është qëlluar me mbi 15 plumba. 2 viktimat e atentatit mafioz të ditës së sotme në Elbasan, lëviznin me makine të blinduara dhe autorët kanë pritur pikërisht momentin që ata kanë qenë në këmbë për t’i qëlluar. Ata dyshohen si persona që janë pjesë e grupeve kriminale që operojnë në këtë qytet.

Kush është Ardian Çollakut (Subashi)?

Ardian Çollaku ka qenë i hetuar për një ngjarje të bujshme, ajo e vrasjes së Everest Çakajt. Për këtë arsye ai është shoqëruar disa herë për tu marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. Everest Caka u vra mbrëmjen e 11 majit në një atentat mafioz në sy të bashkëshortes së tij, e cila gjithashtu mbeti e plagosur. Pistat për vrasjen e tij janë shtrirë nga konfliktet e së shkuarës të viktimës deri tek përplasjet mes bandave për drogën.

Gjithashtu dyshohet se ka bashkëpunuar dhe me grupin e Dubait dhe të Erion Alibejt, i cili është vëllai i Endrit Alibejt, që mbeti i vrarë në të ashtuquajturën masakra e Bradasheshit në vitin 2018. Vetë Erjon Alibej është pas hekurave, por dyshohet se ka porositur disa vrasje në qytet. Përveç ngjarjeve kriminale, nga hetimet ka rezultuar që pas dënimit në Itali për trafik droge dhe prostitucion, Çollaku vidhte automjete dhe ua shiste grupeve kriminale për të kryer vrasje.

Kush është Lulzim Bitri?

Nga ana tjetërLulzim Bitri njihet si mik i Talo Çelës. Ky i fundit është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi akuzohet për vrasjen e vëllezërve Haxhiaj, si dhe atë të Anxhelo Avdias dhe Dorian Shkozës. Çela është autori i dyshuar i grabitjes së 9 prillit 2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.

Vëllai i tij, dyshohet se është porositur që të vritet disa vite më parë me urdhër të Alibejt pasi dyshohet se Çela ka lidhje me masakrën e Bradasheshit, gjë që ngre dyshime lidhur me faktin se përse këta persona ishin në shoqërinë e njëri-tjetrit. Aq më tepër kur i përkasin “kampeve” të ndryshme të qytetit. Megjithatë hetimi pritet që të zbulojë gjithçka.

Atentati 

Bitri dhe Çollaku u qëlluan rreth orës 19:00 në një lokal, pranë një pike karburanti. Autorët që dyshohet se ishin dy, të maskuar dhe armatosur e i kanë pritur shënjestrën të fshehur në makinë disa metra larg karburanti. Ende nuk është saktësuar se kush ka qenë shënjestra e atentatit por dyshimet janë se atentati mund të ketë ardhur si pasojë e larjeve të hesapeve mes bandave.

Tonin Vocaj Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Arben Dashi, drejtori i Krimeve të Renda në Drejtorinë e Përgjithshme dhe Kreshnik Ajazi drejtues i prokurorisë së Elbasanit, ndodhen në vendin e ngjarjes ndërsa pritet që në vijim të hidhet më shumë dritë mbi shkakun e këtij atentati të mirëorganizuar.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *