Gjykata e Sarandës ka caktuar pak minuta më parë masën e sigurisë “Arrest në burg” për 36-vjeçarin Sotir Çabiri të dyshuar si autor të shpërthimit me eksploziv të hotel “Bizanti” në orët e para të mëngjesit të se hënës.
Para trupit gjykues, Çabiri ka vazhduar të mbajë qëndrim mohues duke u shprehur se ndodhej në hotel për të marrë diçka që kishte harruar pasi po atë ditë do te shkonte ne Angli, ndaj dhe ishte filmuar duke dalë nga objekti 3 minuta para shpërthimit.
Megjithatë Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”. Çabiri pritet të transferohet drejt Burgut të Bënçës.
Ndërkohë sot në Sarandë kanë mbërritur inspektorë të IKMT së bashku me një mjet çekiç, për të ndihmuar në pastrimin e vendit të ngjarjes ku prej 4 ditësh ndodhen ekspertë anti-eksploziv dhe ata të policisë së Sarandës. Burime konfidenciale bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një kallëp tritoli i pashpërthyer, ndërkohë qe ekspertët vazhdojnë t’i qëndrojnë mendimit se autori ka përdorur 50 kg eksploziv për shpërthimin.
Madje burime bëjnë me dije se sasia më e madhe ishte vendosur në themelet e një depoje ne katin përdhes të hotelit ndërsa pjesa tjetër nëpër kolona dhe për ketë janë hapur vrima me trapan nga ana e autorit. Hetimet po vazhdojnë intensivisht nga policia dhe prokuroria pasi ende nuk është vërtetuar plotësisht nëse autor real është Çabiri dhe nëse në ngjarje kanë vepruar me shumë se një person.