Gazetari Bledi Mane ka reaguar ndaj deklaratës së Nita Latifit, e cila u shpreh se nuk do të lidhej kurrë me një tip si ai. Dy ish-banorët e Big Brother Vip u puthën dhe u martuan gjatë një loje si dhe u aludua për një raport më shumë se sa miqësor mes tyre.
Por duket se këngëtarja dhe gazetari kanë prishur raportet mes tyre. Në një intervistë për “Prive”, Nita Latifi u shpreh se “nuk do të lidhem kurrë me një tip si Bledi Mane”.
Pas deklaratës së saj, Bledi Mane “shpërtheu” në një postim në Instagram ku e quajti një “mosmirënjohëse amatore”.
“Ditën e dytë pasi hyra në Big Brother hapa frigoriferin dhe ç’të shoh? Aty brenda gjeta sunxhuk, djathë, avokado dhe Nitën. Këtë të fundit banorët e tjerë e kishin harruar te ngrirja ndaj e nxora, e mbajta afër, e orientova, e iluminova, e mësova të ecë vetë në jetë por si mosmirënjohëse amatore që është e tregoi veten shumë shpejt. Tani që edhe në Prishtinë ia pinë lëngun e kanë futur sërish në frigorifer. Lutu për Nitën” – shkroi ai.