Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka folur jashtë dyerve të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj është shpallur investitor strategjik nga qeveria. Bylykbashi tha për mediat se asnjë deputet apo ministër nuk mund të përfitojë nga pasuria e shtetit dhe për këtë standarti është vendosur.
“Precedenti është vendosur. Nëse sot do të bjerë ky precedent dhe qeveria me presionin që ka ushtruar deri në këto momente, do të arrijnë ta zhbëjnë këtë pikën 3 të nenit 70, të 140 bashkëshortët apo bashkëshortet e deputetëve, apo ministrave do të kenë mundësinë të ushtrojnë nëpërmjet kamuflimit, marrëveshjeve të simulimit, krijimit të kompanive fiktive dhe të ushtrojnë pushtetin në mënyrë të tillë, që të hyjnë të varfër në pushtet dhe të dalin të pasur. Kjo është e papranueshme dhe sot është sigurisht detyra, nderi dhe përgjegjësia e Gjykatës Kushtetuese të mbrojë interesin publik” – tha Bylykbashi.
Deputeti i Partisë Demokratike u shpreh se ai dhe kolegët e tij janë në mbrojtje të interesit publik dhe gardiani i fundit për ta garantuar këtë është Gjykata Kushtetuese.