I dërguari special i Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka paralajmëruar për rreziqet që vijnë nëse s’ka progres në çështjen e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Në një intervistë për DW, Sarrazin ka thënë se është lajm i mirë edhe për Ballkanin, vendimi që Ukrainës t’i ofrohet në afat rekord statusi kandidat për Bashkim Evropian.
Sarrazin ka thënë se duhet t’i bëhet e qartë Serbisë që të mbështesë sanksionet kundër Rusisë, por të mos i jepet mundësia të thotë se “po ia shuajmë dritat në vendin e tij”.
Sipas tij, masa më e rëndësishme që edhe Serbia të largohet nga ndikimi rus është që të ketë besim në premtimin për zgjerim të BE-së.
“Prandaj është kaq e rëndësishme që më në fund t’i korrigjojmë këto gabime që kemi bërë me politikat e zgjerimit, liberalizimin e vizave dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe të tregojmë se kur bën progres, Evropa i mban premtimet”, ka thënë Sarrazin.
Sa i përket Kosovës, ai ka thënë se vendin duhet ta shpërblejnë për reforma.
“Premtimi për zgjerim i bërë në Samitin e Selanikut të vitit 2003 vlen ende. Për Bosnjë-Hercegovinën mbeten të plotësohen 14 prioritetet thelbësore dhe të zbatohen reformat, në mënyrë që t’i jepet statusi i kandidatit. Në Kosovë, Qeveria është duke bërë reforma dhe ne duam t’i shpërblejmë. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një nga ato hapa të domosdoshëm që duhet vijojë. Por edhe dialogu i normalizimit me Serbinë duhet të rifillojë dhe të dyja palët duhet të jenë të gatshme për progres”, ka thënë ai.
Ai është shprehur skeptik edhe për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”.
“Duhet të jetë e qartë se iniciativat në rajon së pari duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të ofrojnë mundësi reale për t’u përfshirë në to. Dhe nga ana tjetër, është e rëndësishme që të mos hapen struktura paralele. Përveç kësaj, duhet të jetë gjithmonë e qartë se në asnjë mënyrë ato nuk e zëvendësojnë anëtarësimin në BE”, ka thënë ai duke shtuar se Procesi i Berlinit ka qenë “gjithmonë një format tërheqës” e se Gjermania është e vendosur të përkujdeset në mënyrë intensive për të gjithë rajonin e Ballkanit.
Manuel Sarrazin, 40 vjeç, ka qenë deputet i Bundestagut për Bündnis 90/Die Grünen nga viti 2008 deri në vitin 2021 dhe është President i Shoqërisë së Evropës Juglindore, institucioni më i rëndësishëm i konsultimit akademik dhe politik për çështjet e Ballkanit në Gjermani. Që nga 1 marsi 2022, ai është përfaqësuesi special i Qeverisë Federale Gjermane për Ballkanin Perëndimor.