Sapo votohet qeveria e re, deputeti i mazhorancës hedh ‘shashkën’ e parë: Të rriten taksat në Shqipëri! Minimalisht 20%

Kryetari i Partisë Socialiste në Tiranë, Ervin Bushati deklaroi sot se në këtë kohë sfidash që po kalon Shqipëria, kur të gjithë presin më shumë nga shteti për të përballuar Covid-19 apo emergjencat e ngrohjes globale, “ka ardhur koha të rritet niveli i taksimit në Shqipëri… dhe, nëse shkon e bashkërenduar me atë që po ndodh në vende të tjera, në Shqipëri norma e taksimit për mua në Shqipëri duhet të ishte minimalisht 20% e duhet thelluar progresiviteti.”

Idenë e tij Bushati e dha sot në emisionin “Kafe Shqeto” të SYRI TV, i pyetur nga drejtuesja Dori Daka se çfarë hapi duhej të hidhte të parin kjo qeveri, për ta bërë më miqësore, marrëdhënien me biznesin. Dhe Bushati u përgjigj para të ftuarit në studio, një përfaqësuesi të biznesit, kreut të Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi.

Gazetarja Dori Daka iu drejtoi të dyve pyetjen: Z. Zusi, cila do të ishte kërkesa juaj në këtë fillim të mandatit, nga shteti, në mënyrë që marrëdhënia juaj me shtetin të ishte më miqësore? Një gjë të parë dhe të vetme që do t’i kërkonit shtetit…dhe, nga z. Bushati, cili do të ishte hapi i parë nga ana e qeverisë për ta bërë më miqësore lidhjen me biznesin?

Alban Zusi: Nëse më kërkohet vetëm një gjë është bërja efektiv e Ligjit për Konsultimitn Publik me Bizneset. Nëse ky Ligj i Konsultimit Publik do të ishte efektiv dhe bizneset minimalisht që do të marrin një përgjigje të arsyetuar, unë mendoj se ky është fillimi i gjithë gjërave të tjera.

Ervin Bushati: Atëherë, për ta sjellë në një stad tjetër zhvillimi kapitalin apo biznesin shqiptar unë mendoj se duhet të ketë më shumë liri biznesi. Po të shikosh korrelacioni në vendet e zhvilluara të botës është ku ka taksa më të larta, ka dhe më shumë liri biznesi. Pra është më e thjeshtë të bësh, sepse shteti të ka garantuar shumë dhe të merr edhe më shumë.

Mendoj se edhe në Shqipëri ka ardhur koha që Tatimet psh. të mos shkojnë fare tek bizneset , të krijohen disa masa “të automatizuara”, mos të them robotike, ku biznesi nuk ka lidhje fare me Tatimet vetëm shkon e bën deklaratën; ama nëse nuk është e tillë dhe nuk garantohet nga kontabiliteti, pastaj të marrë gjoba edhe më të larta.

Por kjo do të mundësohej nëse shteti do të fillonte të merrte edhe më shumë përsipër. Ne po e shohim që në të gjithë vendet e botës edhe për shkak të mënyrës si po zhvillohet sot, ekonomia globale – duke pasur sfida të përbashkëta si ngrohja globale, pandemia – po kërkon përgjigje të përbashkëta dhe roli i shtetit është rritur. Pra, presin më shumë nga shteti, si “pagat e luftës”, subvencionet, ndihmat në rast të bllokimit nga COVID, hospitalizimin falas…

Të gjitha këto kanë bërë që shteti të jetë më qendror. Sot që flasim kemi një rritje të shtetit në ekonomi dhe kjo është një fazë e qendrës së majtë. Natyrshëm në të gjithë botën janë rritur taksat kudo me një nivel 2o- 25% dhe unë mendoj se në Shqipëri, të jemi të sinqertë, nëse do të vazhdojmë me këto sfida, me COVID – që duket se do të vazhdojë, me emergjencat që vijnë nga ngrohja globale – zjarret, përmbytjet që po bëhen permanente, patjetër që duhet të kemi fonde të shtuara dhe ka ardhur koha të rritet niveli taksimit në Shqipëri. Dhe, nëse shkon e bashkërenduar me atë që po ndodh në vende të tjera, në Shqipëri norma e taksimit për mua duhet të ishte minimalisht 20% dhe duhet thelluar progresiviteti.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *