Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka thënë se Ledio Braho do të ishte personi i duhur për postin e Avokatit të Popullit, edhe pse emri i tij u refuzua nga mazhoranca.
Në një lidhje me gazetaren Juli Xhokaxhi, Tabaku tha se Braho fillimisht nuk ishte ndër emrat e përjashtuar nga socialistët, por më pas pozicioni i tyre ndryshoi.
“PS kishte 11 emra, nga këto 3 i përjashtoi. Braho nuk ishte nga njerëzit e përjashtuar. Sot u kujtuan që nuk u pëlqen emri. Le ta rrëzojnë, për mua nuk ka rëndësi emri, ka rëndësi institucioni. Për mua Ledio Braho do i bënte nder atij institucioni. Mua më duket thjesht justifikim dhe besoj se nisja edhe njëherë e procesit do të sjellë një kandidaturë të re”, tha deputetja.
Tabaku bëri edhe njëherë të qartë se Partia Demokratike nuk do të marë pjesë në votimin për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese. Ajo theksoi se demokratët janë kundër emrit të Ardian Dvoranit dhe shtoi se në këtë institucion duhet të jetë një person që nuk influencohet nga politika.
“PD nuk do të marr pjesë në votimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Është e padrejtë që deputetët të vendosen në presion, është e padrejtë që në Gjykatën Kushtetuese të zgjidhet një anëtar që i ka borxh politikës. Për mua nuk ka rëndësi kush është emri dhe kush do të shkojë atje, për mu aka rëndësi që të mos jetë i influencuar nga politika”, tha Tabaku.
Deputetja bëri me dije se kandidatura për Avokatin e Popullit do të bjerë dhe ndoshta procesi do të nisë edhe njëherë. Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, Tabaku tha se duhet të zgjidhet anëtari me më shumë pikë nga KED, që është Mariana Semini.
Ajo bëri edhe një pasqyrim të situatës aktuale në parlament, teksa vuri në dukje se shqiptarët kanë kaluar një vit të vështirë dhe viti i ardhshëm pritet të jetë i ngjashëm.
“Unë e shoh vitin e ardhshëm shumë të vështirë, kjo seancë ishte një përmbledhje e asaj që ka ndodhur gjatë këtij viti”, tha Tabaku.