Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.
Në letrën drejtuar Nikollës, Alibeaj kërkon që në seancën plenare të ditës së enjte të bëhet debat për ndryshimet e ndodhura së fundmi në qeveri.
Sipas Alibeajt siç ndodh rëndom në të gjitha rastet kur i duhet të përballet me faktet, Edi Rama urdhëron votimin pa debat. Ai thotë se ndryshimet e qeverisë po bëhen për të përfituar dhe abuzuar në kurriz të shqiptarëve.
Alibeaj deklaron se është e qartë se kreu i qeverisë dhe marionetat me të cilat ai lëviz fijet e pushtetit i tremben debatit, përballjes me faktet dhe të vërtetën.
“Ai është përgjegjës kryesor i varfërisë së shkaktuar nga korrupsioni, i vjedhjes galopante që ka zbrazur xhepat e qytetarëve. Për këtë ai përdor çdo mënyrë për të shmangur debatin publik, përballjen me faktet dhe të vërtetën që shqiptarët e kuptojnë çdo ditë e më shumë”, shkruan Alibeaj.
Letra e Alibeajt:
Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së kam paraqitur pranë Kuvendit kërkesën për debat në seancën plenare të së enjtes, ku do të votohet për ndryshimet e fundit në qeveri.
Siç ndodh rëndom në të gjjtha rastet kur i duhet të përballet me faktet, Edi Rama udhëron votimin pa debat. Edhe pse është e shkruar qartë në nenin 110 të Rregullores që sanksionon se Kuvendi ia nënshtron debatit parlamentar përbërjen e qeverisë. “Asnjë deputeti, – thotë neni 46 i Rregullores, “që dëshiron të diskutojë për një çështje të rendit të ditës, nuk mund t’i hiqet e drejta e fjalës. “
Është e qartë se kreu i qeverisë dhe marionetat me të cilat ai lëviz fijet e pushtetit i tremben debatit, përballjes me faktet dhe të vërtetën.
Është po kaq e qartë se Edi Rama dhe makiazhi i qeverisë së tij nuk bindin më askënd në Shqipëri. Madje as me besnikët e tij. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që në këtë krizë të thellë që ka përfshirë Shqipërinë në vend të përballjes me faktet, me problemet dhe hallet e përditshme, shqiptarëve u ofrohen debate shterpë që i interesojnë vetëm klaneve të etura për pushtet brenda PS-së.