Më 24 qershor 2018 pas disa akuzave në dukje si retorikë politike për mbërritjen në vend në mënyrë ilegale të një sasie prej disa milionë euro, vërtet policia kapi në port të Durrësit në disa makina që po importoheshin nga jashtë, një sasi prej 3.4 milionë euro.
Zhurma e mbuloi këtë ngjarje. Akuzat politike i zunë vendin zbardhjes reale. Pyetjet ishin pa përgjigje. Madje ishte aq kakofoni sa nuk u pat mundësi të renditeshin pyetjet, të cilat mund të zbardhnin këtë rast të paprecedent trafiku të shumave monetare.
–Cila është origjina e atyre lekëve që u kapën?
-Cilët janë krerët e grupeve kriminale që i kishin nisur ato lek për në Shqipëri?-A ishte ajo rruga e parë dhe e fundit e këtij grupi që solli miliona euro cash në Shqipëri?
-Ku janë investuar miliona euro që kanë ardhur në formë të ngjashme?
-Ku dhe si po i fshehin pronarët e “Tojotave” bisneset dhe investimet e bëra në Shqipëri me lekët e siguruara nga aktiviteti kriminal?
Të gjitha këtyre pyetjeve që shërbejnë në zbardhjen jo vetëm të kësaj ngjarjeje por edhe të një grupi të strukturuar kriminal të cilët tashmë janë maskuar nën petkun e bisnesmenëve të ligjshëm, priza.al do përpiqet t’i japë përgjigje ditë pas ditë.
Kështu sipas burimeve tona krerët e grupit kriminal që solli në Shqipëri 3.4 milionë eurot që u kapën janë Astrit Vladi dhe Mentor Mezini i njohur edhe si Tor Lushnjari.
Fitimet e Mentor Mezinit në trafikun global të drogës ishin kolosale dhe duheshin gjetur mënyra për të sjellë para cash këtu.
Mentor Mezini sëbashku me Astrit Vladin nëpërmjet disa kompanive të importit dhe shitjes së automjeteve për të cilat do të flasim në vijim nisën të sillnin miliona euro këtu. Llogaritet që nëpërmjet kësaj metode, pra me importin e automjeteve ky grup ka sjellë mbi 100 milionë euro cash. Një nga rrugët “ra” për një kohë të shkurtër. Sepse lekët u morën mbrapsht. Një strukturë e tërë me “bisnesmenë” lëshuan deklarata se kush më shumë e kush më pak, po sillte lekët e veta në Shqipëri dhe për këtë i kishin rënë në qafë Astrit Vladit, ndërsa emrin e Tor Lushnjarit, askush nuk e dintë në këtë histori.
Por edhe pse pakkush guxoi ta lidhë Mentor Mezinin me origjinën e rastit “Tojota”, protagonistët i lidhi fati i keq. Rënia e SKY EÇ zbuloi interesin e S.Celës për të mbajtur larg emrin e Mentor Mezinit nga cdo akuzë si për trafik droge ashtu edhe për rastin e “importit” të miliona euro. Dosja e SPAK në goditjen e bandës së S. Celës, pas faqes 220, ka të qarta komunikimet dhe përfshirjen e Tor Lushnjarit në trafik droge, pastrim parash etj.
Nuk po publikojmë asnjë rradhë nga ajo dosje, pasi ka një vendim prokuorie që e ndalon, por kjo nuk do të thotë që logjika “ndiq paranë” nuk funksionion në këtë rast.
Nga “ndjekja” e parave të Mentor Mezinit shihen të dhëna interesante. Transaksione, investime, prona, ortakëri dhe para të injektuara tek bisneset e ligjshme të personave të tretë.
Mentor Mezini pa asnjë historik bisnesi u bë investitor ku me letra e ku pa letra ne dhjetra objekte dhe kulla në Tiranë dhe bregdet. Tor Lushnjari mori madje dhe leje në një nga vendet më strategjike të Tiranës, tek diga e Liqenit Artificial, por duke qënë se drejtësia iu vu pas, ai e “shiti” pjesën e tij tek Sokol Meqemeja i salçiçeve dhe një tjetër grup bisnesi në Tiranë.
Investimet e Mentor Mezinit (Tor Lushnjarit) kalojnë shifrën e 120 milionë eurove. Para të përfituara ndër vite nga aktivitet I theksuar kriminal këtej e andej kufinjve që shtrihet deri në Amerikën Jugore dhe atë latine kryer nga Mentor Mezini dhe Astrit Vladi.
Ky shkrim është prelud jo vetëm I një serie shkrimesh të priza.al që do japin një variant të ngjarjes bazuar në fakte dhe prova, por edhe i drejtesisë e cila për hir të së vërtetës edhe pse duket se nuk e ka të qartë se çfarë ka ndodhur, në të vërtetë e di mire rolin e kujtdo madje dinë edhe ku janë investuar miliona euro të trafikut ndërkombëtar të drogës.
-Vijon-
*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*