Takimi i liderëve evropianë u zhvillua në një moment kritik për kontinentin, stabiliteti dhe siguria janë të kërcënuara nga agresioni rus, tha të enjten kryeministri çek Petr Fiala në fund të ditës së parë të samitit të Bashkimit Evropian (BE) në Pragë.
Samiti i liderëve evropianë në Pragë tregoi izolimin absolut të Rusisë, tha kryeministri polak Mateusz Morawiecki. Sipas tij, asnjë nga liderët nuk diskutoi kompromise me Moskën.
Udhëheqësit e 44 vendeve të kontinentit evropian u mblodhën më 6 tetor në Kalanë e Pragës për të nisur zyrtarisht Komunitetin Politik Evropian. Është një platformë politike përmes së cilës pjesëmarrësit do të mblidhen rregullisht për të diskutuar çështje me interes të përbashkët.
Samiti i ardhshëm në Kishinau
Pritësi i radhës i samitit në kuadër të komunitetit politik evropian do të jetë kryeqyteti moldav Kishinau, kanë konfirmuar zyrtarët evropianë.
Pas Moldavisë organizimin e takimit e merr Spanja dhe më pas Britania e Madhe.
Siç shpjeguan për gazetarët zyrtarët evropianë, propozimin për tre lokacionet e ardhshme për samitin e ka prezantuar kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, gjatë darkës së punës dhe pjesëmarrësit e tjerë e kanë përkrahur.
Ideja është që samitet e EPC-së të mbahen dy herë në vit, ku mikpritësit gjithmonë ndryshojnë sipas parimit të një vendi të BE-së dhe më pas një që nuk i përket bllokut evropian prej 27 anëtarësh.