Një nga programet më të ndjekur në Britaninë e Madhe, një formulë me sukses ndërkombëtar do të realizohet në Shqipëri nga ‘Tv Klan’. Bëhet fjalë për “Love Island”.
Në një intervistë për Señal News, drejtori menaxhues i “Love Island” në ITV Studios, Arjan Pomper, u shpreh se:
“Shtrirja në 25 territore është një moment historik fantastik. Ky show i pëlqyer globalisht po thyen rekorde kudo dhe ne jemi vërtet të emocionuar që audienca në Shqipëri dhe Maltë do të shijojë sezonet e para lokale të ‘Love Island’ shumë shpejt!”
Ai zbuloi se ‘Tv Klan’ ka blerë patentën për dy sezone dhe programi do të drejtohet nga moderatorja Luana Vjollca. Sezoni i parë është planifikuar të transmetohet në pranverë të këtij viti.
Mësohet se konkurrentët do të qëndrojnë në një nga vilat më të mëdha në resortin ‘Green Coast’ në Palasë.
“Love Island” (Ishulli i dashurisë) është një program i suksesshëm dhe me tepër ndikim në Britani. Ai përfshin një grup konkurrentësh, që jetojnë të izoluar nga bota e jashme në një vilë, të mbikëqyrur nga kamera.
“Love Island” u bë emisioni më i ndjekur i ITV në historinë e rrjetit në vitin 2018, ndërsa që prej vitit 2020 ka qenë emisioni televiziv më i ndjekur nga audienca 16-34 vjeç.