Ditën e sotme, Kuvendi i Shqipërisë do të mbajë një seancë të posaçme në nder të viktimave të Holokausit. Ajo do të mbahet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Seanca do të nisë në orën 10:00 dhe do të hapet me fjalën e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla. Më pas do të marrë fjalën kryeministri Edi Rama, si edhe krerët e grupeve parlamentare.
Asambleja e Përgjithshme OKB-së caktoi 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, datë e cila përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau në vitin 1945. Sakaq, Shqipëria është një prej vendeve të pakta në botë ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan jo vetëm hebrenjtë që jetonin në vendin tonë, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Qendrore. Muzeu Historik Kombëtar i ka kushtuar një kënd të veçantë popullit hebre dhe mbështetjes së shqiptarëve ndaj tyre.