Borde menaxhimi çmimesh, apo abuzimi ndaj biznesit?
Me miratimin me akt normativ të ngritjes së Bordit të Administrimit të Karburanteve dhe Bordit të Transparencës për Çmimet Bazë për Produktet Ushqimore, tregu dhe ekonomia jonë hynë në një masë të madhe në një nivel kombëtar të kufizimit të vendimarrjes së bizneseve nga faza e e prodhimit deri te faza e tregtimit.
Praktikisht, vendimet e Bordit për karburantet prekin gjithë zinxhirin e furnizimit me kete mall te patjetersueshem per ekonomine. Ndërsa, për tregun e produkteve ushqimore bazë, vendimet e Bordit ndikojne mbi zinxhirin e mbi 30 perqind te volumit prodhues dhe tregtar te vendit.
Në kushtet e rritjes së çmimeve në një treg si ky i yni, i shtrembëruar nga mungesa e konkurencës, prania e informalitetit në nivele mbi 40 përqind, sipas raporteve te Bankes Boterore, si dhe ndërhyrjeve të qeverisjes se sektit Rama me tarifa dhe pagesa të ndryshme, pa u thelluar në efektet që sjellin mbi operatorët e tregut, pasojat jane te shumta dhe tejet te demshme.
Pasoja e parë që ka dhënë prej pak ditësh me vendimet e tij Bordi për Transparencën e çmimit të karburanteve është ai i kufizimit të xhiros dhe furnizimit me karburant jo të njëjtën mënyrë. Pikat e pakicës, të cilat kanë ndërtuar marëdhënie kontraktore bazuar mbi planet e tyre tashmë vendosen përballë një konkurrence edhe më të fortë se më përpara.
Pasoja e dytë e menjëhershme është se kontrolli i çmimeve me borde të çon në favorizime të bizneseve kliente dhe favorite të sektit në qeverisje. Konkurrenca në treg bëhet edhe më e padrejtë për një segment të caktuar të pikave të tregtimit me pakicë, pasi atyre mund tu përkeqësohet situata financiare, por edhe qarkullimi. Ndërhyrja në vendimarrjen e biznesit të shitjeve me pakicë dhe shumicë, duke konsideruar një kohëzgjatje jo më shumë se disa mujore të “ngrirjes” së fitimeve, po shkakton mungesa dhe po përkeqëson problemet e zinxhirit të furnizimit. E njejta gje po ndodh dhe me tregun e prodhimit dhe tregtimit të produkteve bazë të shportës.
Ky ndikim, për fat të keq, nuk po kufizohet vetëm për këto produkte dhe bizneset që operojnë me to, por po shtrihet edhe te furnizuesit e tyre, të cilët së bashku kanë nisur të hasin probleme të likuiditetit dhe pamundësisë për të paguar në kohë për furnizimet.
Sekti Rama ose elefanti në dyqanin e qelqurinave
Sekti Rama po i menaxhon këto tregje me sy të mbyllur me fashë, pa u kujdesur për pasojat që lë dhe në rakordim të plotë me kompanitë mbizotëruese të tyre, kliente dhe favorite të sektit. Duke mos pranuar të vendosë në përbërje të bordeve përfaqësues nga shoqëria civile dhe organizatat e mbrojtjes së konsumatorëve, ai po shpërfill dukshëm (i) raportet e institucioneve të pavarura mbikqyrëse lidhur me situatën e tregut, (ii) analizat mbi marëdhëniet e punës dhe informalitetit, (iii) raportet e Fondit Monetar dhe shoqatave të biznesit (AmCham, Shoqata e Biznesit Shqiperi-Gjermani, etj.) për nivelin e evazionit dhe klimës së biznesit, si dhe (iv) paqartësitë e sistemit financiar, i cili prej kohësh ka treguar probleme të kreditimit dhe rritjen e borxheve të brendshme midis bizneseve shqiptare.
Duke parë dëmet e pallogaritshme që po i infliktohen operatorëve të tregjeve të vendosura nën menaxhim bordesh, duhet të merret urgjentisht masa e vendosjes së çmimeve dysheme për bizneset që bordet u “ngrijnë” fitimet, duke aplikuar dysheme çmimi blerje, ose shtyrje në kohë të mëvonshme të pagesave për ata që u shesin atyre mallra dhe shërbime të tjera, si p.sh. qeraja e ambjentit, kostot e energjisë dhe gazit, kostot e tarifave institucionale dhe taksave vendore, etj.
Kjo masë kundërvepruese në respekt të “ngrirjes” së fitimeve, duhet të vlejë për të mos dekurajuar bizneset të prodhojnë dhe shesin më pak një produkt, duke synuar mosprishjen e strukturës aktuale të tregut dhe ekonomisë, ku disa biznese janë të ndrydhur dhe në prag falimentimi.
Ekonomia shqiptare nuk mund të ndahet në dy grupe biznesesh, në ato të favorizuara nga sekti Rama dhe në ato të pafavorizuara! Bordet po prishin balancat e tregjeve aktuale, duke favorizuar më të fuqishmit për të rritur ndikimin e tyre në treg, por edhe duke rrezikuar vërshimin e parasë informale.
Në kushtet e ekonomisë sonë me sistem financiar jo të zhvilluar, me ekonomi ende në strukturim dhe me pamundësi të politikave subvencionuese, për shkak të qasjes shkatërruese të qeverisjes së sektit Rama me koncesionet dhe PPP-të, duhet të kërkojmë zgjidhje në vënien në funksion të plotë të institucioneve monitoruese dhe ligjzbatuese, të cilat kanë ndikimin e tyre të madh në një situatë si kjo që po kalojmë. Ndërkohë, pjesë plotësuese e zgjidhjes mund të jetë edhe një politikë tatimore nxitëse dhe lehtësuese, por me rezerva të mëdha në kushtet e informalitetit.
Në datën 15.04.2022 nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë u publikua përmbledhja e performancës tremujore të të Ardhurave dhe Shpenzimeve të Buxhetit te Shtetit per janar-mars 2022. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga Drejtoria e Pergjithshme e Tatimeve) u realizuan në masën 75.3 miliardë lekë. Janë 26 përqind të ardhura më shumë, ose 15.4 miliardë lekë (127 milionë euro), në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Niveli i sufiçitit për periudhën tremujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 22.2 miliard lekë, me një realizim në masën 170.5 përqind të planit të periudhës prej rreth 13 miliardë lekë. Pra Buxheti i Shtetit u mbush. Po me buxhetin e shqiptarëve çfarë u bë?
Rritja e çmimeve të mallrave të importit ndikon pozitivisht të ardhurat buxhetore, për shkak se arkëtimet neto nga tatimet që mblidhen shënojnë rritje. Por ndikimet negative janë te konsumatorët, pasi do të duhet të paguajnë çmime më të larta për mallrat që konsumojnë e për rrjedhojë, më shumë taksa mbi konsumin.
Gati një shekull më parë, studjuesi i mirënjohur Joseph Schumpeter citonte: “Shpirti i një populli, niveli i tij kulturor, struktura e tij shoqërore… të gjitha këto dhe më shumë janë shkruar në historinë e tij fiskale…. Financat publike janë një nga pikat më të mira ku mund të fillohet për të investiguar një shoqëri”.
xx
Le të shohim piketat e historisë sonë të trishtë dhe të dështuar fiskale dhe të financave publike, në periudhë pandemie dhe lufte në Evropë:
I. Renditemi ndër vendet e fundit në botë për parashikimin e rritjes së të ardhurave për frymë
Raporti më i fundit i Programit Botëror të Ushqimit në Kombet e Bashkuara (FAO), në studimin “Modelimi i tregtisë dhe të ardhurave, shpërndarja në gjashtë vende në zhvillim” parashikon që varfëria ekstreme në Shqipëri do të rritet ndjeshëm deri në vitin 2050. Në skenarët e FAO për Shqipërinë, Bolivinë, Etiopinë, Malaui, Nikaragua dhe Vietnamin evidentohet se përqindja e familjeve që jetojnë në varfëri absolute do të arrijë mbi 7.8% në vitin 2050 nga 0.8% që ishte në vitin 2011.
Nga vendet e marra në studim, varfëria ekstreme do të jetë në rritje vetëm në Shqipëri dhe në Malavi, për të cilat parashikohet se të ardhurat për frymë të Shqipërisë do të kenë ritmet më të ulëta të rritjes. Pra situata në Shqipëri është alarmante, paralelizohemi me Malauin, një vend në mes të Afrikës.
II. Konsumatori shqiptar përballon të gjithë barrën e rritjes së çmimeve të importit të karburanteve dhe ushqimeve bazë
Nisur nga të dhënat e publikuara nga INSTAT për janar-shkurt, importet e mallrave në sasi shënuan rritje me 4.6%, ndërsa importet në vlerë u rritën me 26.7%. Pothuajse për të njëjtën sasi produktesh janë paguar rreth 24 miliardë lekë më shumë, apo gati 200 milionë euro më shumë, kosto që u transferua te konsumatori nëpërmjet çmimeve më të shtrenjta të produkteve, pasi siç edhe konstatohet rritja në sasi rezulton vetëm 4.6% ndërsa në vlerë 26.7%!
Rritjen më të madhe në vlerë e ka shënuar grupi i “lëndëve djegëse” që përfaqësohet kryesisht nga nafta. Importet e këtij grupi në vlerë u rritën me 86%, ndërsa në sasi vetëm me 1%.
III. Shqipëria nuk redukton asnjë tatim konsumi!
Norma standarde e TVSH-së në vendin tonë rezulton 20%. Por përtej normës bazë, shtetet aplikojnë në mënyrë konstante apo të përkohshme edhe norma të reduktuara, kryesisht për të ndihmuar shtresat në nevojë apo konsumatorët në kohë krizash. Thuajse të gjitha vendet e Rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe në BE aplikojnë norma të reduktuara TVSH e disa nivele për grupin e mallrave ushqimorë.
Shqipëria është nga ato pak vende që nuk e aplikojnë TVSH-në e reduktuar për ushqimet dhe produktet e shportës. Duke mos aplikuar TVSH të reduktuar për ushqimet, Shqipëria mbetet vendi me përqindjen të lartë të TVSH-së për ushqime në Europë dhe Ballkanin Perëndimor. Serbia në artikujt bazë ushqimorë aplikon TVSH 10 %, Kosova 8 %, Mal i Zi 7 %, Maqedonia e Veriut 5 %. Edhe Bosnjë Hercegovinë që nuk aplikon normë të reduktuar, ka një barrë fiskale më të ulët, pasi norma standarde është TVSH 17%.
Një kategori tjetër bazë janë dhe produktet e energjisë si elektriciteti dhe gazi natyror, që përdoren dhe për konsum familjar, ngrohje etj, për të cilat shumë vende aplikojnë normë të reduktuar TVSH. Shqipëria aplikon normën standarde 20% edhe për energjinë elektrike. Në vendet e rajonit, Kosova aplikon normën 8 % në furnizimin me energji elektrike, Maqedonia e Veriut 5 % për konsum familjar.
Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria është shteti me çmimin më të lartë të naftës dhe të benzinës kryesisht për shkak të nivelit të taksave që aplikohen mbi karburantet.
Për sektin Rama, kjo përkthehet në më shumë të ardhura në buxhet. Kjo shpjegon edhe mungesën e vullnetit të Qeverisë për të ndërhyrë me mjete fiskale në treg, për të zbutur çmimet apo për të reduktuar TVSH-në për shportën e konsumit. Në vend që Qeveria të ndihmojë qytetarët me politikat e duhura fiskale mashtron në çdo deklaratë të sajën, duke thënë “Asnjë lek nuk do të paguajnë qytetarët shqiptarë,”- të gjitha i paguan Buxheti Shtetit”.
Por a e kupton sekti Rama se qytetarët e kanë fare të qartë se çfarë është Buxheti i Shtetit dhe si funksionin ai? Se qytetarët shqiptarë e dinë mirë se buxheti mbushet vetëm nëpërmjet taksave dhe borxheve, dhe akoma më mirë e dinë se këto të dyja rëndojnë në xhepat e tyre dhe të brezave në vijim? Po ta kuptonte, do të bënte diçka për të mos i lënë qytetarët kaq të pambrojtur, kaq lakuriq përballë vështirësive të rritjes galopante të çmimeve.
Prandaj bëj thirrje për:
1. Paketë të mirëfilltë sociale, ku të ulen disa taksa, veçanërisht energjia dhe shporta e konsumit.
2. Paketa financiare mbështetëse të programuara për familjet në nevojë, shtresat sociale vulnerabël, si dhe bizneset më të prekura nga çmimet e rritura, etj.
3. Kontroll dhe reduktim të shpenzimeve të energjisë elektrike, naftës, shpenzimeve të tjera të administratës publike.
4. Rritje pagash, pensionesh, rritje të masës së ndihmave e pagesave sociale, me qëllim përballimin e rritjes së çmimeve dhe inflacionit.
5. Bashkëpunim me vende dhe partnerë të tjerë tregtarë për produktet më sensitive të prekura nga kriza.
6. Marrjen e një sërë masash dhe reformash të domosdoshme për mbështetjen dhe zhvillimin e tregjeve të brendshme.
7. Rishikimin e garancive sovrane në sektorinë e energjitikës, për vlerësimin e gjithë problematikave dhe riskut në rritjen e borxhit publik nga pamundësia e pagimit.
8. Marrjen e masave për rishikimin e politikave në lidhje me menaxhimin e burimeve ujore dhe resurseve të tjera në vendin tonë.
9. Lejimin e përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të shoqatave të konsumatorëve në Bordet e karburanteve dhe të ushqimeve bazë
10. Bërjen transparente të të gjithë strukturës së kostove të karburanteve dhe ushqimeve bazë nga importi, me çmime të detajuara për çdo hallkë të tregtimit.