Në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor që po zhvillon punimet në Brdo, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për Deutsche Wellen u shpreh mbi rëndësinë që ka ky samit për Kosovën. Shpresoj që Bashkimi Evropian t’i mbetet besnik esencës së vet që është zgjerimi.
“Prej se është formuar si projekt politik dhe proces historik i paqes dhe prosperitetit, Bashkimi Evropian është zgjeruar dhe kjo duhet të përmbyllet me përfshirjen e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.” Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian janë shumë të rëndësishëm për njëri-tjetrin, theksoi Kurti.
Pritet të mërkurën edhe një takim i kryeministrit Kurti me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në mesin e sesioneve të samitit. Ky është një takim i paralajmëruar nga organizatorët, tha Kurti para mediave në Brdo. Në këtë kontekst, Kurti u shpreh se kam bindjen e fuqishme se “e vetmja zgjidhje e qëndrueshme dhe e drejtë është njohja reciproke midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me ç’rast Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën, dhe ta pranojë edhe gjenocidin në Bosnje-Hercegovinë edhe gjenocidin në Kosovë.”
Kryeministri Kurti u shpreh edhe në lidhje me reciprocitetin, vendosja e të cilit nga ana e Kosovës shënoi shtimin e tensioneve në javët e fundit mes Kosovës dhe Serbisë. “Reciprociteti është një mënyrë e shëndoshë për marrëdhënie të mira fqinjësore, të cilin ne nuk e kemi as për inat ndaj dikujt ose për hakmarrje ndaj ndokujt, por si mënyrë që derivon nga koncepti i barazisë.”/DW