Samiti vjetor i Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, ka nisur punimet këtë vit në Egjipt, me thirrjet që vendet të kalojnë “nga epoka e zotimeve në epokën e zbatimit”.
Më shumë se 120 liderë botërorë pritet të mbajnë fjalime në këtë konferencë, të njohur si COP27. Në këtë organizim pritet të marrin pjesë më shumë se 40.000 njerëz, mirëpo disa aktivistë kanë shprehur shqetësime për historikun e Egjiptit në fushën e të drejtave të njeriut.
Në hapje të konferencës, OKB-ja e ka publikuar raportin e ri, në të cilin është përshkruar “kaosi klimatik”.
Në konferencë është bërë thirrje që kriza me energji dhe ajo e ushqimit – të lidhura me luftën e Rusisë në Ukrainë – të mos ndikojnë në marrjen e masave për të luftuar ndryshimet klimatike. Nevoja për marrje të masave është theksuar edhe në raportin e fundit të Agjencisë së OKB-së për Motin. Në të, shkencëtarët kanë vlerësuar se temperatura globale e Tokës është rritur në 1.15 gradë Celsius prej epokës paraindustriale dhe se tetë vjetët e fundit janë më të nxehtit në histori.
Urgjenca për t’u marrë me këtë çështje ka qenë evidente në 12 muajt e fundit për shkak të vërshimeve shkatërruese në Pakistan, si dhe pas të nxehtit ekstrem në Indi dhe Evropë verën që kemi lënë pas. Liderët botërorë do të flasin në këtë konferencë të hënën dhe të martën, dhe pas largimit të tyre, delegacionet do të nisin negociatat se çfarë mund të bëhet./rel