Seanca e fundit e Kuvendit të Shqipërisë për këtë vit kalendarik ka nisur sot rreth orës 10:00. Ndër të tjera, gjatë punimeve pritet të diskutohen edhe disa shtesa e ndryshime lidhur me buxhetin e vitit 2022 si dhe projektligji për disa ndryshime në ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave ka marrë fjalën e para në seancën e sotme. Ajo u shpreh se prodhimi i brendshëm bruto ka shënuar rritje, teksa inflacioni rezulton në nivele mesatare. Ibrahimaj tregoi se objektivi mbetet ulja e deficitit buxhetor.
“Inflacioni ka rezultuar në nivele mesatare, rreth 6% ndërkohë që ka kaluar pikun që ishte në muajin nëntor. Ka një inflacion më të ulët se vendet e rajonit. Konsolidimi fiskal vijon të jetë themelimi i ekonomisë.” – tregoi ndër të tjera ministrja.
Sakaq, pas replikave nga ana e deputetes së Partisë Demokratike Jorida Tabaku, Ministrja Ibrahimaj u shpreh: “Inflacioni nuk është i Shqipërisë, është i Putin.”
Sipas saj, rishikimet e buxhetit janë bërë me qëllim mbrojtjen e shtresave në nevojë.