Ligji dhe shteti në Shqipëri veprojnë gjithmonë me dy standarde, gjë e cila ka nisur të shikohet vitet e fundit edhe në bregdet me resortet dhe hotelet e personave me influencë, oligarkëve apo edhe të “fortëve”.
Madje tek këta të fundit as shteti, as ligji, as policia, por tani më edhe media, nuk guxojnë që të futen apo publikojnë skandalet që ndodhin.
Vetëm dy ditë më parëm, “Priza.al” tregoi në lidhje me një skandal dhe një sherr me armë të ftohta që ndodhi në një prej resorteve më të njohura dhe më luksoze të Rivierës Jonieane, në Drimadhe të Dhërmiut.
Ngjarja kishte ndodhur më saktë në fundjavën e kaluar e shtunë 3 korrik, ku rreth orës 01:00 pas mesnate, në “Sanur Beach House” pjesë e resortit që ka edhe “Empire Hotel” në pronësi, u konsumua një sherr i frikshëm që tmerroi pushuesit aty, por që nuk u pasqyrua as në një media dhe madje as edhe në komunikatat e policisë së zonës.
Kjo edhe për shkakun se Policia e Shtetit as që mund të shkelë në atë ambient, kjo për shkak të personave që e kanë në pronësi këtë resort.
“Sanur Beach House”, është i vetmi lokal në zonën e Drimadhes që punon i pa shqetësuar dhe pas dashur të dijë për ligjin dhe aktet normative të qeverisë. Aty virusi korona nuk ekziston edhe pse ka një vendim të Komitetit të Ekspertëve që muzika fiket në orën 22.00.
Po të bredhësh gjithë zonën, lokalet e tjera, sapo prezantohet inspektori i policisë e mbyllin menjëherë muzikën se kanë frikë prej gjobës 10 milionë lekë, që nuk ua mban xhepi.
Por te “Sanuri” nuk ndodh asgjë e tillë. Siç tregon vetë faqja në Instagram, zhurma dhe muzika vazhdon përgjatë gjithë natës pa ndërprerje.
Por jo vetëm muzika dhe shkuma, por edhe alkooli, substancat narkotike dhe herë pas here edhe ndonjë sherr sporadik janë pjesë e “aktivitetit” të larmishëm të këtij resorti i cili frekuentohet kryesisht nga të rinj të pasur, me automjete luksoze, nga personazhe VIP, por edhe të “fortë” që i shpëtojnë ligjit dhe OFL-së, e vijnë për një argëtim ekstra tek “Sanur”.
Por pse e ka frikë shteti “Sanur-in”?
Një inspektor policie në zonë tregon se çuditërisht sapo policët shkojnë aty për të paralajmëruar mbylljen e muzikës, kthehen mbrapsh. Askush nuk ka forcë të mbyllë klubin e natës.
Të rinjtë fokusohen vetëm në atë lokal sepse e dinë shumë mirë që nuk mbyllet. Të gjithë bizneset e tjera të zonës janë “xhelozë” për fuqinë që kanë ata të “Sanurit”, për të mbajtur hapur lokalin kur askush tjetër nuk lejohet të punojë.
Edhe pse ka denoncime në polici që punon vetëm një vend, askush nuk ka fuqi ta mbyllë. Madje, sherri i të shtunës së kaluar me thika mes të rinjve që kanë qenë aty, as që është raportuar nga policia e zonës. Si mund të raportohet kur ka ndodhur pas mesnatës? Sepse gjithë vëmendja do të bjerë mbi autoritetet policore, që nuk e kanë kryer punën e tyre. Që do të thotë se dikush duhet të lërë punën.
Ndaj, ngjarja kriminale me plagosje me thikë “nuk ka ndodhur fare”, por vetëm burime në vendngjarje i’a kanë referuar atë “Priza.al”. Edhe pse të gjithë e dinë, dhe ditën e diel, nëpër plazhet e Drimadhes kjo ngjarje ishte rrëfenja kryesore, askush nuk ka preferuar të flasë publikisht.
Madje edhe policia ka heshtur dhe nuk ka kryer asnjë hetim se, kush ishin grupet që u përplasën dhe realisht pse ka ndodhur sherri.
Ajo që duhet thënë përveç këtij sherri me thika është se, gjithçka të dielën në mëngjes ishte për mrekulli. “Beach bari” punonte normalisht, gjurmët e gjakut ishin fshirë, ndërsa pushuesit po ngroheshin në diell, sikur asgjë nuk kishte ndodhur një natë më parë.
Arsyeja e gjithë kësaj historie që tremb edhe policinë, madje edhe vet ministrin Çuçi, për të cilin thonë se shkon shpesh aty, janë djemtë “e fortë” të fisit që ka ndërtuar këtë resort dhe që nuk pyet as për shtet e as për ligj, madje as për “Rilindjen”.
“Të fortët” e fisit Shehaj
Referuar letrave që janë zyrtare në QKR dhe QKB mbi pronarët dhe pronësinë e “Sanur Beach House” dhe “Empire Hotel”, del se si pronar i tij zyrtar (me letra) është shtetasi Xhevat Shehaj dhe Klodian Shehaj, por si bashkëpronar tjetër në hotel është edhe djali i Xhevatit, Erjoni.
I biri i Xhevatit, Erjoni, i cili është si bashkëortak ose aksioner në këtë kompani, është një i ri që jeton dhe punon në Angli, ku këtë gjë e konfirmon edhe nëpërmjet adresës së vendbanimit në Britani.
Por historia e çunave të fisit Shehaj të cilëve të gjithë u rijnë larg madje edhe shteti, nis me ca histori të më hershme në Itali dhe vende të tjera, prej nga ku duket se kanë ngritur edhe kapitalin për resortet.
Referuar një lajmi të shtatorit 2018 botuar në median shqiptare, policia italiane kishte shkatërruar një bandë që merrej me trafikimin e drogës dhe shpërndarjen e saj në provincën e Leçes.
Lajmi është raportuar nga mediat përtej Adriatikut, që citojnë autoritetet. Mësohet se në një operacion të gjerë janë arrestuar 11 persona, 6 shqiptarë dhe 5 italianë. Shqiptarët e vënë në pranga janë Saimir Sejdini 27 vjeç, Klodian Shehaj 36 vjeç, Danel Gjoci 20 vjeç, Roxhers Nebiu 27 vjeç, Enri Shehaj 25 vjeç dhe Rrapush Tefa 26 vjeç.
Itali/Policia shkatërron bandën e drogës, 6 shqiptarë të arrestuar
Banda kriminale furnizonte me drogë, veçanërisht kokainë, qytetin Galipoli në rajonin e Leçes. Autoritetet gjatë hetimeve kanë zbuluar mijëra episode të shitjes së lëndëve narkotike. Mes të arrestuarve është edhe një person që cilësohet si element i grupit mafioz “Sakra Korona Unita”.
Sipas burimeve nga Policia e Fierit, “Priza.al” ka mësuar se, ishin pikërisht këta persona që ishin kapur në Itali, djemtë e “shkathët” që sot kanë ngritur hotel dhe resort në plazhin e Drimadhes.
Por kjo situatë që nuk “shqetësonte” askënd deri një javë më parë, duket se sot ka nxehur dhe shqetësuar vet Kryeministrin Rama, që ka “shpërthyer” përpara gjithë kupolës më të lartë të Policisë së Shtetit, pa kursyer as ministrin Çuçi.
Reagimi i kryeministrit Rama për muzikën dhe ndërtimet në bregdet
Kryeministri Rama, tha sot se, duhet të godasin pa mëshirë dhe se një ndër objektivat kryesorë ku është e angazhuar policia është edhe operacioni i prishjes së ndërtimeve pa leje, që tashmë është ndërprerë për shkak të sezonit turistik dhe do të rinis sërish shtator.
Rama theksoi, se çdo ndërtesë pa leje në vijën bregdetare duhet të shembet, e përgjegjësia për këtë sipas tij, është e Policisë së Shtetit.
Sipas Ramës, prioriteti i dytë i policisë së shtetit është kontrolli i plotë i territorit, për mbrojtjen e pronës publike dhe mjedisit.
Kryeministri thotë se kodi penal parashikon se pas çdo ndërtimi pa leje ka një përgjegjësi penale dhe personat të cilët kryejnë këto vepra penale duhet të shkojnë në burg!
“Ndërtimet ma leje në zona turistike të mbrojtura natyrore, arkeologjike. Është e frikshme që strukturat e policisë të shpenzojnë energji kilometra kohë për të shkuar dhe për tu futur në telashe dhe në ndjekje penale fshatarë që rregullojnë havllitë dhe me miratimin e tyre.
Bëhen ndërtime pa leje brenda vijës së verdhë të bashkive, hidhet beton, çfarë bën policia e shtetit në ato kuadrata që janë të ndara qartësisht mes komisariateve, kthen sytë nga ana tjetër. Këtu nuk flitet për skena krimi ku në pak sekonda del një armë dhe ata që gjuajnë ikin me motor, këtu flitet për skena krimi aktive me orë me ditë me javë me netë të tëra, është krim i përcaktuar si i tillë në kod penal të ndërtosh pa leje.
Është si çdo krim tjetër madje me dënime shumë të rënda, këto skena krimi zhvillohen në sy të policëve që kanë detyrim ligjor të veprojnë menjëherë. Kësaj mund ti vëmë emrin korrupsion, bashkish neveri, shëmti. Problematike është mosnjohja dhe mosinformimi permanent me ligjin normal, parimet ligjore nga policia e shtetit. Ligjin duhet ta njohë çdo punonjës policie.
Prioritet me numra, prioriteti numër 1 raporti me qytetarin që kërkon që patrullat forcat shqiponja ajo kufitare të hyjnë në një proces shkundjeje shumë të fortë dhe lëvizje domethënëse brenda përbrenda për të promovuar oficerë policie si ju vetë që jeni promovuar dhe për të garantuar që marrëdhënia me qytetarin të jetë A-ZH.
Prioriteti i dytë i policisë së shtetit është kontrolli i plotë i territorit, për mbrojtjen e pronës publike dhe mjedisit. Nuk mund të zhvillohen veprimtari të paligjshme mbi trupin e Shqipërisë. Policia e Shtetit është gardiane për pacenueshmërisë të këtij vendit, që siç thotë Vaso Pasho burrat e vendit e thërrisnin zonjë. Këtë zonjë është policia e shtetit që duhet ta mbrojë nga çdo cenim i bukurive të saj, nga çdo puçërr me qelb që ja nxjerrin në trup bashkëpunuesit dhe policia e shtetit. Janë vepra që bëhen në bashkëpunim këto dhe këtu të gjithë ju do të godisni pa asnjë mëshirë
Operacioni i nisur dhe ndërprerë përkohësisht duhet të jetë një operacion permanent për shembjen e ndërtimeve pa leje, në gjithë zonën bregdetare dhe ato sensitive të vendit.
E kam shprehur si shqetësim edhe me ministrin , leximi i vëmendshëm i kodit penal thotë se pas çdo ndërtimi pa leje ka një përgjegjësi penale, nuk ka rëndësi nëse ndërtimi u kap tani apo u kap nesër, nuk ka rëndësi, nuk mund të shkohet në territorin e bregdetit të konsumohet gjithë ajo energji dhe kohë dhe në fund fare kostot ti marrë shteti dhe populli, edhe për të pastruar inertet. Pas çdo ndërtimi pa leje, ka persona që kodi penal thotë se duhet të shkojnë në burg. Një zinxhir i tërë madje, kodi penal thotë jo iniciatorët, jo pronarët e firmave zbatuese por çdo person i përfshirë në ndërtim pa leje është subjekt i ligjit. Nuk mund të thuash që unë jam thjesht inxhinier dhe nuk e di a ka apo jo leje. Leximi mirë i gjithë këtyre ndryshimeve që janë bërë dhe zbatimi pa asnjë tolerancë i ligjit është një prioritet i gjithë drejtuesve të rinj të policisë.
Prioriteti numër tre është standardi unik, nuk mund të ketë dy standarde për të njëjtin ligj. Nga policia e shtetit duhet të mësojnë të gjithë që kjo gjësë është e detyrueshme dhe e mundur.
Ça domethënë që 28 mijë metra katrorë nuk u kontrolluakan metër për metër për të gjitha abuzimet që bëhen haptazi. Unë jam me ju për uljen e shifrave të kriminalitetit. Po të ishte e mundur që të zhdukej, dhe mos kishte më vrasje e plagosje do e kishin bërë të tjerët. Në këtë pikë jam me ju. Në pikën e kontrollit mbi territorin të veprimtarive që bëhen haptazi, më vjen keq por jam kundër kujtdo që e justifikon këtë. Kjo është e turpshme”.
Duke qenë se kanë ndodhur gjithë këto zhvillime a nuk duhet të ishte objekt OFL-je edhe ky hotel dhe gjithë resorti, pasi përveç akteve normative të qeverisë, duhet të kujtojmë se ka edhe një ligj “Anti-mafie” që vepron në Shqipëri.
/Priza.al/