Ditën e sotme në Pallatin e Brigadave do të zhvillohet Samiti i Krerëve të Ballkanit Perëndimor. Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi ndodhet sot në Tiranë.
Përmes një postimi në ‘Twitter’, Varhelyi bën me dije se do të diskutohet zbatimi i Planit Ekonomik të Investimeve. Ndër të tjera ai, ka postuar një foto me Ramën.
“Para Samitit të Tiranës me liderët e Ballkanit Perëndimor u takova me kryeministrin Edi Rama. Ne sot do të diskutojmë zbatimin e Planit Ekonomik të Investimeve, të paraqitur për rajonin nga Komisioni Europian, si dhe të shikojmë përpara për Samitin e Procesit të Berlinit me liderët e rajonit, në 5 korrik”, shkruan komisioneri Varhelyi.
Shqipëria do të jetë mikpritësja e samitit, ku do të marrin pjesë drejtuesit më të lartë të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës. Ndërkohë drejtuesit e Samitit do të jenë kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Serbia do të përfaqësohet në Samit me kryeministren Brnabiç, Kosova me Albin Kurtin, Maqedonia e Veriut me Zaevin kurse Mali i Zi me Presidentin Milo Djukanoviç. Po ashtu në Samit do të jenë dhe Sekretarja i Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu si dhe drejtori i Sekretariatit të CEFTA, Emir Djikic.
Ky samit konsiderohet tepër i rëndësishëm, pasi zhvillohet vetëm dy javë përpara vendimit të Bashkimit Europian për çeljen ose jo të negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa pritet të miratohet një deklaratë e Përbashkët e Liderëve për të vazhduar axhendën evropiane, takimi do të vazhdojë me një konferencë për shtyp e kryeministrit Edi Rama, dhe komisionerit për zgjerim, Varheli.
/Priza.al/