Një seri produktesh të markës ‘Wudi’ në tregun shqiptar, nuk duhet të konsumohen pasi rezultojnë me një bakter të rrezikshëm për shëndetin, në përmbajtje.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se pas analizave laboratorike të kryera në Itali, është konstatuar prani e Listeria monocytogenes STI55. Autoriteti kombëtar i ushqimit sqaron se nuk bëhet fjalë për të gjitha produkte e salsiçeve “Wudi” por për 5 lloje produkti, ndaj duhet kontrolluar loti dhe data e dekadencës, që ka publikuar AKU në njoftimin e saj.
“Bëhet fjalë vetëm për 5 lloje produktesh me lotet të caktuara. 5 lloje produktesh me disa nënlote dhe data skadence”, tha Jeta Deda, Drejtoresha e AKU-së. Drejtoresha e AKU, Jeta Deda tha se çdokush që ka konsumuar këto produkte duhet të paraqitet tek mjeku i familjes.
“Përbën risk serioz për shëndetin e njeriut, duhet të paraqitet tek mjeku i familjes ai që e ka konsumuar”, u shpreh Deda. Këto produkte thekson AKU nuk duhet të hidhen, por duhet të kthehen pranë subjekteve ku janë blerë. “Nuk duhet t’i hidhni por t’i ktheni aty ku i keni blerë, sepse duke qenë produkte të dëmshme duhet të asgjësohen në mënyrën e duhur”, tha Jeta Deda Drejtoresha e AKU.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po vijon kontrollet në operatorët e biznesit ushqimor për identifikimin, bllokimin dhe tërheqjen e produktit nga tregu./tch