Serbët në veri kanë vendosur dy barrikada të reja mëngjesin e së martës, pavarësisht thirrjeve të BE-së dhe KFOR-it që të hiqen ato që ishin vendosur ditë më parë.
Besim Hoti nga Policia e Kosovës në veri ka bërë të ditur për KOHËN se njëra barrikadë është vendosur në udhëkryqin te shkolla teknike dhe tjetra te vendi i quajtur “Kërshi i Dudes”.
Këto barrikada e çojnë në 13 numrin e barrikadave të vendosura në veri që nga 10 dhjetori.
Barrikadat janë vendosur si kundërshtim për arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.
Pantiq u arrestua nën dyshimin për sulm kundër anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri.
Gjatë ditës së hënë Bashkimi Evropian (BE) dhe KFOR-i kanë kërkuar që të hiqen barrikadat në veri.
BE-ja ka thënë se liria e lëvizjes në Kosovë duhet të kthehet menjëherë dhe pa kushte e të garantohet “liri e plotë dhe e papenguar e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet, përfshirë edhe liderët fetarë”.
BE-ja ka përsëritur sërish se “kërkon nga dyja palët që të zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet që rrjedhin nga dialogu”.
Edhe KFOR- i ka kërkuar vazhdimisht ditëve të fundit që barrikadat të hiqen përmes dialogut.