Ministria e Drejtësisë shumë shpejt do të nisë punën për hartimin e një Kodi të ri Civil, ndërkohë që grupi i punës për Kodin e ri Penal vijon. Lajmin e dha sot ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili tha se ashtu si Kodi Penal edhe Kodi Civil është i vitit 1995, 3 vite para se të miratohet Kushtetuta ndërkohë që në këto 28 ka pasur ndryshime të mëdha politiko-shoqërore në vend.
“Në do të nisim punën për një Kod të ri Civil. Kushtetuta është e vitit 1998, praktika ka ecur përpara, dinamika e marrëdhënieve shoqërore ka avancuar shumë, jemi në një proces përafrimi me legjislacionin. Sigurisht që do kohë dhe diskutimet do të jenë të gjera”, tha Manja, në një tryezë sot për reformën në drejtësi.
Ai foli edhe për ecurinë e punës për Kodin e ri Penal: “Kemi një grup pune që ka përfunduar hartimin e pjesës së përgjithshme, do të bëhet edhe pjesë e posaçme. Dhe ne do të kemi një draft të Kodit të ri penal që do të marrë të gjithë kohën për diskutime se është një reforma e madhe politike Edhe kodi Penal është i vitit 1995”.