Sarri nuk e do Taren, Lotito i del kundër/ Gati plani për ta ndaluar që të shkojë te Juventusi apo Totenhem

Përplasjet e trajnerit të Lacios, Mauricio Sarri, me Igli Taren, janë bërë publike prej kohësh në mediat italiane. Për më tepër, në verë u raportua se drejtuesi shqiptar ishte pranë largimit nga bardhëkaltrit pikërisht si pasojë e këtyre mosmarrëveshjeve.

Por presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, vazhdon të vlerësojë maksimalisht punën e Tares dhe kjo tregohet qartë nga vendimi i fundit që ka marrë ai. Sipas “TMË”, Lotito po bëhet gati që t’i ofrojë shqiptarit një rinovim trevjeçar të kontratës, në mënyrë që të vazhdojë të planifikojë të ardhmen e klubit kryeqytetas i cili edhe pse me një buxhet shumë më të ulët, e sheh veten të përfshirë plotësisht në luftën për Ligën e Kampioneve.

Italianët insistojnë se kjo është një manovër që Lotito kërkon ta kryejë sa më shpejt, edhe për të shmangur një interesim në rritje të Juventusit dhe të Totenhem për të. Bardhezinjtë kanë në kërkim të një drejtori sportiv për të nisur një cikël të ri, pas spastrimit në klub. Ndërsa Totenhemi do të humbasë për një kohë të gjatë Fabio Paratiçin, drejtorin sportiv i cili u dënua gjithashtu se është përfshirë në çështjen e plus valencave pikërisht te Juventusi.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *