Sekserët e mikrofinancave ‘godasin’ sërish/ U vjedhin të dhënat qytetarëve me telefonata anonime dhe tërheqin kredi konsumatore brenda një ore  

Qytetarë, bëni kujdes nga telefonata anonime që u vijnë gjoja në emër të kompanive celulare! Po po, bëni shumë kujdes sidomos kur në emër të kompanive të ndryshme celulare ju ofrohen oferta javore ose mujore, dhe u kërkojnë në shkëmbim të dhënat personale të kartës së identitetit.

Jo edhe mund të mos e dini, por dikush në atë moment sapo ju ka futur në kurth dhe pasi merr të dhënat tuaja të kartës së identitetit, vrapon për në zyrat e një institucioni mikrokredish për të tërhequr në një kohë rekord 100-300 mijë lekë kredi në emrin tuaj.

Po si është e mundur kjo? Nëse ju kontaktoheni nga numra të panjohur që ju thonë se po ju marrin nga një “X” kompani celulare dhe se keni fituar një ofertë vjetore me gjysmë çmimi pa qenë nevoja që të paraqiteni në zyrat apo dyqanet e kompanisë, ky është vetëm një mashtrim.

Ata që ju kontaktojnë nga numri i panjohur, që zakonisht janë femra, ju justifikohen se për të plotësuar procedurën u duhen numrat e kartës tuaj të identitetit në rastin më të shpejtë, si dhe një adresë e juaja formale.

Nëse i jepni këto, pa pyetur shumë se kush janë personat që po u telefonojnë, çfarë autorizimi kanë ta bëjnë këtë, çfarë emri kanë, pozicionin dhe të tjera detale rreth tyre dhe kompanisë, po bëni një gabim të madh që më shumë se sa para do t’u kushtojë stres dhe andralla.

Ditët e fundit janë të shumta rastet kur qytetarë të ndryshëm në Tiranë por dhe qytete të tjera, janë telefonuar nga numra anonim që u kanë deklaruar se janë fitues të “ofertave zbritëse” nga kompania celulare që ata kanë numrin, dhe se sapo të jepni numrin e ID-së, pa qenë nevoja të shkoni në dyqanet e kompanisë, mund të përfitoni deri për 1 vit përgjysmim të ofertës tuaj telefonike.

Si po ndodhin mashtrimet

Sot në “Priza.al” erdhi dëshmia e një zonjë nga Tirana, me profesion mësuese dhe me inicialet M.A., e cila ishte telefonuar nga një numër anonim në emër të një kompanie telefonike dhe i ishte komunikuar se “sapo ishte përzgjedhur pas një shorteu të kompanisë, për të përfituar përgjysmim të tarifës telefonike”.

Për këtë zonjës M.A. iu kërkua nga një tjetër femër përtej numrit telefonik dy numrat e kartës së identitetit dhe një adresë se ku banonte. Por qytetarja edhe pse nuk ishte mjaftë e vëmendshme, kishte kapur faktin se atë numër nuk e kishte më tek kompania që telefonuesit pretendonin se ishin, por i kishte bërë portabilitet numri në një tjetër kompani.

Pas kësaj znj. M.A. nguroi që të jepte të dhënat e kartës së identitetit operatores me të cilën po komunikonte, edhe pse oferta ishte tepër joshëse dhe shtrihej në një vit. Pas këtij refuzimi, asaj ju ndërpre telefonata, por vetëm pas 30 minutash po nga ky numër, ajo u mor por nga një tjetër operatore që i kishte thënë se kishte për të një ofertë “të parezistueshme” por jo për përgjysmim tarife telefonike, por këtë herë për një dyshek italian dhe se po e telefononte nga një kompani Call-Centre.

(Foto e Nr. anonim që ka telefonuar shtetasen M.A.)

Menjëherë qytetarja u interesua përgjat rrugës në dy prej dyqaneve të kompanive telefonike, të atij që kishte numrin dhe të atij që kishte pasur më parë këtë numër. Në të dyja dyqanet e kompanive celulare, vajzat e shërbimit i ngritën supet për ofertën, por i thanë të bënte kujdes pasi “ka edhe mashtrues”.

Kjo e detyroi shtetasen M.A. që të vendosë të denoncojë këtë fakt, duke i dhënë “Priza.al” jo vetëm dëshminë e saj, por edhe numrin të cilin e kishte marrë dy herë dhe i kishte rezultuar se nuk vinte nga kompani celulare, por nga Call-Centera anonim.

Ndryshon skema e mashtrimit të IFJB-ve, infiltrojnë sekserë në kompanitë Call-Centre

Institucionet që japin kredi konsumatore ose të njohura ndryshe si IFJB, prej disa kohësh janë hedhur në një fushatë agresive publicitare për të siguruar klientë të rinj, në një kohë që kanë thjeshtuar në maksimum procedurat për përfitimin e kredive konsumatore.

Në më pak se një orë me një kartë krediti, kushdo mund të marrë pranë disa IFJB-ve kredi nga 100 – 300 miljë lekë të rinj.

Por duke mbetur pa klientë dhe duke pasur një portofol të lartë borxhi dhe kredish të këqija, shumë nga këto IFJB kanë ngritur edhe një rrjet të gjerë sekserësh që herë pas here sjellin klientë ose “peshq” të mashtruar në këto institucione.

Skema është ngritur në disa raste nga punonjës ose edhe nga drejtues dhe aksionerë të këtyre IFJB-ve, por në shumë raste ajo është zbuluar dhe ka dalë si skemë mashtrimi ose pastrimi parash.

“Priza.al” edhe më herët që në fillimet e saj, ka nisur ta ngrejë me të madhe këtë skemë mashtrimi ku në qendër të saj kanë qenë institucione si “Fondi Besa”, “NOA” apo dhe “Iute Credit”, por edhe pse ky fenomen është evidentuar me fakte, prova, dëshmitar dhe regjistrime, sërish institucionet e shtetit duke nisur që nga SPAK-u apo Krimi Ekonomik, nuk kanë lëvizur ende.

Por nga informacionet që na kanë ardhur nga bashkëpunëtorët tanë konfidencial, “Priza.al” ka mësuar se disa prej IFJB-ve kryesore të denoncuara edhe më herët nga ne për skema mashtrimi dhe favorizimin e tyre, i kanë orientuar sekserët e tyre drejt burimeve të të dhënave personale.

Një nga sektorët ku sekserë të IFJB-ve kanë mësyrë kohët e fundit kanë qenë edhe Call-Centera të ndryshëm me një qëllim fare të thjeshtë, sigurimin e data-bazeve të të dhënave personale të klientëve të ndryshëm.

Kjo është shumë e thjeshtë pasi në shumë Call-Centera operatorët kanë lista me të dhëna personale klientësh që bëjnë porosi ose blerje të ndryshme, por edhe lista të tëra me numra telefonikë, prej nga ku tentohet në forma më private telefonimi dhe mashtrimi për përvetësim të të dhënave personale.

Këtë problem “Priza.al” do ta ndjekë edhe në ditët në vijim me fakte dhe prova të reja, por fton lexuesit e saj që të sjellin edhe ata prova dhe dëshmi të tyret për të ndihmuar në zbardhjen dhe demaskimin e kësaj skeme të re mashtrimi.

Vijon…

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *