Një 31 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës ditën e sotme. Shtetasi me iniciale J.H, në banesën e tij në rrugën “Gjin Kuqali”, i janë sekuestruar sasi lënde narkotike të ndarë në dhjetëra doza, një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm, tre aparate celulare dhe një peshore elektronike.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në të dhënat e grumbulluara në rrugë operative, se një shtetas posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike kanabis sativa në zonën e Shushicës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Finish”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– J. H., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, në rrugën “Gjin Kuqali”, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike të ndarë në dhjetëra doza, një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm, tre aparate celulare dhe një peshore elektronike”, thuhet në njoftimin e policisë