Scholz: Ballkani Perëndimor të përfshihet në zgjerimin e BE-së

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, është “i përkushtuar” për zgjerimin e Bashkimit Evropian për të përfshirë në të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukrainën e Moldavinë, si dhe Gjeorgjinë. Ai tha se “qendra e Evropës po lëvizjes drejt lindjes”.

“Anëtarësimi i tyre në BE është në interesin tonë”, tha Scholz gjatë një fjalimi më 29 gusht në Universitetin Çarls të Pragës, teksa ai shpalosi vizionin e tij për një Evropë të zgjeruar.

 

Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia, që të gjitha po kërkojnë anëtarësim në BE. Por, gjashtë shtetet e Ballkanit kanë shprehur zhgënjimin e tyre për shkak të ngecjeve në proces, veçanërisht pasi blloku vendosi në qershor, përmes një procesi të përshpejtuar, që t’i japë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendit kandidat.

Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi janë në një stad më të përparuar drejt anëtarësimit, dhe dy shtetet kanë hapur disa kapituj me BE-në. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut korrikun e këtij viti kanë nisur bisedimet për anëtarësim, ndërkaq Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina mbeten të fundit në rajon sa i përket rrugëtimit të tyre drejt BE-së. Prishtina dhe Sarajeva ende nuk kanë fituar statusin e vendit kandidat.

Në dritë të pushtimit rus të Ukrainës, Scholz u bëri thirrje të 27 anëtarëve të bllokut që të “zgjidhin konfliktet e vjetra dhe të gjejnë zgjidhje të reja”, duke shtuar se Gjermania do të vazhdojë mbështetjen e saj për Kievin “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Megjithatë, “në këtë bllok të zgjeruar, dallimet midis shteteve anëtare do të rriten sa i përket interesave politike, ndikimit ekonomik dhe sistemeve të sigurisë shoqërore”, tha ai.

“Ku kërkohet unanimiteti në ditët e sotme, rreziku që shtetet individuale të përdorin veton dhe të parandalojnë shtetet e tjera për të marrë vendime, rritet pas çdo anëtarësimi të ri”, shtoi ai.

“Prandaj, kam propozuar një tranzicion gradual drejt votimit përmes shumicës për politikën e përbashkët të jashtme, por edhe për çështje të tjera, sikurse politikat tatimore – duke e ditur shumë mirë se kjo mund të ketë pasoja për Gjermaninë”, tha Scholz.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *